E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: E pafalshme, Rama e Berisha të bëjnë lëshime, nuk pret koha

TIRANE-Një prej politikanëve më të vjetër i Partisë Socialiste Servet Pëllumbi bëri thirrje sot që palët të gjejnë një zgjidhje duke bërë dhe lëshime, pasi situate politike aktuale nuk premton asgjë pozitive.
“Tani ka ardhur një moment që duhet të mendohet me pjekuri, me maturi, pasi ka një limit pakënaqësie, mosfunksionimi i demokracisë dhe institucioneve dhe vjen një moment kur populli nuk e zgjidh më politikën, por e zgjidh vetë si turmë, dhe ndaj duhet shmangur kjo, por duhen bërë lëshime. Palët të gjejnë mundësitë të zgjidhin problemet dhe të mos lejojnë agravim të situatës politike në Shqipëri”, u shpreh Pëllumbi pas vizitës që kreu sot ne mesdite ne diten e 16 te greves se urise tek cadrat e grevistëve.

Sipas profesorit socialist, duhet vlerësuar dhe ndihma që po jepet nga ndërkombëtarët “pasi në fund të fundit ëhstë një ndihmë që jepet në emër të interesit të gjithë shqiptarëve”.

Duke theksuar se sot shënohet dita e 16 e grevës, për Pëllumbin kjo situatë pa zgjidhje deri tani është e pafalshme për të gjtiha palët e politikës.
“Unë e vlerësoj krejtësisht të pafalshme sepse është dita e 16-të e grevës dhe forcat politike nuk janë ulur në tryezë, qoftë dhe në një tryezë të thjeshte. Kur demokracia nuk është në gjendje të riparojë, atëherë në vend të shkojë para, por shkon prapa, dmth demokracia është false dhe nuk zbatohet”.

Sipas Pëllumbit cështja ka mbetur peng e mentalitetit dhe moszbatimit të demokracisë. “Cështja ka mbetur peng i mentalitet, pse të lëshoj unë apo ai, duhet të zgjidhet një zgjidhje e mesit, të dyja palët duhet të tërhiqen nga disa kërkesa, Ps e bëri një, ta bëjë dhe PD”.

Në këtë kontekst Pëllumbi vlerësoi se “situate mund të përballohet nga politikanët, të cilët duhet të përfitojnë që të japin kontributin sot që populli ti vlerësojë nesër në histori”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›