Zjarri në Evros/ Flakët shkrumbuan mbi 82.600 hektarë deri ditën e hënë

Zjarret në Evros, në verilindje të Greqisë, kanë djegur deri tani mbi 80,000 hektarë tokë e pyje.
Këtë e tregojnë të dhënat e siguruara nga fotografimi nga lart i zonës nga sateliti Sentinel-2 në bashkëpunim me Shërbimin grek për Zjarret në Pyje.
Vatrat e zjarrit llogaritet se kanë shkrumbuar një sipërfaqe mbi 800 km katrorë, duke e bërë atë vatrën më të madhe të regjistruar në Bashkimin Europian që nga viti 2000.
Ndërsa nisi nga qyteti i Aleksandrupolit, flakët u përhapën shpejt drejt zonës së Evrosit, duke vrarë edhe të paktën 20 persona gjatë javës së kaluar.
“Zjarri tani po vjen drejt zbutjes. Shërbimi zjarrfikës po monitoron dhe ndërhyn ku ka rrezik, që për momentin është përqendruar te pylli i Dadias,” i tha gazetës “Kathimerini” kryebashkiaku i Aleksandrupolit, Ioannis Zaboukis.
Këtë verë, Greqia e ka aktivizuar dy herë mekanizmin mbrojtës të Bashkimit Europian për emergjencat dhe ka pritur forca zjarrfikëse nga gjithë kontinenti, përfshirë Shqipërinë.
“Zjarri u shkaktua nga një vetëtimë, e cila goditi një shtyllë të Korporatës Energjetike Publike rreth orës 04:30 të së shtunës, më 19 gusht,” tha Dimitris Kalaitzidis, drejtori i një shkolle i cili ndodhej në fshatin Nipsa. /Kathimerini
/rtsh.al/