E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zmbrapset Duka, shtyhet vendimi

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së është më pranë opsionit me 16 skuadra. Krijohet një grup i posaçëm për të negociuar me klubet e rrëzuara nga Superliga

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, pas dy orë debatesh në mbledhjen e djeshme, nuk doli në asnjë përfundim konkret pas diskutimit në parim të një prej çështjeve më të nxehta të këtyre ditëve, atë strukturës përfundimtare të Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2009-2010, duke e shtyrë debatin e vendimin në një mbledhje tjetër, me argumentin se më parë duhet të merret edhe mendimi i skuadrave të Kategorisë së Parë. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ngriti një grup punë të kryesuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Skënder Hyka e sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, për të negociuar me klubet dhe për t’u kërkuar atyre argumentet e rastit se përse duhet të ndryshojë formula e paravendosur e kampionatit. Me shtyrjen e vendimit (ndoshta pas datës së zgjedhjeve, 28 qershor), duket se në distancë ka fituar opsioni me 16 skuadra, duke “arritur një fitore kundër Dukës”, kundërshtar i këtij projekti. Siç dihet, ne përfundim të edicionit të kaluar futbollistik katër skuadra nga Kategoria Superiore, Partizani e Bylisi përmes ndeshjeve play-of respektivisht me Kastriotin e Gramozin, si dhe Elbasani e Lushnja (të rrëzuar direkt, ranë ën Kategorinë e Parë, duke iu bashkuar 12 skuadrave të tjera të kësaj kategorie. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka deklaruar hapur në dy intervista të gjata për dy televizione të ndryshme se ai personalisht ishte kundër ndryshimit të numrit të skuadrave të Kategorisë Superiore, nga 12 në 16, ndërkohë që në kundërshtim me idetë e Dukës, janë shprehur kundër disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Për herë të fundit një kampionat me 16 skuadra në Superligë është luajtur në sezonin 1998-1999 (kampion doli Tirana), por më pas sezoni i ardhshëm u reduktua në 14 skuadra.

REKORDI
20 SEZONE, NËNTË FORMATE

Gjatë njëzet sezoneve të fundit, nga ai 1990-1991, skema e kampionatit ka ndryshuar nëntë herë:, tre sezone me 12 skuadra (tre faza, 33 ndeshje në sezon); tre herë me 10 skuadra (katër faza, 36 ndeshje në sezon); tre sezone me 14 skuadra (dy faza, 26 ndeshje në sezon), por me të veçantën e sezonit 1990-1991 (14 skuadra, tre faza, 39 ndeshje, por vendet 1-7 luanin për titull dhe vendet 8-14 për të mos rënë nga kategoria); katër sezone me 16 skuadra dhe katër sezone me 18 skuadra (dy faza, 34 ndeshje në sezon).

FORMATI NË 20 KAMPIONATET E FUNDIT

Sezoni 2008-2009 12 skuadra (3 faza)
Sezoni 2007-2008 12 skuadra (3 faza)
Sezoni 2006-2007 12 skuadra (3 faza)
Sezoni 2005-2006 10 skuadra (4 faza)
Sezoni 2004-2005 10 skuadra (4 faza)
Sezoni 2003-2004 10 skuadra (4 faza)
Sezoni 2002-2003 14 skuadra (2 faza)
Sezoni 2001-2002 14 skuadra (2 faza)
Sezoni 2000-2001 14 skuadra (2 faza)
Sezoni 1999-2000 14 skuadra (2 faza)

Sezoni 1998-1999 16 skuadra (2 faza)
Sezoni 1997-1998 18 skuadra (2 faza)
Sezoni 1997-1998 18 skuadra (2 faza)
Sezoni 1996-1997 18 skuadra (2 faza)
Sezoni 1995-1996 18 skuadra (2 faza)
Sezoni 1994-1995 16 skuadra (2 faza)
Sezoni 1993-1994 14 skuadra (2 faza)
Sezoni 1992-1993 16 skuadra (2 faza)
Sezoni 1991-1992 16 skuadra (2 faza)
Sezoni 1990-1991 14 skuadra (3 faza)

SKUADRAT
Partizani e Bylisi përmes play-ofit dhe Elbasani e Lushnja (direkt) janë katër skuadrat e rrëzuara nga Kategoria Superiore pas përfundimit të Kampionatit të 70-të Kombëtar.

GRUPI I PUNËS
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ngriti një grup punë të kryesuar nga Skënder Hyka e sekretari i përgjithshëm, Eduard Prodani për të negociuar me klubet.

UEFA-FIFA
Federata Shqiptare edhe pse nuk është e detyruar të kërkojë zyrtarisht vendimin prej organizmave më të lartë botërorë, FIFA, e europianë, UEFA, do t’i informojë ato në lidhje me zhvillimet.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›