Zjarr në xhaminë e Zall Herrit, hetohet në dy pista
Tiranë
Policia: Ngjarja në orën 03:00 të së martës. Shkëndijë elektrike apo zjarr i qëllimshëm?
Një vatër zjarri ka shpërthyer në rrethana ende të paqarta në xhaminë e Zall Herrit, në Tiranë dhe menjëherë pas kësaj kanë nisur hetimet. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës dhe flakët kanë shkrumbuar gjithçka që ndodhej në objekt. Fillimisht zjarri ka përfshirë çatinë e xhamisë dhe më pas perimetri është zgjeruar, duke vënë në rrezik objekte të tjera pranë saj. Si pasojë e kësaj, në xhami janë shkaktuar mjaft dëme materiale, prej vonesës së shërbimit zjarrfikës. Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 3:00 të mëngjesit dhe banorët e zonës nuk kanë mundur që të njoftojnë zjarrfikësen, për faktin që kanë qenë në gjumë. Sapo ata kanë pikasur një vatër të madhe zjarri nga xhamia, kanë njoftuar shërbimet përgjegjëse, për shuarjen e zjarrit. Ndonëse ka qenë tepër vonë, për të shpëtuar dëmet në xhami, zjarrfikësit kanë bërë izolimin dhe më pas shuarjen e tij. Nëse mjetet do të ishin vonuar edhe më shumë, atëherë zjarri do të kishte përfshirë disa biznese dhe shkollën e fshatit pranë xhamisë. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe policia e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Grupi hetimor ka marrë në pyetje imamin e xhamisë, për të gjetur shkaqet e vërteta të shpërthimit të zjarrit. Imami është pyetur nëse ka pasur konflikte të hapura me banorë, apo persona të tjerë. Ata kanë mbledhur disa prova materiale, që do të përcaktojnë shkaqet e zjarrit dhe rrethanat e tij. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, për një shkëndije elektrike që ka provokuar masë në rrjet. Kjo pistë është e diskutueshme për shkak se rrjeti elektrik nuk ka pasur ngarkesë të madhe, në kohën kur ka rënë zjarri në objekt.
Zjarr në xhaminë e Zall Herrit, hetohet në dy pista burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email