E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katastrofa në Kongo, BE diskuton mbi misionin humanitar

Përballë katastrofës së refugjatëve në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, diplomatë të lartë nga vendet e BE-së do të zhvillojnë konsultime mbi dërgimin e mundshëm atje të një trupe në mbështetje të ndihmës humanitare.

Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, foli për dërgimin deri të 1.500 ushtarëve në vendin afrikan.

Një mision ushtarak Kouchner e përjashtoi duke theksuar se bëhet fjalë për ndihmë humanitare dhe teknike. Shumë vende të BE-së reaguan me skepticizëm ndaj këtij propozimi.

Mbështetje erdhi nga Belgjika. Ministri belg i punëve të jashtme Karel de Gucht tha:"Jemi duke u menduar nëse është i mundur një operacion evropian."

Edhe Këshilli i Sigurimit të Unionit Afrikan po merret aktualisht me krizën në Kongo.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, situata e njerëzve në Lindje të Kongos, që largohen nga frika e rebelëve, është katastrofale.

Udhëheqësi i rebelëve Laurent Nkunda ka ofruar ndërkaq ngritjen e një "korridori humanitar", për të mundësuar mbërritjen e ndihmës tek refugjatët. /DW/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›