Korçë, bashkia ndërhyn për të parandaluar shembjen e një pallati
Nis shembja e ndërtesës së ish-konviktit të ndërtimit në Korçë. Pjesa anësore e pallatit të dëmtuar në vite nga lagështira dhe tubacionet e prishura ka nisur të rrëzohet dje me ndërhyrjen e bashkisë së qytetit. Ish-konvikti, ku strehohen prej 15 vjetësh dhjetëra familje rome dhe të tjera të pastreha, do të shembet në pjesën anësore, ku muret janë çarë dhe rrezikojnë shembjen e gjithë ndërtesës. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, thotë se për këtë ndërtesë janë thirrur gjatë dy javëve të fundit ekspertë, të cilët kanë vlerësuar se pjesa anësore e godinës rrezikon shembjen. Dy javë më parë, me një vendim të KRRT-së bashkiake u caktua që të ndërhyhet në këtë objekt, për prishjen dhe rrëzimin e bllokut të banjave. "Për shkak të rrezikut të shembjes nga dëmtimet në vite dhe nga ujërat që rrjedhin vazhdimisht në pjesën anësore të këtij objekti, u caktua dhe kontraktua një ekspert konstruktor për të bërë vlerësimin e situatës. Në bazë të ekspertimit, rezultoi se ndërtesa e ish-konviktit paraqet rrezikshmëri të lartë në gjendjen aktuale dhe për këtë arsye u mor një vendim në KRRT për rrëzimin e kësaj pjese të dëmtuar. Edhe pse kemi të bëjmë me pronësi private, bashkia ka marrë përsipër që të bëjë edhe rikonstruksionin dhe ndërtimin e plotë", tha Niko Peleshi. Nisur nga precedenti në Gjirokastër, pallati që përbënte rrezik për banorët e pastrehë do të shembet në pjesën me rrezikshmëri. Ndërkohë, sipas nënkryetarit Sotiraq Fili, dhjetë familje apartamentet e të cilave janë ngjitur me pjesën që po shembet janë shpërngulur për t‘u strehuar në vende të tjera nga bashkia. Pallati në fjalë është bërë shpesh problem për familjet e pastreha, pasi ujërat që rrjedhin nga dëmtimi i tubacioneve kanë rrënuar pjesën anësore duke shkaktuar edhe çarje të mureve.