E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri djeg pyjet e Mirditës, nuk mund të ndalohet

Situatë e rrezikshme në kurorën përballë qytetit të Rubikut, pasi zjarrfikësit nuk mund të shuajnë flakët


RUBIK- Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyjet artificialë të zonës së Rubikut duke sjellë një dëm të madh si dhe ndotje ekologjike për tërë luginën e Fanit.


Edhe pse u angazhuan forca që me shfaqjen e vatrës, zjarri u shpërnda më shumë sot pas erërave të forta. Vatra e parë u shfaq në pyjet sipër ish-uzinës së bakrit në Rubik,dhe më pastaj edhe në 6 vatra të tjera duke përfshirë gjithë kurorën përballë qytetit të Rubikut,ndërsa vonë në darkë ai është zgjatur në drejtim të Arishtës së fshatit Fang duke bërë shkrumb mbi 10 ha pisha të reja.


Sipas kryetarit të bashkisë Mark Ruci, në bisedën me të rreth orës 21.00, ky është zjarri më i madh që ka rënë ndonjëherë në këtë zonë dhe që ka sjellë dëm shumë të madh si në pasurinë pyjore ashtu dhe në ekosistem të kësaj zone, pyje këto që shërbenin si mushkëritë e qytetit dhe tërë fshatrave rrëzë lumit Fan.


Kryebashkiaku Ruci, tha se forcat tona e kanë patur të pamundur të ndalojnë përhapjen e shpejtë të flakëve të zjarrit për shkak të erërave të forta, ndaj kemi kërkuar ndihmën e ushtrisë.


Gjithashtu kemi angazhuar forca të shumta nga komuniteti si dhe firmat që punojnë në zhavorrishtet e lumit apo ata të autostradës,ndërkohë ai bën me dije se ka njoftuar ministrin e Brendshëm dhe vetë kryeministrin Berisha për ndihmë emergjente pasi zjarri rrezikon të shkrumbojë tërë kurorën me pishnajën e re 30- vjeçare, pasuria e vetme pyjore dhe ekologjike e kësaj zone.


Ky është zjarri i dytë më i madh që bie në pyjet e Mirditës në harkun e 10 ditëve. I pari u shënua në zonën e Oroshit, zjarr i cili përfundoi me bilancin tejet negativ, me 50 ha pyje të shkrumbuara,të dy këto zjarre ranë përgjatë autostradës së re për Kosovë,dhe ky është dhe dëmi më i madh ekologjik për zonën.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›