E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj gjyqtarit Nuni, Gjykata e Lartë akuza politikës



Një ditë pas atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni, reagimet e ardhura nga institucionet gjyqësore dhe ekzekutive në vend e kanë cilësuar si një sulm ndaj drejtësisë shqiptare. Por, e prekur më tepër në këtë ngjarje ka qenë Gjykata e Lartë, pasi është cenuar njëri nga anëtarët e saj, ndaj dhe mund të konsiderohet si reagimi më i ashpër i ardhur për sulmin ndaj gjyqtarit 40-vjeçar Nuni. Përmes një deklarate për shtyp, Gjykata e Lartë deklaron se “sulmi ndaj gjyqtarit Nuni përbën një atentat të rëndë jo vetëm kundër Gjykatës së Lartë, por edhe kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë”. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, pas plagosjes së kolegut të tyre, ka vënë gishtin pikërisht mbi politikanët, për prishjen e reputacionit të gjyqtarëve në vend. Gjyqtarët konstatojnë se sulmi është në vijimësi të fushatës politike dhe mediatike ndaj gjyqësorit në tërësi, përveç presionit, që ndikojnë negativisht në deformimin e perceptimit të publikut mbi dhënien e drejtësisë nga gjykatat. “Këto nuk i shërbejnë në asnjë rast ruajtjes së figurës dhe autoritetit të gjyqtarit dhe gjyqësorit”, - shprehen anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në deklaratën për shtyp, ata shprehin shqetësim për kushtet në të cilat punojnë gjyqtarët në Shqipëri. "Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë një shqetësim të madh jo vetëm për gjyqtarët por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare, e interesuar aq shumë për funksionimin normal të shtetit të së drejtës", - thonë ata. Ndaj Gjykata e Lartë kërkon zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit te gjyqtareve. “Prekja e një gjyqtari përbën në vetvete një kërcenim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë", - deklarojnë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Po kështu, anëtarët e Gjykatës së Lartë kërkojnë që të zbardhet menjëherë ngjarja e rëndë ku mbeti i plagosur kolegu i tyre, Ardian Nuni, si dhe të dënohen atentatorët e tij.

Somario

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, pas plagosjes së kolegut të tyre, ka vënë gishtin pikërisht mbi politikanët, për prishjen e reputacionit të gjyqtarëve në vend

Sali Berisha

Përpara ligjit autorët e krimit

Një reagim të menjëhershëm ka pasur për atentatin ndaj gjyqtarit Ardian Nuni edhe nga Kryeministri Berisha, i cili dënoi me ashpërsi “aktin e shëmtuar kriminal të atentatit ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni”, duke e cilësuar atë edhe si një sulm kriminal kundër drejtësisë. Në një deklaratë për shtyp të zyrës së shtypit të Kryeministrisë thuhet se “Berisha ka kërkuar nga autoritetet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për të gjetur dhe vënë përpara ligjit autorët e këtij akti tejet kriminal”.

Bamir Topi

Policia dhe SHISH të parandalojnë krime të tilla

Presidenti i Republikës është shprehur i indinjuar për ngjarjen e dy netëve më parë, ku mbeti i plagosur anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Pas një vizite që i ka bërë të plagosurit në Spitalin Ushtarak, Presidenti i ka bërë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje, por edhe ka bërë kritika ndaj tyre. “Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, ku eksponentë kriminalë, tentojnë të godasin ashpër drejtësinë”, - u shpreh z. Topi. Por, sipas tij, më shqetësues është fakti se strukturat e specializuara të shtetit, si Shërbimi Informativ dhe Policia Kriminale nuk kanë arritur ta parandalojnë ngjarjen. Duke tërhequr vëmendjen e strukturave të policisë, ai tha se “këto organe kanë për detyrë të parandalojnë krime të tilla, jo vetëm të bëjnë bilance”. Ndërsa shtoi se “policia të gjejë autorët dhe prokuroria t’i dënojë për veprën e rëndë”.

Enkelejd Alibeaj

Atentati ndaj Nunit, goditje ndaj sistemit të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar lidhur me atentatin e bërë dy net më parë ndaj gjyqtarit Ardian Nuni, duke u shprehur se atentati ndaj tij është goditje ndaj sistemit të drejtësisë. Sipas ministrit, përgjegjësit duhet të dalin sa më shpejt para ligjit. Pas një vizite në Spitalin Ushtarak, ku u interesua për gjendjen shëndetësore të Ardian Nunit, ministri Alibeaj tha se “akte të tilla na shqetësojnë dhe janë goditje për sistemin e drejtësisë dhe përgjegjësit duhet të dalin sa më shpejt para ligjit”. Sipas tij, këto janë akte që i shqetësojnë të gjithë dhe tronditin besimin e opinionit publik tek qetësia. Ministri Alibeaj e cilësoi këtë një akt të shëmtuar.

Kreshnik Spahiu

Memorandum, për të mos lejuar denigrimin e figurës së gjyqtarit

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, ka reaguar dje për atentatin ndaj gjyqtarit Ardian Nuni, duke shprehur shqetësimin e tij dhe të institucionit që drejton për gravitetin e veprimeve të tilla. Këto veprime, sipas Spahiut, dëmtojnë publikisht imazhin që pushteti gjyqësor ndërton në një shtet demokratik. Duke konsideruar efektin negativ që kjo ngjarje sjell në shoqëri mbi lehtësinë e cenimit të gjyqtarëve, z. Spahiu i kërkoi dje publikisht organit të prokurorisë zbardhjen sa më parë të rrethanave të ngjarjes, me qëllim dhënien e drejtësisë dhe rikuperimin në afate optimale të besimit të qytetarëve në mbrojtjen e figurave publike. Nënkryetari i KLD-së ftoi dje të gjitha institucionet e dhënies së drejtësisë në nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët, i cili të synojë në angazhimin maksimal për të mos lejuar denigrimin e gjyqtarëve, si dhe të funksionarëve të tjerë të procesit të dhënies së drejtësisë.

KSHH

Akti kriminal ndaj Nunit, presion ndaj gjykatave në tërësi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dënoi dje aktin e rëndë kriminal të ndodhur në mesnatën e datës 8 shkurt 2009 ndaj z. Ardian Nuni, gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Sipas reagimit për shtyp, KSHH deklaron se “duke vlerësuar faktin që z. Nuni ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, të instancës më të lartë të pushtetit gjyqësor, ka dyshime se autori ose autorët e kësaj ngjarjeje kanë dashur t’i marrin atij jetën për shkak të detyrës”. KSHH-ja dënon ashpër këtë akt të rëndë kriminal dhe e konsideron atë si një presion që u bëhet jo vetëm individëve të veçantë, por edhe gjykatave në tërësi, që sipas Kushtetutës së Shqipërisë janë të pavarura. Për KSHH-në, kjo ngjarje është një sinjal domethënës që tregon nevojën për të marrë në mbrojtje efektive, sidomos gjyqtarët që ndihen të kërcënuar, për të rritur sigurinë në gjykatat që japin drejtësi dhe në organet e tjera të specializuara në luftën kundër kriminalitetit.

Biografia

Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike" dhe në vitin 2004 titullin "Profesor i Asociuar". Ai ka punuar si gjyqtar dhe si pedagog, ndërkohë që para se të shkonte në Gjykatën e Lartë ka qenë zv.dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe shef i Departamentit të së Drejtës Civile. Ndërkohë vitet e fundit ai ka ushtruar edhe profesionin e avokatit. Me emërimin në Gjykatën e Lartë, z. Nuni ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e mëparshme që mbante.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›