Zjarri rrezikon Kuzum Babasin
VLORE - Tre vatra zjarri rrezikuan dje në Vlorë lokalin dhe teqenë e Kuzum Babas, një banesë në lagjen “Kushtrimi”, si dhe disa hektarë pisha në pyllin e sodës. Zjarri i parë ra rreth orës 10.00 pranë zonës së Kuzum Babas. Flakët u shpërndanë në një sipërfaqe të madhe duke rrezikuar disa banesa, që ndodheshin në këtë zonë por dhe lokalin e kësaj kodre. Zjarrfikëset lokalizuan flakët disa orë më pas, por pa mundur të shpëtojnë 2 hektarë shkurre dhe drurë të tjerë. Po dje, një sipërfaqe prej 1 hektar pishë u dogj në pyllin e sodës. Ndërsa në orët e mesditës u dogj një banesë në lagjen “Kushtrimi”. Banesa nuk është mundur të shpëtohet nga zjarrfikëset pasi u dogj në një kohë rekord. Mësohet se në këtë banesë prej vitesh nuk jetonte njeri. Policia bëri të ditur se, shkak i flakëve dyshohet të ketë qenë ndonjë qark elektrik. q.b