PD-PS, propozime vetëm për Komisionin
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë diskutuar midis tyre vetëm mbi ngritjen e komisionit të ri hetimor
Burime nga PS sqarojnë se janë në pritje të përgjigjes së PD. Modalitetet e hetimit ende s'janë diskutuar
TIRANË - Partia Socialiste është në pritje të kthimit të përgjigjeve nga ana e Partisë Demokratike të propozimeve të bëra prej tyre në lidhje me krizën politike dhe reformën e mundshme zgjedhore.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në propozimet e dërguara nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, janë të renditura detajet mbi mënyrën se si mund të ngrihet Komisioni i ri Hetimor dhe zgjidhja e çështjeve të fletëve të votimit, por nuk janë të përfshira modalitetet për hetimin e zgjedhjeve.
Kjo pikë e diskutimit, mësohet se do të jetë pjesë e negociatave në momentin që palët do të bien dakord për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe për mosdjegien e fletëve të votimit.
Në lidhje me modalitetet që lidhen me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, socialistët kanë ngritur një grup pune, të përbërë kryesisht nga juristë dhe ekspertë për çështjet zgjedhore. Grupi i juristëve ka diskutuar midis tyre mbi mundësitë që ekzistojnë për modalitetet mbi hetimin e zgjedhjeve. Për të gjitha çështjet, për të cilat janë diskutuar dhe miratuar do të bëhen të ditura për palën tjetër në momentin kur të kenë rënë dakord në parim për ngritjen e Komisionit të ri Hetimor pa djegien e fletëve të votimit.
Sa i përket opsioneve të dërguara nga socialistët për fletët, mësohet se pika për të cilën nuk heqin dorë është mosdjegia e fletëve të votimit. PS ka propozuar që materialet të konservohen dhe në momentin që këto fletë votimi do të shërbejnë për hetim të komisionit, të gjendet rruga përmes Komisionit të Venecias për t'i hapur ato.
Për sa i përket çështjes së modaliteteve të hetimit të zgjedhjeve, burime nga PS sqarojnë se Komisioni hetimor do të ketë si detyrë që të verifikojë numrat e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike tek kompania franceze, si dhe numrat e pasaportave të vjetra tek Ministria e Brendshme. Këto të dhëna duhet të krahasohen me procesverbalet e votimit, por edhe me sistemin TIMS të policisë.
Ky sistem, tregon hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë. Një tjetër pikë e nxehtë e negociatave për modalitet pritet të jetë çështja se kush do të kryejë verifikimet. Socialistët nuk kanë besim që verifikimi mund të kryhet në mënyrë korrekte nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe personelit të saj. Ata do të kërkojnë që verifikimi i të dhënave që dalin nga materialet zgjedhore të kryhet nga një grup ekspertësh të autorizuar nga komisioni hetimor.
Pra, baza e kërkesës së PS-së do të jetë vënia në dispozicion të komisionit i gjithë materiali i zgjedhjeve, të dhënat konfidenciale të kompanisë franceze që prodhon kartat dhe pasaportat biometrike, të dhënat e Ministrisë së Brendshme si dhe databaza e sistemit TIMS.
Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi se "një dialog midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ekziston, janë bërë disa propozime dhe sapo të mbyllen pushimet, do t'i dorëzojnë".
"Ne i kemi studiuar propozimet dhe në propozimet e tyre ka absolutisht elementë racionalë, për të cilët ne jemi plotësisht të gatshëm. Për të tjerat, mendoj nëpërmjet mirëkuptimit bilateral, sepse një kompromis arrihet jo mbi baza ultimative, por mbi baza koncesionesh reciproke dhe në qoftë se ekziston vullneti nga PS-ja, Kushtetuta dhe ligjet e vendit i japin zgjidhje të plotë problemit, në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian", deklaroi lideri i mazhorancës.
Vetëm pak kohë më parë ishte sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili bëri të ditur se socialistët kanë bërë propozimet e tyre konkrete dhe janë në pritje të përgjigjes zyrtare mbi këto propozime.
Juristët
Në lidhje me modalitetet që lidhen me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, socialistët kanë ngritur një grup pune, të përbërë kryesisht nga juristë dhe ekspertë të PS për çështjet ligjore dhe zgjedhore. Grupi i juristeve ka diskutuar midis tyre mbi mundësitë që ekzistojnë për modalitetet mbi hetimin e zgjedhjeve.
Modalitetet
Për sa i përket çështjes së modaliteteve të hetimit të zgjedhjeve, burime nga PS sqarojnë se Komisioni hetimor do të ketë si detyrë që të verifikojë numrat e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike tek kompania franceze si dhe numrat e pasaportave të vjetra tek Ministria e Brendshme.
Bogdani
PD: Rama të mos heshtë për akuzat ndaj tij
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, deklaroi dje se i "kujton zotit Rama se ditët po kalojnë dhe ai vazhdon të heshtë dhe të fshihet ndaj akuzave të ndërtuesve mbi 20% që ato janë të detyruar t'i kalojnë Leprit të Ramës për çdo leje ndërtimi".
"Pas akuzës që ndërtuesi Dodë Doçi i ka bërë Ramës se i ka kërkuar 20% të vlerës për një leje ndërtimi, akuzës së ndërtuesit tjetër të njohur Dine Frashëri, për 20% që është detyruar t'i japë Edvin Ramës për lejen e ndërtimit, akuzës së medias dhe deputetes Vokshi me dokumente e prova se 20% e kontratës së vlerës së ndërtimit tek liqeni është detyruar të kalojë në emrin e Leprit të Ramës, unë dhe qytetarët presim përgjigje", kërkoi Bogdani.
Sipas tij, shqiptarët presin shpjegimet e tij. Por, tha ai, "kryetari i Partisë së Leprit, nuk ndihet i gjallë, nuk dihet ku është, nuk dihet ku fshihet".