E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag katastrofe në Portin e Durrësit

Një anije cisternë me 1200 tonë naftë është përfshirë nga flakët në Portin Detar të Durrësit, duke bërë që kambanat e alarmit të bien sërish. Ekspertët e kompanisë amerikane "Ëilbur Smith Associates, TEC Infrastructure Consultants and EnerSource Engineering", në studimin e tyre kanë theksuar se ekzistojnë rreziqe reale për derdhje karburantesh, zjarre dhe eksplozione, gjë që do të regjistrojë pasoja të mëdha në port dhe komunitetin që banon përreth tij. Incidentet nuk kanë munguar. Ai i djeshmi ishte një tjetër kambanë e fortë alarmi për atë që mund të ndodhë, po dhe këtë herë fati e ndihmoi Durrësin dhe banorët e tij. Forca të shumta të sigurisë portuale u janë bashkuar zjarrfikësve për të neutralizuar situatën.

Anija "Anastasios I" me port regjistrimi atë të Lomes, kryeqytetit bregdetar të Togos në Afrikën Perëndimore, ndërsa është gjetur vetë në vështirësi me zjarrin që i ra në lokalin e motorëve, ka vënë në alarm portin më të madh të vendit dhe shumë banorë të qytetit bregdetar, që kanë ndjekur hap pas hapi informacionet mbi zhvillimet në port.

Tre automjete zjarrfikëse dhe uniformat e kuqe kanë mundur të shuajnë flakët që u përhapën nga salla e motorëve në kuvertën e makinerive dhe shmangën një shpërthim e tragjedi të mundshme me pasoja të pallogaritshme ekonomike dhe sociale. Ekuipazhi u evakuua menjëherë sapo u paraqit rreziku duke e lënë terrenin e lirë për ndërhyrjen e strukturave të specializuara kundër zjarrit dhe sigurisë. Anija kishte mbërritur nga Greqia me një sasi prej 1200 tonësh nafte për llogari të një firme shpërndarëse karburantesh në vend dhe kishte nisur përpunimin e ngarkesës së saj. Ndërsa ka shkarkuar nga depozita e vet afërsisht gjysmën e sasisë së karburantit, anija ka lëshuar sinjalin SOS në kalatën numër 4 të portit, ku ndodhet e ankoruar.

Sipas drejtuesve të Autoritetit Portual Durrës, është ndërhyrë me shpejtësi dhe në kohë duke vlerësuar rrezikun e madh që mbart një ngjarje e kësaj natyre. Operacioni i shpejtë për shuarjen e zjarrit ka shmangur përhapjen e flakëve në depozitën me karburant të anijes, si dhe te të tjera anije që ndodheshin për përpunim në kalatat pranë. Nga hetimet e para, në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në sallën e baterive. Ankorimi dhe përpunimi i anijeve me karburante dhe lëndë eksplozive në Portin e Durrësit është një nga problemet më të mëdha që vazhdon të mbajë peng plotësimin e standardeve të sigurisë në këtë port, ndërsa me kohë ekspertët kanë kërkuar zhvendosjen e përpunimit të tyre në kalata të specializuara, kryesisht në portet ushtarake të lëndëve eksplozive, qofshin këto dhe për llogari të privatit dhe në pontilin e karburanteve në Porto Romano të Durrësit të anijeve cisterna.

Anija "Anastasios I" ishte lejuar nga Kapitaneria e Portit Detar të Durrësit të përpunohej dhe në një kalatë që nuk është e specializuar për karburante, ndërsa shkarkimi i saj po kryhej jashtë kushteve të kërkuara të sigurisë portuale.

Kryesisht anijet cisternë përpunohen në pjesën lindore të portit, aty ku ndodhen edhe depozitat e karburanteve. Mbyllja e këtij viti i ka gjetur tankerët sërish në Portin e Durrësit, ndonëse u fol se ata do të zhvendoseshin pikërisht në këtë periudhë në Porto Romano.

Rreziku

Në port shkarkohet

edhe eksploziv

Më 14 mars të këtij viti, në Durrës përpunohej një anije turke me 385 tonë lëndë eksplozive dhe 308 tonë nitrat të destinuar për rrugën e Kukësit. Nuk ishte e para dhe as e fundit, po ngjarja e një dite më pas në Gërdec solli në vëmendje rreziqet që mbart përpunimi i mallrave të rrezikshmërisë së lartë, siç janë karburantet dhe lëndët eksplozive në një port civil, ku për më tepër prej vitesh janë instaluar depozita gjigante karburantesh. Depozitat janë një minë gjigante me sahat në Durrës, ndërsa një qytet i tërë vazhdon të bashkëjetojë me rrezikun. Kjo situatë vetëm keqësohet në kuadrin e planeve të zgjerimit të portit. Afria me ndërtimet përgjatë rrugës, jo më larg se 200 metra larg tankerëve paraqet një rrezik të madh për to. Pavarësisht konstatimit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, gjendja mbetet e njëjtë dhe frika vazhdon së bashku me fuqinë e lutjes që duket se ka mbajtur larg deri më sot tragjedinë

Precedenti

Zjarri në depozitat

e karburanteve

Ka pasur mjaft raste kur në territorin pranë depozitave të karburantit ka pasur rënie zjarri, ndërkohë që më 7 korrik të këtij viti, vetëm një ditë pas shkarkimit të karburantit, zjarri përfshiu anijen cisternë "Evangelos G", duke shmangur një tragjedi të madhe, për 9 jetët që ndodheshin në bordin e anijes. Nga zjarri i rënë, tre pjesëtarë të ekuipazhit, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë, kanë pësuar djegie të konsiderueshme në gjymtyrë. Dëme ka pësuar gjithashtu dhe anija, po mungesa e karburantit në të ka shmangur një tragjedi të vërtetë në mes të detit. Anija me flamur panamez dhe ekuipazh shqiptar, kishte nisur lundrimin drejt Portit të Vlorës e ndërsa ishte në vijë paralele me bregdetin kavajas, gjuhët e zjarrta kanë ndërprerë udhëtimin dhe në bord ka nisur lufta me flakët. Anija ka ndryshuar kurs duke u futur në radën e Portit Detar të Durrësit. Kryemekaniku Alban Lika, mekaniku i dytë, Bujar Bejko, dhe marinari Nexhmi Vora pësuan djegie të shumta në luftë me flakët. Anija ka qenë bosh dhe shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një defekt në motorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›