E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Unë autor i e-maileve për Gërdecin sepse kishte vakum ligjor

Tiranë- Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ka pranuar sot se ka nisur emaile në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes për Gërdecin, në kohën kur ai ishte në zyrën e antikorrupsionit në Kryeministri. Gjatë një komunikimi me mediat, Alibeaj ka sqaruar se korrespondenca e shkëmbyer mes internetit ka qenë në kuadër të këshillimeve, pasi legjistlacioni ka pasur vakume dhe duhej të plotësohej.

“Kam nisur emaile në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes pasi kam dhënë asistencë juridike për ligjin që po bëhej për Gërdecin. Nuk kam gabuar, pse kam nisur emailet, pasi nuk kam bërë asnjë veprim antiligjor. Këshillimet kanë qenë puna jonë”- ka thënë ai, duke deklatuar prerë se nuk beson të ketë gabuar.

“Modestisht mund të pranoj se jam jurist që s’pranon të ketë gabuar sidomos në këtë rast. Puna është bërë në mënyrë serioze dhe sot do të jepja një këshillë”- ka thënë më tej ai.

Kreu i Drejtësisë, është shprehur i gatshëm të japë sqarime që mund të jenë të nevojshme në prokurori, lidhur me këtë çështje. Interesimit të gazetarëve, nëse është i hapur për të qenë pjesë e sqarimeve në Prokurori për tragjedinë e ndodhur, Alibeaj i është përgjigjur pa hezitim: Po.

“Nuk duhet të diskutohen të tilla pyetje. Çdokush në këtë shtet që është nën mbretërinë e ligjit, duhet të ofrohet për të dhënë sqarime ndaj çdo procedure hetimore që mund të bëhet. Kjo do të rrisë marrëdhënien e besimit që prokuroria duhet të gëzojë ndaj publikut”- ka shtuar ai, duke folur edhe për marrëdhënien me kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama. Marrëdhënie që ai i ka quajtur normale dhe korrekte si me të gjitha institucionet. 

Dy ditë më parë, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit sekuestroi letër-këmbimet e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këshilltarin e Mediut, Plarent Ruka. Këtë fat pësuan të gjitha shkresat dhe korrespodencat e mbajtura mes këtyre dy institucioneve nga dhjetori 2006 deri në fillim të marsit 2007.

Gjithashtu, u thirr dhe u mor në pyetje ish-këshilltari i FatmirMediut, shtetasi Plarent Ruko, të cilit gjatë kohës që po merrej në pyetje i është komunikuar urdhri për sekuestrimin e letërkëmbimit me Alibeajn. Ish-këshilltari Ruko ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me takimet e bëra mes tij dhe ish-drejtuesit të auditit në kryeministri, Alibeaj.

“Takimet janë zhvilluar brenda në kryeministri, në ministri të Drejtësisë dhe në lokalet e qendrës së kryeqytetit, ndërsa sa i përket letër-këmbimeve, ato kanë filluar nga dhjetori i vitit 2006 dhe janë shpeshtuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007”,-thuhet nga prokuroria.

Sipas akuzës, këto e-maile të cilat tashmë janë sekuestruar dhe administruar në dosjen voluminoze të çështjes së Gërdecit, ku rezulton se Alibeaj me detyrën e drejtuesit të auditit të kryeministrisë, ofronte asistencë juridike dhe zgjidhje të problemit se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Këto biseda, mësohet se janë kryer në kohën kur kompania amerikane “Southern Ammunition Company” (SAC) kishte hyrë në negociata dhe kërkonte kryerjen e demontimit të municioneve të lehta, ku Ministria e Mbrojtjes ishte gati t’i ofronte këtë punë me prokurim të drejtpërdrejtë.

Mungesa e bazës ligjore për të kryer këtë punë të kërkuar nga SAC-i, bëri që Ministria e Mbrojtjes të kërkojë asistencë apo ndihmë juridike nga drejtuesi i auditit në kryeministri, Enkelejd Alibeaj. Sipas prokurorisë, në letër-këmbimet mes tyre bëhet fjalë për mënyrën se si Ministria e Mbrojtjes si pjesë e qeverisë shqiptare, duhej të lejonte nisjen e aktivitetit të SAC-it për demontim, që më pas do të niste bashkëpunimin me kompaninë shqiptare “Albademil” e drejtuar nga Mihal Delijorgji, biznesmeni tashmë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit.

Sipas referimit të Alibeajt, dërguar ish-këshilltarit juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, Ruko, që më pas rezultoi në pikën tre të Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 138 të datës 14 mars 2007, ku autorizohej Ministria e Mbrojtjes që “të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, që realisht nga ish-ministri Mediu nuk u nxorën udhëzimet e hollësishme dhe të detajuara në lidhje me llojin e municioneve që duhej të çmontoheshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›