Zjarr në uzinën e baterive, digjen fishekë e lëndë kimike
BERAT - Zjarri në ish-uzinën e baterive në lagjen Uznovë të Beratit terrorizon banorët. Shpërthime të lëndëve kimike dhe municioneve të shpërndara që prej vitit 1997 kanë shoqëruar flakët për më shumë se gjysmë ore ditën e djeshme. Ndërhyrja urgjente e zjarrfikësve dhe e policisë së Beratit bëri që zjarri të shuhej në kohë rekord. Burime të Repartit të Zjarrfikëses në këtë qytet bëjnë me dije se rreth orës 14:00 është marrë informacioni për një zjarr të rënë në një pronë private, rrethuar me mur dhe mbuluar nga shkurret. Menjëherë u nisën drejt zonës mjetet zjarrfikëse. Nga konstatimi i parë është mësuar se flakët kishin përfshirë një sipërfaqe prej 200 metra/katrorë, në një sipërfaqe toke të rrethuar dhe mbuluar nga shkurret dhe plehrat. Mjetet zjarrfikës kanë nisur punën për lokalizimin e flakëve të zjarrit, ndërkohë që shumë pranë ndodhen dhe objekte të tjera banimi dhe biznesi. Por, ndonëse flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll, çka ka vënë në alarm banorët ishin shpërthimet e shkaktuara nga temperaturat e larta të zjarrit. Në territorin e rrethuar që u përfshi nga flakët janë dëgjuar zhurma të fuqishme, të krahasuara me municionet luftarake. Prej vendit të ngjarjes janë larguar nga policia banorët dhe kureshtarët e mbledhur, ndërkohë që situata është normalizuar pas rreth 30 minuta me fikjen e zjarrit. Burime të policisë bëjnë të ditur se në këtë vend ka pasur dhe shishe të mbushura më lëndë kimike, të cilat përdoreshin për përpunimin e baterive. d.xh