E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në fabrikë të këpucëve, vdes ish-polici

Një zjarr ka përfshirë dje një tjetër fabrikë në kryeqytet, duke shkaktuar vdekjen e një personi. Flakët e fuqishme kanë rënë në kabinën e rojë Zenel Hoxha, i cili prej pak kohësh punonte në këtë profesion, pasi kishte dalë në reformë nga Policia e Shtetit. Burimet zyrtare nga policia kryeqytetase bënë të ditur se dje rreth orës 07.10, shërbimet e Policisë së Tiranës , u njoftuan se në kabinën e rojës së fabrikës "Filanto" në rrugën "Don Bosko" ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur shërbimi zjarrfikës dhe forcat policore të Komisariatit nr. 3 për të marrë masat e sigurisë dhe sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Nga verifikimet e kryera rezultoi se si pasojë ka vdekur nga asfiksia, roja i firmës, Zenel Gani Hoxha 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili ka pësuar edhe djegie të pjesshme. Policia e ka nisur me urgjencë rojën për në spital, por ka qenë tepër vonë, pasi ai ka ndërruar jetë gjatë asaj kohe. Nga ana tjetër, zjarrfikëset kanë nisur punën për shuarjen e flakëve për të minimizuar dëmet e këtij zjarri. Ndërsa grupi hetimor, ka nisur punën për gjetjen e shkakut të zjarrit. Burimet policore shpjeguan më tej se nga veprimet e para hetimore mendohet se shkak i zjarrit, i cili ka asfiksuar dhe djegur pjesërisht viktimën, ka qenë një furnelë elektrike, e vendosur në kabinën e rojës. Sipas të dhënave policore, viktima Hoxha deri para pak kohësh ka punuar në polici. Por me reformat e kryera, ai është larguar nga policia, ku është detyruar të gjejë punë private për të jetuar. Kështu, prej pak kohësh, ai kishte hyrë në punë si roje e kësaj fabrike. Ndërkohë, po dje ka rënë një tjetër zjarr në qendër të Tiranës, por pa pasoja në njerëz. Djegia e disa gomave zbukuruese në sheshin "Skënderbeu" të Tiranës, ka shkaktuar panik tek të pranishmit, të cilët kanë njoftuar policinë. Por, fatmirësisht, në pak minuta gjithçka është mbyllur pa dëme. Shefi i shërbimit zjarrfikës, Dilaver Laçi, deklaroi se flakët e shkaktuara nga pakujdesia, u shuan dhe situata u vu plotësisht nën kontroll, edhe pse rëndoi trafikun në qendër të kryeqytetit. Sipas hetimeve, zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia e dy fëmijëve të vegjël, të cilët po zbaviteshin në këndin e lojërave në qendër të Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›