Basha, Bakojanis: Shqipëri-Greqi marrëdhënie të shkëlqyera
Për Shqipërinë, fqinji ynë jugor, Greqia, mbetet një partner strategjik, ndaj dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i cilësoi dje si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve. Por Tirana zyrtare kërkon sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë në zgjedhjet e 28 qershorit, me synimin e qartë për të realizuar zgjedhjet më demokratike. Pikërisht këtë i bëri dje të ditur ministri ynë i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, homologes greke, Dora Bakojanis. Ministri Basha bëri një ekspoze të gjerë të reformës zgjedhore në Shqipëri dhe masave që po ndërmerren me qëllim përfundimin në kohë të infrastrukturës së nevojshme. Basha e njohu Bakojanisin me përgatitjet e procesit zgjedhor në vend. Për këtë arsye, Basha kërkoi nga OSBE-ja që të monitorojë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Bakojanisi nga ana e saj garantoi se OSBE-ja do të dërgojë vëzhguesit e saj në zgjedhjet parlamentare shqiptare dhe plot optimizëm u shpreh se beson se Shqipëria do të arrijë standardet e kërkuara në zgjedhje. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi se turi i Bakojanisit në rajon, si presidente e radhës e OSBE-së, tregon rëndësinë që Greqia po i kushton Ballkanit Perëndimor. Duke folur për zgjedhjet, Basha theksoi se Shqipëria po tregon vullnet për të pritur misionin më të madh vëzhgues të OSBE-së që ka qenë ndonjëherë në vendin tonë. Edhe ministrja e Jashtme greke vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe përpjekjet dypalëshe për të ruajtur fqinjësinë e mirë. Znj. Bakojanis erdhi dje në Shqipëri edhe si kryesuese e radhës së OSBE-së dhe në diskutimin e saj me ministrin Basha u diskutua edhe për zgjedhjet e pritshme të 28 qershorit në Shqipëri. Basha konfirmoi edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa shprehu planet e Tiranës zyrtare për të pasur presidencën e radhës të OSBE-së në vitin 2012. “E njoha ministren e Jashtme me kërkesën e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në vitin 2012. Ky është një objektiv i politikës sonë të jashtme për realizimin e së cilës kërkova mbështetjen e kryesisë greke në mënyrë që ky vendim të merret gjatë ministerialit të Athinës në dhjetor të vitit 2009. Pa dyshim që mbajtja e zgjedhjeve të lira, të hapura dhe transparente është vullneti i qeverisë shqiptare dhe në këtë kuadër, rikonfirmova vullnetin e qeverisë për të pritur misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri”, - tha Basha. Ministri Basha shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur të gjitha prioritetet e kryesisë greke për vitin 2009, në funksion të forcimit të rolit të OSBE-së në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, si dhe rritjes së efektivitetit të organizatës. Nga ana e saj, znj. Bakojanis mirëpriti kërkesën tonë dhe siguroi se Shqipëria, si vend mik dhe fqinj, do të gëzojë të gjithë mbështetjen e nevojshme të Greqisë. Duke u ndalur tek roli i OSBE-së në Shqipëri, të dy homologët çmuan kontributin e dhënë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe arritjen e standardeve të nevojshme në funksion të proceseve integruese të Shqipërisë.
Pronat: Bakojanis: T’i zgjidhë drejtësia e dy vendeve
Cilido shqiptar që ka pretendime për pronat në Greqi, mund t’i drejtohet sistemit të drejtësisë atje. Këtë përgjigje dha dje në Tiranë Dora Bakojanis gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha.
Për çështjen e pronave Bakojanisi bëri të qartë se ajo i takon sistemit të drejtësisë së dy vendeve. Për sa i përket problemit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, Bakojanisi i kujtoi Tiranës zyrtare se nga respektimi i tyre varet dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Kjo është vizita e dytë në harkun kohor të 1 viti që kryediplomatja greke zhvillon në vendin tonë. Më parë ajo ka vizituar Shqipërinë në datën 20 mars 2008, ku u prit nga personalitetet më të larta të vendit.
Bakojanis takon Ramën dhe “të vegjlit”
Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe drejtuesit e partive të vogla diskutuan me ministren e Jashtme greke çështjen e zgjedhjeve të qershorit dhe përmbushjen e standardeve të tyre. Për dy prej çështjeve të ngritura nga opozita kryesuesja e radhës e OSBE-së, Bakojanis, vuri në dukje se regjistri nuk duhet të ketë dublikime dhe se çdo shqiptar që nuk ka pasaportë, duhet të pajiset me letërnjoftimet biometrike. Problematikën e zgjedhjeve znj. Bakojanis e diskutoi edhe në një takim me partitë e tjera parlamentare, të cilat u ulën në një tryezë të përbashkët, pavarësisht ngjyrimeve të tyre politike. Përveç zgjedhjeve, Ligji i Lustracionit është prekur sërish nga kryesuesja e radhës e OSBE-së, e cila ka siguruar forcat politike shqiptare që e kundërshtojnë ligjin, se OSBE-ja do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi qeverinë për të gjetur një zgjidhje ligjore.
Topalli, Bakojanis: Në prill, Shqipëria hyn në NATO
Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, shprehu bindjen se të gjitha vendet e NATO-s do të përmbyllin deri në prill procesin e ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis. Duke u ndalur në prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë, anëtarësimin në BE dhe NATO, kryetarja e Kuvendit theksoi: “Ratifikimi i MSA-së nga Parlamenti grek përmbylli edhe fazën e ratifikimeve nga vendet anëtare të BE-së, të cilat njëra pas tjetrës i dhanë besimin Shqipërisë evropiane. Po ashtu, ne besojmë se do të përmbyllim së shpejti edhe ratifikimin e Protokollit të NATO-s nga vendet anëtare të Aleancës”. “Parlamenti grek, - tha Ministrja Bakojanis, - do të ratifikojë javën e ardhshme këtë protokoll. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ky vit, - theksoi ajo, - do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe besoj se gjithçka po ecën shumë mirë”. Por sipas Topallit, prania e vëzhguesve të OSBE-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të ketë mundësi të shohë procesin zgjedhor më të lirë e transparent që Shqipëria ka realizuar. Topalli vuri në dukje se Shqipëria ka ndryshuar shumë. Transformimet që prej vitit 2003 janë rrënjësore dhe këto arritje e kanë futur Shqipërinë në raporte të forta dhe të pakthyeshme të integrimit në BE dhe NATO.
Ratifikimi në NATO, Topalli dhe Basha falenderojnë Slloveninë
Parlamenti slloven ratifikoi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndetën dje vendimin e Parlamentit slloven, i cili në seancë plenare votoi unanimisht pro ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke u bërë kështu vendi i 21-të që e përmbyll këtë proces. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila i dërgoi një letër homologut slloven, dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, duke falënderuar vendet anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë, përfiton nga rasti t’i sigurojë ato se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit si pjesë me të drejta të plota të kësaj Aleance para samitit të Strasburg – Kehlit. Në letrën e saj Topalli shprehet se “Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Asambleja Nacionale e Sllovenisë është tepër domethënës dhe shprehës e vullnetit të palëkundur të vendit tuaj mik për të mbështetur Shqipërinë në proceset integruese dhe perspektivën e saj euro-atlantike”. Ndërsa në deklaratën e MPJ-së thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipёrisё, duke falenderuar vendet anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë, përfiton nga rasti t’i sigurojë ato se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit si pjesë me drejta të plota të kësaj Aleance para Samitit të Strasburg – Kiehlit”.