E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në masivet pyjore të Nikaj-Mërturit në Tropojë

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Vera e zgjatur me temperatura të larta kanë favorizuar zjarre të shumta në territorin e vendit tonë, duke shkaktuar dëme të mëdha, kryesisht në mjedis.

Një vatër zjarri është shfaqur ditën e sotme në zonën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë, konkretisht në Lugun e Ndërmajës, duke përfshirë nga flakët masive pyjore me pemë mbi 100-vjeçare, raporton Top Channel.

Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe disa vatrave zjarri të raportuara në zona të ndryshme të vendit, situata në Tropojë kishte qenë e qetë deri më tani, pa raste të raportuara gjatë kësaj periudhe.

Zjarri përbën një kërcënim serioz për masivet pyjore të zonës, veçanërisht për pemët shekullore, duke e bërë ndërhyrjen e shpejtë të strukturave përgjegjëse të domosdoshme për frenimin e përhapjes së flakëve.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë malor, situata kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe angazhim të mjeteve dhe forcave të emergjencës për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›