Meta-Melgar: Shqipëria, hapje të re diplomatike

Guatemalë, 31 Gusht, NOA - Gjatë qëndrimit në Guatemalë, në kuadër të turit në disa vende të Amerikës Qendrore, ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta u prit në një takim zyrtar nga homologu i tij guatemalas, Haroldo Rodas Melgar.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart rendësinë e vizitës së Metës si një moment tepër të rëndësishëm, pasi kjo është dhe vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar në këtë vend dhe rajon.
Meta e njohu homologun guatemalas me zhvillimet në Shqiperi dhe rajon, veçanërisht me proceset integruese të anëtarësimit në NATO dhe hapat drejt integrimit evropian. Meta i shprehu ministrit të Jashtëm të Guatemalës edhe rëndësinë që Shqipëria i kushton edhe zhvillimit të marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet e botës dhe anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe rritjen reciproke të shkëmbimeve dhe njohjes.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Guatemalës e vlerësoi rolin konstruktiv të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe nivelin e ri të hapjes ndaj botës.
Ai theksoi se mes Shqipërisë dhe institucioneve të përbashkëta të vendeve të Amerikës Qendrore mund të vendoset një nivel i ri bashkëpunimi me
interes reciprok.
n.e/NOA