E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen në galeri shtatë minatorë

Konfliktet mes firmave private të kromit, për zaptim galerish, ka çuar në ditën e djeshme në bllokimin e njërës prej këtyre galerive, duke lënë për disa orë brenda saj shtatë minatorë, të cilët ishin duke punuar.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e parë të minierës, kur galeria në pronësi të firmës private "Egi-K", është bllokuar në hyrje të saj, nga një tjetër firmë private, ajo me emër "Vajkal ‘07", e cila punon në stoqe. Burime nga vendngjarja, bëjnë me dije se bllokimi i galerisë u bë jo duke përdorur lëndë plasëse, por duke vendosur në hyrje të saj kovën e ekskavatorit, e duke bllokuar kështu lëvizjen e vagonëve të mbushur me material. Po sipas këtyre burimeve, bllokimi ndodhi rreth orës 10:00 të paradites, duke lënë kështu brenda në galeri për rreth dy orë shtatë punëtorë të firmës "Egi- K", por pa rrezikuar jetën e tyre.

Burime nga policia në Bulqizë, bëjnë me dije se me t‘u njoftuar nëpërmjet një telefonate anonime, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar një gjendje të qetë sipas tyre, përveçse një tentative të firmës "Vajkal ‘07", për të bllokuar punën në galerinë e firmës "Egi-K", me pretendimin se kjo galeri i "takon" asaj, ndërkohë që ajo punon në stoqe për mbledhje kromi. Ndërhyrja e policisë ka bërë që puna pas orës 12:30 të vijojë normalisht dhe pa probleme mes firmave në konflikt.

Aktualisht, në minierën e Bulqizës veprojnë për nxjerrjen dhe seleksionimin e mineralit të kromit në galeri dhe stoqe, një numër i madh subjektesh private të licencuara dhe të palicencuara. Kjo veç të tjerave ka çuar në përplasje të forta mes këtyre firmave, deri edhe në përdorimin e armëve. Disa muaj më parë, nga një përplasje e tillë humbi jetën 50-vjeçari Fadil Doda.

Është krejt e pamundur të marrësh vesh se sa nga këto dhjetëra firma (numri i saktë i të cilave nuk dihet), disponojnë ose jo licencë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të punuar në galeri dhe stoqe. Ndërkohë, të gjitha këto firma përfshirë edhe atë koncensionare, ruso-austriake "Albanian Chrome ACR", akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën, për "pushtim" galerish dhe stoqesh.

Por, çuditërisht edhe pse ndodh kështu, ministria vazhdon të lëshojë licenca të reja shfrytëzimi, duke e shtuar kështu edhe më shumë kaosin që mbizotëron në këtë minierë. Edhe përpjekjet e policisë për "shuarjen" e konflikteve dhe përplasjeve të forta mes firmave kanë rezultuar të paefektshme. Edhe ngjarja e ditës së djeshme është vazhdë e këtyre përplasjeve, ku firmat kërcënojnë njëra-tjetrën për sa më shumë galeri e stoqe. Për ngjarjen e ditës së djeshme, burime nga policia konfirmojnë se nuk ka të ndaluar për bllokimin disa orësh të punës, që një firmë i bëri tjetrës, pas konfliktit për pronësinë e galerisë, por po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Policia

"Asnjë minator nuk u bllokua në galeri"

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, ka dalë dje me një deklaratë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në minierën e Bulqizës. Sipas tij, "Rreth dy metra larg hyrjes së një galerie është vendosur një fadromë në pronësi të shtetasit Taulant Tançi, i cili ka penguar punën në këtë galeri dhe konkretisht lëvizjen e vagonëve të kromit dhe jo të minatorëve, të cilët kanë qenë duke punuar në këtë galeri". Sipas zëdhënësit, ndaj Tançit ka nisur procedimi për vetëgjyqësi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›