APP: Tenderët publikë rrezikojnë të mos zhvillohen
Agjencia paralajmëron biznesmenët që përpara se të aplikojnë për një tender të pyesin nëse ka apo jo fonde për të
TIRANË- Bashkitë dhe komunat që duan të zhvillojnë tendere për investime publike me fonde nga buxheti i shtetit, më parë duhet të sigurohen që ato vazhdojnë të jenë në dispozicion të projektit që ato kërkojnë të zhvillojnë.
Pas vendimit të qeverisë për të bllokuar të gjitha investimet publike që nuk ishin prokuruar deri më datë tre gusht 2009, Agjencia e Prokurimeve Publike njofton të gjithë kontraktuesit pa përjashtim që para se të shpallin një tender, të sigurohen nëse fondet e përcaktuara për t'u investuar vazhdojnë të jenë në dispozicion të tyre.
"APP udhëzon të gjitha Autoritetet Kontraktore që do të prokurojnë procedura pas datës 03.08.2009, se para fillimit të procedurave të prokurimit duhet të sigurohen se fondet janë në dispozicion të tyre sipas përcaktimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave.
Pavarësisht publikimeve në Buletinin e Prokurimeve, përgjegjësia për administrimin e fondeve është vetëm e Autoriteteve kontraktore", citohet në publikimin e APP-së.
Ndryshe nga sa ishte sanksionuar në vendimin nr. 707 të Këshillit të Ministrave "Për një përdorim me efektivitet të fondeve publike" , ku ndër të tjera përcaktohej se përjashtim nga moskryerja e prokurimeve publike përbënin edhe ato projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën vendore, të financuara me grante konkurruese ose me të ardhurat e buxhetit të shtetit, bazuar në publikimin e APP-së duket se edhe fondet për këto investime të parashikuara në buxhetin e vitit 2009 nuk janë të sigurta.
Më datë 22 korrik 2009, Qeveria vendosi që të ndalojë kryerjen e prokurimeve publike për të gjitha ato investime që ishin parashikuar në buxhetin e këtij viti për për të cilat deri më datë tre gusht ende nuk ishin shpallur nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Por, sipas këtij vendimi, përjashtim nga kufizimet përbëjnë investimet e miratuara për bashkëfinancime, për kosto vendore, TVSH, shpronësime për interesa publike dhe për infrastrukturën vendore, të financuara me grante konkurruese ose me të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Siç theksohej, të vetmet institucione që do të mund të zhvillonin tenderimet për investimet e parashikuara ishin ato të pushtetit lokal dhe investimet që mbuloheshin nga grantet apo programe të ndihmës ndërkombëtare.
Me ndërprerjen e prokurimeve publike iu mbyll rruga e investimit edhe të rreth 214 milionë eurove, të cilat sipas ligjit të buxhetit të këtij viti, ishin parashikuar që të kryheshin nga fillimi i gushtit deri në fund të vitit. "Zhbllokimi i fondeve, për investime, për të cilat do të shpallen procedurat e prokurimit pas datës 3.8.2009, lejohet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave", - theksohej në vendim.
Sipas shpjegimit të qeverisë, vendimi për ndalimin e investimeve pas datës tre gusht nuk bëhej për shkak të mungesës së parave në buxhetin e shtetit por me qellim rritjen e efektshmërisë për kontratat që ishin duke u realizuar dhe se synimi ishte që forca e punës të përqendrohej në projektet e nisura deri më tre gusht.
E. Senja