E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, prokurorisë: Hetoni onkologjikun

Sokol Çobo

Vendimi: Dy mjekë kanë gabuar me një paciente, kimioterapia i ka shkaktuar dëmtime

Spital,onkologajiku,mjek,doktor,kancer. Dy mjekë të shërbimit onkologjik në QSUT do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës për gabim në mjekim ndaj një pacienteje nga Vlora, pasi dyshohet se i kanë shkaktuar dëmtime duke përdorur kimioterapi. Gjykata e Tiranës ka urdhëruar prokurorinë që të fillojë verifikimet për Xh.H. dhe Dh.K., të cilët dyshohet se kanë gabuar në mjekimin e pacientes Sonila N. Më herët, çështja ishte hetuar në prokurori, por u mbyll, pasi fakti nuk ekziston. Pas ankimit të së dëmtuarës në gjykatë, kjo e fundit ka urdhëruar që të verifikohen disa detaje të çështjes, ndërsa për rastin konkret, mjekoligjorët duhet të saktësojnë nëse bëhet fjalë për një gabim mjekësor.

Pushimi i hetimeve

Sipas vendimit me numër akti 238, një kopje të së cilit disponon edhe gazeta Shqip, rezulton se çështja është hetuar më parë, pasi më 30 mars 2012 është mbajtur procesverbali i ballafaqimit midis shtetasve Sonila N. dhe Xh.H., madje, ky i fundit është ripyetur dhe hetuesit kanë lënë detyrat përkatëse për ekspertët mjekoligjorë. Mbi bazën e këtij vendimi është kryer akti i riekspertimit mjekoligjor nr. 1132, datë 01.08.2012, i cili ka rezultuar me përgjigje të kundërta me aktin e ekspertimit mjekoligjor të vitit 2011. Pas këtyre veprimeve, Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e procedimit penal nr. 712 të vitit 2011. Veprimet e mjekëve që janë marrë me diagnostifikimin dhe trajtimin e shtetases Sonila N., janë vlerësuar si gabim mjekësor me veprimet dhe metodat e përdorura që disponon shërbimi në shërbimin onkologjik, Tiranë. Si pasojë, te shtetasja Sonila N. kanë mbetur dëmtime të pariparueshme në lëkurën e anës së majtë të gjoksit, çrregullime të thella të ciklit menstrual, si rrjedhojë është shkaktuar rëndimi i gjendjes shëndetësore të kësaj shtetase, që do të thotë pasoja e ardhur nuk është dëmtim i rëndë i shëndetit. Nga analiza dhe vlerësimi i akteve të administruara, rezulton se nuk jemi përpara veprës penale të mjekimit të pakujdesshëm dhe fakti nuk parashikohet vepër penale. Për rrjedhojë, çështja duhet pushuar, thuhej në vendimin e prokurorisë.

Ankesa në gjykatë

Megjithatë, ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Tiranës. Sipas mbrojtjes së pacientes, prokuroria nuk ka hetuar dhe nuk ka zbatuar detyrat e vëna nga gjykata. Prokuroria nuk ka bërë një hetim objektiv për të evidentuar mënyrën sesi mjekët e kanë ushtruar detyrën në mënyrë të individualizuar dhe pasojat që kanë sjellë këto veprime. Prokuroria ka pranuar pa kërkuar sqarime shtesë, përgjigjet gjysmake të aktit të ekspertimit, të cilat nuk u përgjigjen pyetjeve, thuhet në vendimin e gjykatës, duke iu referuar kërkesave të mbrojtjes. Sipas tij, akti në pikën e parë nuk ka përcaktuar se cilat ishin veprimet mjekësore të pakryera nga mjekët për diagnostikimin dhe mjekimin e gabuar të Sonila N. Megjithëse në arsyetimin e aktit të ekspertimit grupi i ekspertëve shpjegon në përgjithësi sesi duhet të kryhet diagnostikimi i sëmundjes që u mjekua e dëmtuara, në konkluzion nuk bëhet trajtimi se cila nga këto detyra nuk u krye prej tyre. Në akt, në pjesën e konsideratave teorike klinike thuhet se: Kur dyshohet për këtë sëmundje duhet të përdoren edhe ekzaminime të tjera. Vështirësitë e shumta që paraqet diagnostikimi i kësaj sëmundje kërkon një arsenal të tërë ekzaminimesh, si dhe një bashkëpunim të gjerë midis mjekëve të specialiteteve që merren me trajtimin e këtyre sëmundjeve. Në pjesën e diskutimit mjekoligjor thuhet se: Nga shqyrtimi i këtij rasti bie në sy se nuk është organizuar staf i përbashkët me mjekë të fushave përkatëse për të vendosur mbi strategjinë mjekësore që duhej të ndiqej për të arritur një trajtim sa më adekuat dhe shkencor, si dhe për të bërë shmangien nga gabimet e mundshme që janë të shpeshta. Detyrat e mësipërme nuk janë kryer nga asnjë prej dy mjekëve, të laboratorit e të mjekimit, dhe fillimit të kimioterapisë e megjithatë këto mangësi konkrete nuk evidentohen në konkluzionet e aktit.

 

Mjekimi me kimioterapi

Sipas mbrojtjes, akti i ekspertimit në kundërshtim me sa vendosi gjykata nuk ka ekzaminuar simptomat e shqetësimeve të dëmtuarës, si pasojë e mjekimit të panevojshëm me kimioterapi dhe me rrezatim. Konkluzionet për këto simptoma të së dëmtuarës nga mjekët janë bërë pa asnjë diagnostikim mjekësor, vetëm me shikim dhe pa analizuar pasojat që ata kanë për shëndetin e të dëmtuarës dhe kategorizimin e dëmit që ato kanë sjellë tek e dëmtuara. Përgjigjet për këtë pyetje janë sipërfaqësore, pa kontrolle mjekësore dhe pa treguar nëse këto pasoja janë të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës dhe a janë dëmtime të rënda, si p.sh. humbje e aftësisë për të pasur fëmijë. (Humbja e një shtatzënie quhet dëmtim i rëndë, ndërsa humbja e aftësisë për të lindur nuk është trajtuar, edhe pse është pasojë më e rëndë se humbja e një fëmije), vijon vendimi i gjykatës.

Sipas tij, nga akti i ekspertimit dhe konkluzionet e prokurorisë nuk është dhënë përgjigje e detyrave të gjykatës nëse pasojat e shfaqura tek e dëmtuara do të shfaqeshin nëse e dëmtuara nuk do të mjekohej me mjekimin e dhënë nga mjekët e shërbimit onkologjik. Në akt, për të shmangur përgjegjësinë penale të personave përgjegjës nga ekspertët, nuk i është dhënë përgjigje pyetjes a ka mjekim të pakujdesshëm apo jo. Gabimet mjekësore të përshkruara në raport janë pakujdesi e rëndë e këtij stafi, që nuk lidhet vetëm me vështirësinë e diagnostikimit, por edhe me moskryerjen prej tyre të detyrave.

 

Gjykata, të rihetohet

Pas shqyrtimit, Gjykata e Tiranës vendosi që prokuroria duhet të kryejë një hetim më të plotë, të gjithanshëm e objektiv, duke u dhënë përgjigje të gjitha paqartësive. Këto përfundime më pas duhet të analizohen në përputhje me faktet e tjera të rezultuar gjatë hetimeve paraprake, për të arritur në një përfundim të drejtë, të bazuar në ligj e në prova. Në këtë mënyrë do të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të individëve, ndaj të cilëve ngrihet akuza dhe atyre që janë dëmtuar si pasojë e veprës penale konkrete. Gjykata ka pranuar kërkesën e të dëmtuarës dhe vendosi të shfuqizojë vendimin e prokurorisë të datës 8 tetor 2012 për pushimin e hetimeve për procedimin penal nr. 712 të vitit 2011. S.Çobo

Gjykata, prokurorisë: Hetoni onkologjikun burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›