Zjarret pushtojnë vendin në 10 vatra të reja, ministria: Shirat do qetësojnë situatën

Tiranë, 31 gusht, NOA Mëse 10 vatra të reja zjarri janë shfaqur dje në vendin tonë, duke alarmuar seriozisht autoritetet lokale dhe ato të mjedisit, të cilat bëjnë me dijeni se për fat të mirë, që të gjitha ato kanë mundur të shuhen pa shkaktuar dëme ekologjike.
Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të ministrisë së Mjedisit, konkretisht në rrethin e Malësisë së Madhe ka pasur 2 raste zjarresh, të cilat janë fikur nga ndërhyrja e shërbimit pyjor si dhe reshjet e shiut ne orët e vona të natës.
Ndërsa në rrethin e Pukës, dje ka pasur 2 vatra zjarri në zonën e Lumbardhës dhe në Livadh të Hamëzit, ku zjarret janë fikur plotësisht.
Në rrethin e Dibrës, ka pasur shfaqje zjarri në zonën e Lurës, në pyll komunal të komunës Lurë. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe është bërë mjaft problematik në orët e mbrëmjes.
Mësohet se kanë marrë pjesë në fikjen e zjarrit 10 punonjës të shërbimit pyjor dhe 25 banorë të zonës.
Zjarri është fikur në orët e vona të natës i ndihmuar dhe nga reshje e shiut.
Kurse në rrethin e Vlorës, raportohet se dje ka pasur 2 vatra zjarri në kullota në zonën e Pilurit dhe të Karaburunit, ku zjarret janë fikur nga ndërhyrja e shërbimit pyjor.
Në fund, në rrethin e Shkodrës ka pasur 2 vatra zjarri ku zjarret janë fikur nga ndërhyrje e shërbimit pyjor, zjarrfikëseve dhe forcave të ushtrisë.
Ditën e sotme nuk ka vatra zjarri aktive. Gjatë natës ka pasur dhe reshje shiu, duke krijuar një situatë të qetë, përfundon deklarata e ministrisë së Mjedisit.
n.e/NOA