Zjarrfikësi Rama me metoda sigurimi
Vërtet shumë e hidhur prania e metodave të ish-sigurimit në protestën e djeshme nën regjisurën e drejtpërdrejtë të Edvin Ramës. Shkurt, I Papranueshmi Rama kishte sajuar një grup huliganësh prej 20 vetash që shtynin sa para-prapa për të krijuar iluzionin se turma po humbiste durimin dhe kërkonte të shfrynte dufin ndaj kryeministrisë. Sipas skemës logjike, aty ndërhyri zjarrfikësi Edi Rama që e lëshoi “kërshërinë” drejt policisë, duke i cilësuar si vëllezërit e “mitingashëve”, prandaj të mos e humbasin durimin. Gjithçka i nevojitej që të bënte makijazh figurës së tij në media dhe për ta transferuar me pozivitet jashtë Shqipërisë. Kërkon të përçojë idenë se ai është xhenieri i kombit ose/dhe engjëlli mbrojtës që çminon turmën terroriste, por harron se është po ai që i sajon artificialisht çdo situatë kritike.
Sidoqoftë kjo metodë xheniere ka ditë që qarkullon në eter, pasi gazeta e Koços deklaronte se lidershipi PS, në këtë rast vetë Edi Rama është frenuesi i një energjie popullore antiqeveritare që kërkon të shfryjë dufin ndaj institucioneve të Sali Berishës.
Mirëpo është e qartë se e gjitha kjo është një skemë e studiuar, e përpiluar, e paguar me lekë të biznesmenëve afër lejeve të ndërtimit, një qellim krejtësisht banal, për të bërë të pranueshëm Edi Ramën si njeri që i ka xhan institucionet. Mirëpo lideri i kampit socialist i ka shpatullat e dobëta për të mbajtur peshën e argumenteve “kutiste” që trajton dhe që pretendon të ketë ndodhur një “krim elektoral”.
Një tjetër element i përmbahet taktikës së fundit socialiste, asaj të apelimit të emocioneve bazike negative – urrejtjen - që arriti kulmin dhe mbase efikasitetin e saj me futjen edhe të Elsa Lilës në grevë. Shto këtu dhe një si punë ultimatumi për dhunë të ardhshme nga turmat e grevistëve e protestueseve që kanë divergjencë mendimi me udhëheqjen e PS-së se si duhet arritur “transparenca” .
Edi Rama kërkon të përmbysë rendin demokratik sepse ky është qëllimi idealist dhe mund të realizohet me urrejtje, gjë që Rama kinse po e frenuaka (edhe pse ai është regjisori), gjë që nuk ka lidhje fare. Edi Rama kërkon ta kanalizojë urrejtjen me dy mënyra. Një mënyrë është amplifikim me format grevës (e dështuar si formë) dhe tjetra ta përqendrojë goditjen demonizuese vetëm tek një njeri që është kryeministri Berisha.