Zogaj: Standardet zgjedhore u cenuan, është koha për një hetim të plotë të manipulimeve Nga Bledar LumaniNjë nga themeluesit e Partisë Demokratike, publicisti i njohur Preç Zogaj, komenton zgjedhjet e qershorit, rezultatin që mori nën siglën e Partis
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zogaj: Standardet zgjedhore u cenuan, është koha për një hetim të plotë të manipulimeve Nga Bledar LumaniNjë nga themeluesit e Partisë Demokratike, publicisti i njohur Preç Zogaj, komenton zgjedhjet e qershorit, rezultatin që mori nën siglën e Partisë për Ligj dhe Drejtësi, mënjanimin që iu bë nga kryetari i PD, Sali Berisha. Sipas tij, standardet zgjedhore në këto zgjedhje janë cenuar, ndaj është momenti i duhur për të bërë për herë të parë një hetim të plotë për manipulimet zgjedhore. Zogaj flet dhe për marrëveshjen e re të qeverisjes mes PD e LSI. “A e keni vënë re sa pak frymëzim dhe sa shumë kalkulime ka në aulat e politikës dhe qeverisjes kësaj radhe? Është vetëm fillimi i efekteve të 28 qershorit”, - thotë ai. Sipas publicistit të njohur, ndrydhja e demokracisë në PD do ketë pasoja shumë të rënda më vonë. “Zgjedhjet e qershorit më kapën në befasi, - thotë Zogaj, - por unë do e vazhdoj betejën time.”
Zoti Zogaj, si do e komentoni rezultatin e Partisë Ligj dhe Drejtësi dhe rezultatin tuaj gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit?
PLD iu rezervua i njëjti fat që patën pothuajse të gjitha partitë e treta apo të vogla në këto zgjedhje, qoftë ato me struktura, qoftë ato pa struktura, qoftë ato me shtatëmbëdhjetë vjet jetë, qoftë ato me shtatëmbëdhjetë ditë jetë. Sistemi zgjedhor në një anë dhe dhunimi i standardeve në anën tjetër nuk lanë vend për rritje apo për sukses jashtë binomit PD-PS. Në këtë kontekst, për fat të keq, mbetet gjithnjë e vështirë të vlerësosh me drejtësi rezultatet apo të flasësh me dorë në zemër për vendime të gabuara, për dështim e kështu me radhë. E gjithë kjo, sigurisht, nuk mund të shërbejë për t’u fshehur prapa gishtit. Rezultati duhet parë drejt në sy, me realizëm, me gjakftohtësi.
Sipas jush, është faji i sistemit zgjedhor apo i deformimit dhe shkeljes së standardeve?
Ky sistem e thjeshton vetvetiu skenën politike dhe, si të mos mjaftonte sistemi, dy partitë kryesore i mëshuan edhe më fort kësaj tendence me mjete dhe forma të paligjshme, që janë evidentuar në raportet paraprake të ODIHR. Ju e patë: gara elektorale u projektua që në krye si një duel PD-PS dhe u rrokullis pastaj si e tillë ditë pas dite, si një ortek, duke pushtuar mediet, hapësirën publike, gjithçka, dhe duke ngushtuar ndërkohë deri në zhdukje hapësirën për alternativat e tjera.
Nuk na folët për rezultatin tuaj, a prisnit me shumë? A jeni i zhgënjyer?
Rasti im është i veçantë. Unë isha deputet i PD dhe bëra fushatë komplementare me Partinë Demokratike, pavarësisht se isha regjistruar me siglat e një partie të re që nuk kishte mbërritur ende në Lezhë. Ky ishte një eksperiment, i ndërmarrë në rrethana të papërsëritshme, por jo pa lidhje me karrierën time politike. Në vitin 1997 kam marrë në një zonë elektorale të Lezhë-Rubikut 24,7 për qind të votave në garë me kandidatët e PD, PS dhe shumë partive të tjera. Në vitin 2001 kam marrë si i pavarur në Qytetin Studenti” 12 për qind të votave, në betejë me kandidatin e PS. Ndërsa këtë vit m’u desh të çoja përpara një fushatë pozitiviste, me propozime, një fushatë pa luftë nga ana ime, por i luftuar në çdo hap nga Partia Demokratike. Në fillim u çudita me votat që m’u raportuan nga vendi i numërimit, por të nesërmen dhe më vonë, duke parë se çfarë qenë dhe si kaluan këto zgjedhje, kam menduar shpesh për ata qindra-mijëra njerëz apo qindra-mijëra ndërgjegje që kaluan përmes furtunës së shpenzimeve, spoteve, reklamave, banderolave, tabelave, posterave, flamujve, emblemave, fletëpalosjeve, emisioneve, shiritave, makinave, megafonave, gazetave, këngëve, marshimeve, thirrjeve, premtimeve, telefonatave, kërcënimeve e presioneve nga më të ndryshmet dhe votuan për siglën debutuese, ku isha regjistruar. Kjo votë, që erdhi në një rrugë kaq të vështirë, mbetet ndër më të vyerat që më është dhënë gjithë këto vite.
Vetëm në momentet e fundit ju deklaruat se do kandidonit për Partinë Ligj dhe Drejtësi. A mund të na shpjegoni përplasjen tuaj me PD? Pse nuk pranuat të ishit në listat e PD? Çfarë ndodhi me hartimin e tyre?
Nuk kam pasur përplasje me PD. Diskutimet, opinionet apo kundërshtimet e mia për ndonjë ligj, qëndrim, ngjarje apo situatë ia kam paraqitur me gojë dhe me shkrim kryeministrit Berisha. Në raste të caktuara jam shprehur në mbledhjen e grupit parlamentar apo edhe në shtyp, kur këtë e kërkonte dinjiteti dhe integriteti im. Në të gjitha rastet i jam përmbajtur etikës dhe disiplinës politike. Berisha nuk ka pasur asnjë argument, asnjë fakt ku do të mund të mbështetej për të përligjur vendosjen time të shtatin në qarkun e Shkodrës. Familja dhe të afërmit e mi janë çuditur shumë se si ai e bëri këtë, pa më dhënë asnjë shpjegim. Pavarësisht se nuk isha një njeri i rrethit të tij të ngushtë, unë kisha një bashkëpunim të afërt dhe luajal me të dhe mendoja se ushqente për mua një mendim më të lartë se sa ai që shprehu kur bëri listën. Vlerësimi i tij nuk përkonte me atë që unë mendoj se i kam dhënë demokracisë, PD, zonës elektorale, krahinës, vendit apo edhe vetë Berishës. Mënyra si u bë lista, përveçse në shkelje të statutit të PDSH, binte ndesh edhe me standardet e mia të respektit për veten dhe për të tjerët. Kjo është e gjitha.
Zoti Zogaj, ndryshe nga avokat Spartak Ngjela, që ka pasur përplasje të hershme gjatë mandatit të kaluar me kryeministrin Berisha dhe me mazhorancën, ju nuk keni reaguar. A keni pasur ju kundërshtime ndaj qeverisjes Berisha edhe përpara se të lindte përplasja për listat e kandidatëve?
Kam ngritur probleme, kam përcjellë situata, kam kërkuar zgjidhje, kam kundërshtuar disa projektligje, por, siç e thashë, të gjitha këto brenda normave të sjelljes dhe bashkëjetesës në familjen politike. Si kryetar i grupit të punës i deputetëve të Lezhës më është dashur të përballem me vjedhjet flagrante e të dokumentuara në filialin e KESH. Hajdutët, që doli se kishin njerëzit e tyre në qeveri, më kanë hedhur dorashkën, por unë kam vazhduar betejën, sepse nuk e kam zakon të tërhiqem përballë së keqes, edhe po ta di se i humb të gjitha. Berisha e di këtë. Hajdutët e Lezhës bashkë me miqtë e tyre në kupolën e PD akoma fërkojnë duart që arritën të shtynin Berishën të “ma fuste”, të “ma hidhte”, siç shprehen ata. Sigurisht, nuk jam aq naiv sa t’ua lë atyre gjithë këtë meritë. Berisha, mund të ketë pasur nevojë për ca ankesa “nga populli”, por në fakt e ka menduar vetë spostimin tim. Unë dhe ai kemi disa gjëra të përbashkëta, por kemi edhe të veçantat tona që na dallojnë si kultura, si stile, si formime. Gjatë viteve në opozitë kemi punuar si të ngjashëm dhe të ndryshëm njëkohësisht. Por në pushtet, Berisha tregoi sërish se ka vështirësi organike të bashkëpunojë apo të integrojë të ndryshmen, më përjashtim të rasteve kur kjo i diktohet nga logjika e koalicioneve. Ja, pra, me kalimin e ditëve, me gjithë dëshirën e tij të mirë, unë isha një prej atyre që po dilja tepër në skemat e tij të pushtetit, ku kishte dhe ka vend para së gjithash për servilë, zëdhënës dhe konformistë. Lista erdhi në këtë logjikë. Spostimi im besoj nuk u bë nga ndonjë inat apo hatërmbetje e heshtur e Berishës. Mund të them se u bë edhe me keqardhje dhe kjo, thellë-thellë, është keqardhja e Berishës për veten e tij që nuk mund të kontrollojë skemën e pushtetit që ka krijuar dhe nuk mund të respektojë principet e ribashkimit me një bashkëthemelues të PD, i cili e ka ndihmuar në ditë shumë të vështira. Por koha na prin, thoshin grekët e vjetër. Ajo do na lërë takime të reja politike me doktor Berishën.
Zërat kritikë brenda PD, si ju, Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj dhe me parë Ngjela, janë mënjanuar duke u lënë jashtë. A mendoni se nuk mund të ketë zëra kritikë, sa të jetë Berisha në krye dhe a mund ta dëmtojë kjo gjë Partinë Demokratike?
Një pyetje si kjo sot tingëllon e pavend. Ne kemi parë se sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit disa opinionistë dhe shumë militantë kanë nisur ta tregojnë Berishën si shembull të suksesit pa demokraci partiake, pa respektuar statutin e partisë. Në bindjen time ky është kurthi i madh ku po bie lidershipi i PD, përfshirë ata që presin të zëvendësojnë Berishën, madje edhe një pjesë e lidershipit të partive të tjera. “Të sillemi si të pagabueshëm, të dekurajojmë kritikën duke u treguar vendin kritikëve - ky është modeli fitues”! Por ajo që ka ndodhur në vitet 1992-1996 nuk mund të harrohet. Ndrydhja e demokracisë në Partinë Demokratike pati pasoja shumë të rënda në qeverisje dhe në mbarë vendin. Ata që mendojnë se mund të përsërisin shkaqet, pa përsëritur pasojat, e kanë shumë gabim. Pasojat vijnë vetë, si nga një ligjësi e hekurt. Demokracia nuk e njeh dyfytyrësinë.
Zoti Zogaj, e dëgjojmë shpesh të na thuhet se këto zgjedhje ishin një hap përpara, por nuk plotësuan standardet. Ju si e përktheni këtë frazë që na përsëritet rregullisht nga ndërkombëtarët? ǒpasojë ka kjo për vendin?
Përkthimi është i qartë: Shqipëria nuk zhvillon zgjedhje të standardeve perëndimore. Politikanët e saj vënë rezultatin para standardeve. Pushteti për ta ka kuptimin e shpëtimit. Nga ky raport kaq i deformuar me pushtetin e pësojnë zgjedhjet, për rrjedhim e pëson zhvillimi, integrimi i vendit. Frazat e tipit “zgjedhjet shënuan një hap tjetër përpara” apo “ishin më të mira se zgjedhjet e kaluara”, kanë për qëllim të mbajnë në fre pasionet dhe kacafytjet e tepruara politike mes opozitës dhe mazhorancës, por nuk kanë vlerë për ta lëshuar vendin me vrull përpara. Zgjedhjet problematike apo ca me shumë zgjedhjet që e lënë pezull çështjen e legjitimitetit të pushtetit, lënë gjurmë pikësëpari në mendjen dhe në ndërgjegjen e fituesve, pastaj edhe të qytetarëve dhe kjo duket qartë në rënien e frymëzimit të përgjithshëm, në zvetënimin e ëndrrave dhe synimeve, në daljen në pah të kalkulimeve të vogla dhe të vockla që bëhen mishi dhe gjaku i periudhës. A e keni vënë re sa pak frymëzim dhe sa shumë kalkulime ka në aulat e politikës dhe qeverisjes kësaj radhe? Është vetëm fillimi i efekteve të 28 qershorit.
Pas shpalljes së aleancës PD-LSI u tha se tanimë duket se vota nuk do ketë më kuptim, për shkak se mjaftojnë aleanca të tilla për të zhvlerësuar vendimin e qytetarëve. A bashkoheni me këtë qëndrim?
Këto zgjedhje nuk prodhuan fitues. Bashkimi i panatyrshëm i Berishës me Metën u përligj me nevojën për të krijuar një shumicë qeverisëse. Ishte zgjidhja më e thjeshtë, por jo e vetmja. Meta mori nga Berisha tri-katër herë më shumë pushtet se sa i dhanë zgjedhësit. Berisha mori nga Meta votat e zgjedhësve anti-Berishë. Unë e pranoj nevojën për të qeverisur, por aleancat që bëjnë politikanët në tryezë nuk mund të shmangen kaq shumë nga verdikti i popullit. Ka disa bindje dhe pozicione që nuk mund të kapërcehen. Përndryshe politika shndërrohet në spekulim dhe pazar për çdo gjë.
A mendoni se do jetë e qëndrueshme një aleancë e tillë?
Ligjësitë e politikës me thonë jo. Por përvoja jonë ka treguar se shqiptari edhe i mund ligjësitë, paçka se pastaj përplaset pas murit.
Partia Socialiste është përfshirë në debate të mëdha brenda vetes. A mendoni se kjo do bëjë që vendi të mos ketë një opozitë të fortë?
Forca e opozitës qëndron para së gjithash te kauza që mbron dhe të qytetarët që e mbështesin atë. Kush i ka këto, ka edhe forcën. Në këtë kuptim nuk shoh se PS është apo do të jetë një opozitë e dobët. Në qendër të debateve që po zhvillohen atje janë zgjedhjet e 28 qershorit, vlerësimet e ndryshme për natyrën dhe përmasat e parregullsive, qëndrimet që duhen mbajtur ndaj tyre. Duket qartë se fatin e këtij debati nuk do ta përcaktojë retorika dhe demagogjia, por materiali zgjedhor në dispozicion. Përveç materialeve që ka mbledhur e publikuar vetë PS, kemi edhe dy raporte paraprake të vëzhguesve të autorizuar ndërkombëtarë.
Si i keni vlerësuar ju këto raporte dhe a mund ta përligjin ato qëndrimin që po mban Partia Socialiste, Partia Demokristiane, LZHK, zoti Ngjela...?
Këto janë raporte të vëzhguesve të autorizuar që nuk lënë hapësirë për subjektivizëm partiak apo militantist. Ato e kanë brenda vlerësimin. Për një varg çështjesh dhe sidomos për procesin e numërimit, që përbën edhe momentin e finalizimit të procesit zgjedhor, këto raporte janë mjaft kritike. Kush do, të reagojë për to, kush do, të reagojë për cenimin e zgjedhjeve të lira, pa të cilat as ia vlen të jetohet, siç thotë Isaiah Berlin. Partia Demokratike është partia që duket se ka përfituar nga parregullsitë e publikuara prej ODIHR dhe prandaj nuk ka interes të hapet kjo temë. LSI, që mëton të jetë viktima ekselente e manipulimit të zgjedhjeve, ka hyrë në qeveri duke u kompensuar me pushtetin e demokratëve. Një numër mediesh dhe analistësh predikojnë heshtjen, arkivimin e çështjes, arratisjen në tema të tjera. Shoqëria civile e ka zakon ta marrë fjalën, kur kositen livadhet. Për fat, demokracia i prodhon vetë mjetet e vetëmbrojtjes dhe në këtë rast kemi opozitën, PS, partitë e tjera që nuk janë përfshirë në qeverisje. Opozita nuk do të ishte opozitë po të bënte sikur s’di të dëgjojë apo s’di të lexojë raportet e ODIHR. Nga përvoja ime e gjatë si opozitar, shpeshherë përkrah zotit Berisha, më ka rezultuar se zgjedhjet mbeten kauza themelore e opozitës shqiptare, e majtë apo e djathtë qoftë.
Por në disa media dhe nga vetë oponentët e Ramës në PS deklarohet se standardet zgjedhore janë alibia e Ramës për të mos u larguar nga drejtimi i partisë socialiste. A jeni dakord?
Nuk është e mundur që një njeri, e sidomos një njeri në opozitë, të shtrembërojë të vërtetën e një procesi kaq të gjerë e kaq të monitoruar, siç janë zgjedhjet, për të mbetur vetë në krye të partisë. Në mënyrë të përmbledhur unë mund të them një gjë, që e kam shprehur edhe më parë në gazetën “Shekulli”: Meqenëse duhet të ikte, Rama ishte dhe është në të drejtën e tij të shenjtë të njihet me të vërtetën e kutive që ka kërkuar të hapen në bazë të ligjit. Në shenjë fisnikërie apo kalorësie, kundërshtarët e tij politikë fare mirë mund t’i bënin jehonë kësaj të drejte dhe të ndihmonin në realizimin e saj. Ekziston një lloj solidariteti mes politikanësh e shtetarësh, jo vetëm kur ata janë kundërshtarë politikë në vendin e tyre të përbashkët, por nganjëherë edhe kur janë armiq në fushën e betejës. Nuk i thuhet të humburit ik, por të vërtetën s’ta tregojmë. Në fakt, Ramën po e mbajnë ata që i mohojnë PS këtë të drejtë ligjore, ata që u ngritën mbi ligjin e parlamentit të votuar me tre të pestat.
Socialistët gjithashtu kanë bojkotuar Kuvendin, duke vendosur për të disa kushte. Si e shikoni këtë lëvizje?
Që nga viti 1996, me ndonjë përjashtim të vogël, historia jonë politike sillet në rrethin vicioz të zgjedhjeve pa standarde dhe të korrupsionit. Manipulimet prodhojnë korrupsion, korrupsioni prodhon manipulim dhe kështu pa mbarim. Në bodrumet e KQZ ruhet i mbyllur në kuti mëkati më i madh politik i tranzicionit: manipulimi i zgjedhjeve. Atje e kanë origjinën të gjitha vonesat, të gjitha thyerjet dhe të këqijat e këtij vendi. Arsyeja se pse parregullsitë, defektet apo manipulimet e llojeve të ndryshme riciklohen nga zgjedhjet në zgjedhje lidhet jo vetëm me prapambetjen dhe varfërinë e vendit, me rrudhjen e lirive dhe zgjerimin e etatizmit, por edhe me faktin se asnjë hetim serioz nuk është bërë, asnjë ndëshkim shembullor nuk është dhënë për manipulimet e mëparshme. Ne shohim plojën, paguajmë koston e plojës, por nuk merret kush me autorët. Ky qëndrim është leja që manipulatorët profesionistë të dalin sërish në fushë në zgjedhjet e radhës. Në këtë kontekst, nisma e PS ka shanse për t’u shndërruar në një nismë me vlera të mëdha, si pikënisja e një katarsisi kombëtar për zgjedhjet, si një shërbim. Kush janë këta që guxojnë të prekin votën, të prishin numërimin, të shënojnë vota fiktive në procesverbale, të prodhojnë përfaqësim dhe pushtet me stilolapsa, të blejnë vota, të trafikojnë vota, të grisin vota, të tjetërsojnë vota? Duke abstraguar nga fakti që këtë nismë e ka marrë PS dhe mund ta ketë marrë për qëllime të ngushta politike, unë them se hapja në këtë nivel dhe gjerësi e problematikës së zgjedhjeve është një mision qytetar i përbashkët i të gjitha partive dhe institucioneve. Le të shërbejnë zgjedhjet e 28 qershorit për ta shndërruar në standard të përhershëm hapjen e kutive, siç ndodh kudo në botën demokratike.
Ambasadori Lohan, duke folur për bojkotin e socialistëve, deklaroi se vendi i debatit është parlamenti. A është kjo një thirrje për hyrjen e socialistëve në Kuvend?
Është shumë e drejtë ajo që thotë ambasadori Lohan, i cili është afirmuar si një mik i Shqipërisë. Tashmë, pas dy dekadash jete parlamentare, opozita është e vetëdijshme për rolin qendror të Kuvendit. Unë mendoj se socialistët janë duke pritur raportin përfundimtar të ODIHR për zgjedhjet, për të parë pozicionin e tyre në dritën e këtij raporti. Ndërkohë, me sa jemi informuar nga mediet, PS dhe ndonjë parti tjetër si PDK, janë duke parë filmimet e numërimit të votave në zona të caktuara. Rezultatet e këtij verifikimi do të kenë peshën e tyre në vendimmarrjen e mëtejshme të opozitës. Por ky proces zgjedhor ka nxjerrë në pah edhe një problem shumë, shumë të rëndë. Fjala është për moszbatimin nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor i dispozitës që njeh të drejtën e dy anëtarëve të KQZ për të hapur kutitë. Ky nen ka qenë gur themeli i konsensusit. Parlamenti e ka votuar më tre të pestat dhe nuk është e qartë si mund të dalin mbi ligjin institucionet që janë krijuar për ta zbatuar atë.
Kryeministri, Sali Berisha, tha se BE mund të përkeqësojë qëndrimin ndaj Shqipërisë për shkak të rolit të opozitës. Si e parashikoni ju qëndrimin e ndërkombëtarëve, pasi të ketë një raport përfundimtar për zgjedhjet?
Në lidhje me liberalizimin e vizave, Shqipërisë i janë bërë shumë të qarta kushtet që duhet të përmbushë. Këto kushte janë hartuar nga BE përpara zgjedhjeve dhe janë publikuar. Qeveria duhet të përqendrohet në plotësimin e këtyre kushteve, që janë ndër të tjera, pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike, kontrolli i integruar i kufijve, lufta kundër korrupsionit. Problemet zgjedhore kanë lindur prapa dhe nuk kanë lidhje me kushtet dhe axhendën e deritanishme të procesit të liberalizimit të vizave. Më vonë, pasi të plotësohen këto kushte, mund të shikohet a interferojnë problemet zgjedhore në proces.
Tani që jeni jashtë parlamentit, cili do të jetë roli juaj në skenën politike?
Fjala, pena, arsyeja - me këto tri gjëra kam hyrë dhe kam vazhduar në politikë. Unë jam një prej themeluesve të PD që nuk kam marrë asnjëherë asnjë gjë gratis, si dhuratë, ca më pak si lëmoshë. Parimi im ka qenë dhe është: përfaqësimi nuk jepet, por fitohet. Zgjedhjet e 28 qershorit më kapën në befasi, sepse nuk e prisja atë që ndodhi. Por tani kam gjithë kohën përpara. Do të vazhdoj përpjekjet për idetë e mia të njohura liberaldemokratike.