E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri i permasave te medha ne Vlore vijon te jete aktiv edhe sot

Zjarri i përmasave të mëdha në fshatin Delisuf të Vlorës vijon të jetë aktiv edhe ditën e enjte.

Deri tani, janë djegur më shumë se 200 ha pyll dhe zjarri masiv vazhdon të përparojë në zonën e pyllit të Poros.

Zjarrfikësit të cilët pohojnë pamundësinë ë ndërhyrjes së tyre, sqarojnë se ndërhyrja nga ajri do ishte shpëtimi i vetëm, pasi situata ka dalë jashtë kontrollit.

Në vendngjarje ndodhet edhe prefekti i Vlorës, i cili ka bërë apel për ndihmë.

Përhapja e shpejtë e flakëve po favorizohet nga era dhe vatrat e zjarrit po i afrohen shtëpive të banuara duke rrezikuar seriozisht banesat.

Këtë e bëri me dije në një lidhje telefonike për “ABC Neës” edhe shefi i zjarrfikësve në Vlorë, Ernest Pashaj, i cili tha se flakët e zjarrit kanë marrë përmasa gjigante duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit.

Sipas Pashajt, zjarri në fshatin Delisuf vazhdon që prej orës 9 të mëngjesit të së mërkurës dhe punonjësit zjarrfikës po punojnë për lokalizmin e tij, por është e pamundur të menaxhohet situata për shkak të terrenit të vështirë.

Ndërkohë që vijon zjarri edhe në Malin e Dejës i cili ndodhet mes Matit dhe Dibrës.

Deri tani konfirmohen si të djegura 7-8 ha pyje me pisha dhe 1 ha pyll është shkrumbuar tërësisht në zonën e Matit.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të zjarrfikësve, por për shkak të terrenit të vështirë malor, është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve për lokalizimin e zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›