E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret, banorët ruajnë pyjet në 24 orë

Autori i Lajmit: red.
Kalimi i masiveve pyjore në pronësi e përdorim të pushtetit vendor, ka mundësuar këtë vit minimizimin e dëmtimit të tyre, jo vetëm nga prerjet e paligjshme, por edhe nga rënia e zjarreve. "Edhe pse temperaturat e kësaj vere janë mjaft të larta, numri i zjarreve është shumë i vogël, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", thanë dje burime të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit. Drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje e lidhin situatën e këtij viti me angazhimin e komunitetit, i cili është organizuar në grupe kontrolli me sistem 24 orësh për ruajtjen e pyjeve nga zjarri. Në rrethin e Hasit, me një sipërfaqe prej 45 mijë ha, pyjet e kullotat zënë një sipërfaqe prej rreth 27 500 ha. Mbi 65 për qind e kësaj sipërfaqeje pyjore e kullotash tashmë menaxhohet nga pushteti vendor, gjë që ka sjellë edhe minimizimin e dëmtimeve jo vetëm nga prerjet e paligjshme, por edhe nga zjarret. Ndërmarrja e shërbimit pyjor po bashkëpunon dhe me strukturat e mbrojtjes së pyjeve të Kosovës, ku nuk kanë munguar rastet e zjarrit, por që janë kontrolluar për të mos kaluar në anën tonë. Procesi i kalimit të pyjeve e kullotave në përdorim të pushtetit vendor, është shtrirë në të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi, me fonde të BB-së, e cila financon tashmë edhe zbatimin e projekteve për shtimin e sipërfaqes pyjore të rrethit, proces që është në vijim në komunat e Golajt e të Gjinajt, ku mbi 70 për qind e sipërfaqes pyjore është në përdorim e pronësi të komunitetit.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›