E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, me sytë nga Presidenti Nishani për lëvizjet e drejtuesve

Sokol Çobo

Reforma - Me ardhjen e kryeprokurorit të ri dhe të drejtuesve të rinj, lind e nevojshme edhe ristrukturimi i disa sektorëve apo njësive. Pothuajse në të gjitha prokuroritë ka zëvendësdrejtues të akuzave të rretheve apo të apelit, të cilët mund të ndryshohen, ashtu si ndodhi katër vjet më parë

Largimi - Enigma e parë padyshim i takon emrit që do të zëvendësojë Ina Ramën, e cila do të largohet pas katër vitesh në krye të akuzës shqiptare

Fillojnë ethet për kryeprokurorin e ri dhe titullarët e akuzave kryesore

Të dhëna

Prokuroria - Sistemi i prokurorisë përfshihet nga ethet e pasuesit të Ina Ramës në postin e kreut të akuzës shqiptare

Kandidatët - Në prokurori qarkullojnë disa emra që vijnë nga fushat e avokatisë dhe gjyqtarisë, ndërsa ka edhe brenda akuzës

Drejtuesit - Pas ardhjes së kryeprokurorit të ri pritet që të ndryshohen pothuajse të gjithë drejtuesit e akuzave të rretheve dhe apeleve

Akuza qendrore - Reformë dhe ndryshime drejtorësh do të ketë edhe në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në nivele të larta dhe të mesme

Sokol Çobo

Prokuroria përfshihet nga ethet e pasuesit të Ina Ramës në postin e kreut të akuzës shqiptare. Vendimmarrja është ekskluzivitet i Presidentit Nishani, i cili ka lënë të kuptohet se do të zëvendësojë zonjën Rama, ndërsa ende nuk ka filluar zyrtarisht gara për emrin e ri, megjithëse janë përfolur një sërë kandidaturash. Diskutimet më të shumta për këto lëvizje janë padyshim në Prokurorinë e Përgjithshme, të Apeleve dhe të Rretheve, pasi rrjedhimit do të këtë ndryshime rrënjësore edhe në këto akuza. Të paktën kështu ka ndodhur me zëvendësimet e mëparshme të kryeprokurorëve, ku secili prej tyre ka vënë në postet kyçe njerëzit që kishin më afër. Kryeprokurorja aktuale ka vënë drejtues të prokurorive të rretheve të njohurit e saj, ashtu si edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku.

Ethet për kryeprokurorin

Megjithëse është muaj pushimesh, sistemi i prokurorisë është përfshirë nga ethet. Enigma e parë padyshim i takon emrit që do të zëvendësojë Ina Ramën, e cila do të largohet pas katër vitesh në krye të akuzës shqiptare. Janë shumë emra që përfliten si të lidhur ngushtë me politikën, apo edhe prokurorë dhe avokatë. Megjithatë, duke partë lëvizjet e deritanishme të Presidentit Nishani që është shfaqur besnik i mazhorancës qeverisëse në krye të akuzës, mund të vendoset një person afër pushtetit, apo edhe prokuror që ti ketë shërbyer mazhorancës. Emrat në sistemin e prokurorisë janë të paktë, pasi në punën disavjeçare, me Sollakun dhe Ramën, ata janë ndeshur edhe me çështje që kanë pasur interes politik dhe padashur kanë shkaktuar pakënaqësi te mazhoranca qeverisëse. Sipas prokurorëve, vendosja në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të një avokati, do të prishte balancat e vendosura, pasi avokatët mund të ndëshkonin më tej prokurorët, me të cilët janë ndeshur në sallat e gjyqit.

Lëvizjet e drejtuesve

Për prokurorët është e qartë se kushdo që të vendoset në krye të Prokurorisë shqiptare do të bëjë një reformë që do të prekë fillimisht drejtuesit e prokurorive kryesore. Më të lakmuara në sistemin e prokurorisë janë padyshim drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Vlorës dhe Shkodrës, ndërsa poste të rëndësishme janë edhe në Korçë, Berat e Lezhë. Me ardhjen e Ina Ramës në krye të Prokurorisë shqiptare të gjithë drejtuesit e këtyre akuzave kanë ndryshuar. Titullarë janë vendosur prokurorë që kanë pasur lidhje shoqërore, shkollore dhe pune me kryeprokuroren aktuale. Madje në sistemin e prokurorisë janë vendosur edhe titullarë që kanë pasur lidhje farefisnore me zonjën Rama. Lëvizje ka pasur në të gjithë sistemin, duke përfshirë edhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Janë ngritur në detyrë dhjetëra prokurorë, ndërsa në krye të mandatit zonja Rama degdisi disa prokurorë që punonin në Tiranë, në prokuroritë e rretheve. Megjithatë, në fund të mandatit, ajo e korrigjoi këtë vendim, duke risjellë në kryeqytet disa prej këtyre prokurorëve.

Reformë në prokurori

Ajo që i druhen prokurorët është një reformë e thellë në sistemin e akuzës. Me ardhjen e kryeprokurorit të ri dhe të drejtuesve të rinj, të cilët ndoshta promovohen në poste drejtuese, pasi nuk mund të merren jashtë sistemit, lind e nevojshme edhe ristrukturimi i disa sektorëve apo njësive. Pothuajse në të gjitha prokuroritë ka zëvendësdrejtues të akuzave të rretheve apo të apelit, të cilët mund të ndryshohen totalisht, ashtu si ndodhi katër vjet më parë. Krahas tyre mund të ketë lëvizje të prokurorëve nga njëri sektor në tjetrin dhe për pasojë ndryshime rrënjësore në disa sektorë të prokurorive. Pritet shtim i numrit të përgjithshëm të përfaqësuesve të akuzës në Tiranë, Durrës dhe Fier, duke qenë se kanë një numër të madh dosjesh për hetim.

Përplasja e mundshme

Megjithatë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën Shqip se kryeprokurorja aktuale do të lëvizë të gjitha letrat që të lërë mandatin në muajin mars 2013 dhe jo në muajin tetor të këtij viti. Zyrtarët e akuzës qendrore e interpretojnë ligjin Për prokurorinë ndryshe nga mazhoranca, e cila, në disa dalje publike, ka pohuar se Ina Rama largohet në datë 21 tetor, ditën kur ka marrë mandatin.

Prokurorët, me sytë nga Presidenti Nishani për lëvizjet e drejtuesve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›