Fier, 3 në pranga për abuzimet në KESH
Fier- Dy inxhinierë të KESH-it në Fier dhe një elektricist janë arrestuar sot nga policia, pas një vendimi të gjykatës, akuzuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim. Lajmi bëhet i ditur nga policia lokale, e cila sqaron se ndalimi i tyre është bërë nga sektori kundër krimit financiar në Fier.
Sipas burimeve janë prangosur shtetasit, Gertan Dilero, 33-vjeç, banues në Fier, me profesion inxhinier elektrik në Kesh; Roland Saliu, 35-vjeç, banues në Vlorë, me profesion inxhinier elektrik, ish-punonjës i Kesh dhe Pajtim Halili, 35-vjeç, banues në Fier, me profesion elektricist, punonjës i Kesh.
Policia ka bërë arrestimin e tyre, duke ekzekutuar vendimin e gjykatës, e cila ka caktuar arrest në burg për këta shtetas- thanë burimet, duke shtuar se dy të parët akuzohen për vjedhje me shpërdorim detyre në bashkëpunim, ndërkohë që elektricisti, akuzohe për veprën penale të shpërorimit të detyrës.
Për këta tre shtetas, sipas të njëjtit burim, prokuroria e rrethit të Fieri ka filluar procedimin penal në bazë të shkeljeve të konstatuara nga grupi i kontrollit të Ministrisë së linjës, për realizimin e investimeve që ka bërë KESH-i i Fierit, në zonën energjitike në Fier për instalimin e aparateve të reja të matësve elektrike.
Gjatë këtij kontrolli janë konstatuar shkelje të shumta, për të cilat tashmë do të përgjigjen personat e arrestuar.