E Diel, 1 Nëntor 2026

“Naim Frashëri”, shkolla që sot mbush 100 vjeç

Autori i Lajmit: red.
Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan, e para shkollë fillore shqipe në këtë rajon, do të festojë 100 vjetorin e krijimit përmes disa veprimtarive që do të organizohen nën kujdesin e bashkisë dhe mësuesit më të vjetër të kësaj shkolle, Sami Domi. Shkolla me një histori një shekullore u çel në fillim të gushtit të vitit 1908, me iniciativën e Fejzullah Guranjakut, veprimtar i arsimit, Mësues i Popullit . Në atë kohë shkolla funksiononte pranë një godine në vendin e quajtur ish-depoja e kripës. Pas hapjes së saj, plot 12 shkolla të tjera shqipe me 16 mësues gjithsej do të çeleshin brenda një periudhe 6 mujore (gusht –dhjetor 1908). Tre prej këtyre shkollave drejtoheshin nga mësuese femra. Bazuar në dokumentet historike, në 25 nëntor të vitit 1912 shkolla Naim Frashëri u vendos në godinën ngritur në bedenat e hyrjes lindore të kalasë dhe u quajt shkolla “Qëndrore”. Në vitet 1913- 1914 ajo funksionoi tek shtëpia e Hashim Hakanit tek Rrapi i Bobollës për t u zhvendosur sërish tek godina e kalasë deri në vitin 1968. Prej atij viti dhe deri tani shkolla Naim Frashëri ndodhet në një godinë në “Parkun Rinia”. Ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle përmenden Fejzullah Guranjaku dhe Hysen Ceka. Më vonë pranë saj u afruan mësuesit Haxhi Myslimi, Murteza Karadaku, Simon Shuteriqi, Ahmet Gashi, Mustafa Curri, Ibrahim Shehu, Filip Leci. Në vitin shkollor 1918 – 1919, klasat e larta të shkollës, që në atë periudhë njihej me emrin shkolla “Qytetëse”, u bashkuan me Normalen dhe formuan shkollën gjimnaz – normale. Shkolla “Qytetëse” që më 1923 – 1924 u quajt “Plotore”, trajtohej me cilësinë e shkollës së mesme, krahas normales. Në shtator të vitit 1935 ajo u quajt me emrin “ Naim Frashëri”, të cilën e mban edhe sot. Në Luftën e II-të Botërore kundër pushtuesve ranë dëshmorë 43 nxënës të shkollës “Naim Frashëri”. Shkolla është dalluar për veprimtari muzikore e sportive dhe për aktivitetin e saj janë botuar në organet e shtypit lokal e qëndror rreth 200 shkrime me karakter informativ, studimor e didaktik. “Naim Frashëri” është shkolla ku kanë mësuar njërëz të njohur të kulturës dhe shkencës. Brez pas brezi shkolla Naim Frashëri ka nxjerrë emra të njohur të kulturës dhe shkencës. Rreth 39 nxënës nga viti 1954 deri më 1998 janë nderuar me çmime kombëtare në veprimtari shkencore, olimpida të matematikës, konkurse kombëtare të pikturës, letërsisë, sportit, etj. Ndër personalitetet, ish- nxënës të kësaj shkolle, përmenden Prof. Aleks Buda, Prof. Dhimitër Shuteriqi, Prof. Kolë Paparisto, Prof. Kolë Popa, Prof. Mahir Domi, Prof. Teki Biçoku, etj. Në vitin 1995 shkolla “Naim Frshëri” është përfshirë në projektin danezo-shqiptar, për kualifikimin e stafit mësimdhënës. Pjesa më e madhe e stafit pedagogjik kanë shkuar për shkëmbim përvoje në Danimarkë. Në vitin 1999 ajo u rikonstruktua nga fondacioni CRS. Në të funksionon edhe muzeu i shkollës , i cili u ngrit në vitin 1934 me përpjekjen e normalistëve.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›