Dajti, prokuroria kontroll në Ministri
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Kënda kontrollon sistemin e dokumenteve të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, gjatë hetimeve që po zhvillohen ndaj Dritan Dajtit për vrasjen e 4 oficerëve. Kontrolli në sistemin e dokumenteve të policisë është bërë nga Prokuroria, për shkak se ditën e arrestimit të Dritan Dajtit, në një çantë dore që ai mbante me vete, veç një krehri me 15 fishekë dhe një patente italiane, u gjet edhe një dokument policie "distinktiv" me emrin Agron Zeneli dhe me foton e Dritan Dajtit, që mbante gradën "nënkomisar" i Drejtorisë së Policisë së Korçës. Pas kryerjes së disa veprimeve që kërkonin më tepër urgjencë, prokuroria ka vendosur të kontrollojë nëse dokumenti i rremë që mbante Dajti ishte siguruar nga institucionet shtetërore apo ishte falsifikuar. Grupi i hetimit ka verifikuar në sistemin e dokumenteve në Ministrinë e Brendshme ku ndodhen të gjithë kartat e efektivave të Policisë së Shtetit. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në sistemin e ministrisë nuk u gjet asnjë dokument me emrin Agron Zeneli, foton e Dritan Dajtit dhe gradën kryekomisar. "U verifikua se dokumenti është prodhuar jashtë sistemit të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme", tha Prokuroria. Kjo e fundit fillimisht kishte dyshuar se Dajti e kishte siguruar dokumentin në fjalë nga punonjës të veçantë të policisë, me qëllim që të shmangte kontrollet gjatë lëvizjeve të tij të shpeshta në aktivitetin që kryente. Pas konfirmimit në sistemin e Ministrisë së Brendshme, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e disa ekspertimeve mbi dokumentin që i është bllokuar Dritan Dajtit. Nga këto ekspertime është mësuar se distinktivi në fjalë është prodhuar me falsifikim, duke përdorur skanerë me ngjyra. Fillimisht është krijuar dokumenti i ngjashëm me kartat e punonjësve të policisë, më pas aty është vendosur emri Agron Zeneli dhe në fund është vendosur edhe fotografia e më pas vula, të gjitha të falsifikuara. Zbulimi i një dokumenti të Policisë së Shtetit në çantën e Dritan Dajtit, me gradën nënkomisar shkaktoi vëmendje të madhe nga Prokuroria dhe institucionet tjera, të cilat dyshuan se dokumenti mund të ishte siguruar me mënyra të paligjshme nga institucionet e shtetit.
Prokuroria nuk heton kërcënimet në "Facebook"
TIRANE - Prokuroria e Tiranës nuk ka regjistruar procedim penal për "kërcënimet" e fansave të Ledion Marës në rrjetin e komunikimit social "Facebook". Pak ditë më parë policia bëri të ditur se disa fansa të Marës, mik i Dajtit që u vra në përleshje me policinë, kishin krijuar një grup me mbi 400 anëtarë të "Facebook" ku jepnin shpërblim 20 mijë euro për të mësuar emrat e oficerëve që morën pjesë ën aksionin "Anti-Dajti". Pas kësaj, policia filloi menjëherë hetimet, duke administruar gjithçka ishte shkruar në forum dhe duke e referuar materialin në Prokurori. Kjo e fundit mësohet se ka marrë në shqyrtim të dhënat e dërguara nga policia dhe më pas ka vendosur mosfillimin e procesimit penal për shkak të mungesës së elementëve të krimit. Procedura e zakonshme parashikon se prokuroria verifikon paraprakisht çdo material hetimor nga policia, qytetarët apo institucionet tjera dhe vendos regjistrimin e procedimit penal në rast se gjen elementë që tregojnë se krimi ka ndodhur. Në këtë rast, burime të Prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se krijuesit e grupit nuk janë fare në Tiranë dhe se veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale.
Bllokohet pasaporta e mikut të Dajtit
Gilmando Dani, i konsideruar si mik i Dritan Dajtit u paraqit dje në policinë e kryeqytetit, ku kërkoi të tërheqë pasaportën që i është bllokuar një javë më parë. Dani ka dashur të japë deklarime përsëri për të provuar se ndodhej në Tiranë në momentin që Dajti vrau policët në Durrës. Policia ka refuzuar t'i kthejë pasaportën Danit, me qëllim që ai të mos udhëtojë jashtë vendit.