Zjarret, Olli: Situatë kritike në Pukë, Lurë dhe Bozdovec
Vijon të mbetet ende problematike situata e shkaktuar nga zjarret në vend, edhe pse numri i vatrave aktive është ulur ndjeshëm.
Në një linjë telefonike për RTV “Ora News” zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Leonard Olli deklaroi se situata më problematike mbetet ajo në zonat e Pukës, Kukësit, Lurës dhe në parkun e Bozdovecit në Korçë ndërsa shtoi se në të gjithë territorin e vendit janë ende 16 vatra aktive.
Sipas Ollit situatë e vështirë paraqitet në Parkun Kombëtar të Lurës, ku vazhdojnë të digjen drurët e prerë në mënyrë abuzive, ndërsa mbetet e pamundur ndërhyrja si pasojë e terrenit mjaft të vështirë.
Gjithashtu sipas Ollit në parkun kombëtar të Bozdovecit në Korçë janë gjithësej 300 forca të ushtrisë të cilat po operojnë me shumë efikasitet për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ndërkohë një situatë e përmirësuar paraqitet në Priskë dhe në Malin e Dajtit. Sipas Ollit rreth 200 efektivë të Forcave të Armatosura ndodhen ende në terren dhe si pasojë e ndërhyrjes së tyre situate në këtë zonë është përmirësuar ndjeshëm.