E Diel, 1 Nëntor 2026

Bindin Dinamo e Besa, Tirana e Vllaznia i falen minutës së fundit

 

Leonard Karaj

Dinamo dhe Besa regjistrojnë fitoret më të bujshme të javës së dytë të Superligës. Blutë iu imponuan Flamurtarit ndërsa kavajasit morën tri pikë të arta në fushën mjaft të vështirë të Peqinit. Nga ana tjetër si Tirana në “Qemal Stafa” dhe Vlalznia në “Loro Boriçi” vuajtën deri në sekondën e fundit për të parë tri pikët e para të këtij kampionati. Nallbani me 11 metërsh për bardheblutë dhe kosovari Ilir Nallbani për kuqeblutë kanë mbrojtur në një farë mënyre nderin e dy rivalëve kryesorë gjatë sezonit të kaluar për titull. Ndërkohë një fitore të vuajtur ka sigluar edhe skuadra e Teutës në “Niko Dovana” ndaj Kastriotit, skuadër e vetme kjo me zero pikë. Barazim në Laç mes vendasve të Stavri Nicës dhe Gramozit të Ilir Qirjakos.
Dinamo e Besa
Blutë e kryeqytetit kanë arritur një fitore spektakolare në Vlorë përballë një Flamurtari i galvanizuar nga tripikëshi i marrë një javë më parë në Tiranë ndaj bardhebluve. Bakaj, Sefa dhe Plaku çojnë në 6 pikë dhe në krye skuadrën e Shkëlqim Muçës, e cila ndonëse gëlon nga polemikat brenda dhomave të zhveshjes, tregohet tjetër gjë në fushën e lojës. Ndërsa Flamurtari i kësaj jave nuk ishte veçse kopja negative e javës së parë, pa ide dhe me një lojë mjaft konfuze. Në të njëjtën kohë në Peqin Besa e Shpëtim Duros siglonte një fitore surprizë që solli më pas edhe dorëheqjen e trajnerit të Shkumbinit, Gugash Magani. Largimi i tekniku erdhi si rezultat i lojës së dobët të ekipit të tij, kjo për meritë të kundërshtarit. Besa e Dinamo në këtë mënyrë shpallin kandidaturat për titullin ë radhës kampion në Superligë.
Tirana e Vllaznia
Blendi Nallbani “shpëton” Tiranën nga një tjetër rezultat i pakëndëshëm. Është dashur një penallti e minutës së parë shtesë, të cilën “Tata” e ktheu në gol që Tirana kampione në fuqi të marrë tri pikët e para të këtij sezoni. Nga ana tjetër Skënderbeu i Korçës u mbrojt më së miri për 90 minuta lojë duke rrezikuar disa herë edhe në kundërsulm. Për t’u theksuar ka qenë fakti se skuadra korçare është ndjekur nga shumë tifozë të saj në stadium, të cilët nuk reshtën së mbësheturi ekipin e tyre. E njëjta gjë edhe në Shkodër. Shumë tifozë por një lojë e vendasve që ka lënë për të dëshiruar. Në fund të takimit ka qenë Ilir Nalbani ai që i ka dhuruar skuadrës kuqeblu tri pikë të arta, duke shpëtuar në një farë mënyre edhe pankinën e Hasan Likës.
Të tjerat
Bie në sy fitorja e Teutës së Durrësit në “Niko Dovana” falë një penalltie të arritur në minutat e fundit të takimit dhe e kthyer në gol nga kapiteni Mile. Duhet theksuar se Kastrioti për lojën e shfaqur nuk meritoi të humbiste. Barazim pa shumë vlera në Laç, ku trajneri i vendasve, Stavri Nica, i nervozuar me lojën e skuadrës së tij nuk pranoi as të dilte në konferencë për shtyp. Kampionati ndërpritet për t’i lënë vend ndeshjeve të Kombëtares dhe rikthehet më 13 shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›