Zjarri përfshin Kaninën, rrezikohen shtëpitë
Vlorë-Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë zonën pranë fshatit Kaninë, duke iu afruar banesave dhe duke shkaktuar panik tek banorët.
Sipas burimeve nga banorët, zjarri ka rënë në zonën e njohur me emrin Vrisht, një zonë kodrinore e mbjellë kryesisht me ullinj, por edhe e banuar. Të alarmuar banorët e fshatit kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësen, por ka dy orë që flakët vazhdojnë të përparojnë, madje duken edhe nga qyteti i Vlorës.
“Era e ngrohtë që po fryn ka ndihmuar në përhapjen e flakëve duke e zgjeruar sipërfaqen e përfshirë nga zjarri”- thonë burimet nga vendi i ngjarjes, duke shtuar se deri më tani janë shkrumbuar 8 hektarë me ullishte.
Problem sipas banorëve janë shtëpitë, fare pranë vatrës së zjarrit, të cilat janë në rrezik. Ndërkohë që ndërhyrja për të shuar zjarrin është shumë e vështirë për hskak të zonës, që është kodrinore dhe me rrugë shumë të ngushta,m e pamundur për të hyrjë mjetet e zjarrfikëseve. Për këtë në ndihmë janë vënë banorët e zonës me mjete rrethanore, që po ‘luftojnë’ me flakët.
Policia ende nuk jep asnjë të dhënë për shkaun e zjarrit, ndërkohë që banorët pranojnë se ai mund të jetë i qëllimshëm. Kjo për faktin, se në këtë vend ka shumë probleme me pronësinë e ullishteve dhe zona është e treta herë që digjet.
“Ende nuk mund të themi asgjë rreth shkakut, për këtë do të presim të dhënat e ekspertëve”- thanë burimet policore.