E Diel, 1 Nëntor 2026

Vitet e verbërisëNga Kim MehmetiNga viti i ardhshëm, filloristët shqiptarë që nga klasa e parë do e mësojnë gjuhën e bashkështetasve të tyre të vetëquajtur maqedonas. E pasi të mësojnë gjuhën maqedonase, ata do bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë dekad

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vitet e verbërisëNga Kim Mehmeti

Nga viti i ardhshëm, filloristët shqiptarë që nga klasa e parë do e mësojnë gjuhën e bashkështetasve të tyre të vetëquajtur maqedonas. E pasi të mësojnë gjuhën maqedonase, ata do bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë dekada me radhë prindërit e tyre gjatë shkollimit: do i përvishen punës të përvetësojnë historinë, letërsinë dhe kulturën maqedonase. Me këtë shqiptarët do bëhen qytetarë të vyeshëm, do dinë çdo gjë për popullin që di ndoshta shumë pak për vetveten. Pra, me këtë shqiptarët do jenë të gatshëm të jetojnë në një shtet shumetnik, shumëkulturor e shumëgjuhësor, e në të cilin edhe maqedonasit e Tetovës nuk dinë thuajse asnjë fjalë shqip dhe për kryetrimin shqiptar Skënderbe, dëgjuan atëherë kur i revoltoi ngritja e përmendores së tij në pjesën veriore të Shkupit. Nga ky vit më në fund u dha në përdorim godina e re e gjimnazit “Zef Lush Marku”, e ndërtuar në lagjen Veri të Shkupit, godinë shkollore së cilës i është vënë gurthemeli, aq herë sa ka pasur zgjedhje parlamentare në Maqedoni. Pra, e cila ndërtohet plot dy dekada, aq vite për sa Perandoria turke i ndërtoi të gjitha kalatë dhe xhamitë në Ballkan, edhe atë në kohë kur gurët janë bartur mbi shpinë e me gomarë. Dhe si e tillë, kjo ndërtesë e re e gjimnazit më të vjetër në gjuhën shqipe në Maqedoni, e që i ka shëtitur të gjitha lagjet e Shkupit si qiraxhi i shkollave maqedonase, do mbetet e largët për nxënësit e fshatrave perëndimorë të Shkupit - ku edhe dominon popullata shqiptare - aq sa është i largët edhe Universiteti i Tetovës. Andaj, nuk është e çuditshme, nëse në të ardhmen ata u drejtohen shkollave të mesme në Tetovë. Me çka ndoshta qeveritarët e BDI më në fund do e kuptojnë pse pushtetarët maqedonas donin që godina e re e këtij gjimnazi të ndërtohet sa më larg qendrës së Shkupit dhe pse ndërtesën e vjetër të këtij gjimnazi në lagjen Nerez të kryeqendrës - kryesisht e banuar me shqiptarë - ata ngutshëm duan ta mbushin me nxënës apo student të etnitetit maqedonas. Pra, shumëçka që është duke ndodhur këtë vit, e që paralajmërohet të ndodhë që nga viti i ardhshëm shkollor, qartë shpjegon se edhe shumë vite më pas, shqiptarët e këtushëm do i vjelin frytet e verbërisë politike të përfaqësuesve të tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore. Përfaqësues të cilët askush nuk i akuzon pse nuk dinë, por pse nuk i pyesin ata që dinë, me çka do e kuptonin se njerëz të gjithëdijshëm nuk ka në këtë botë, se botën e banojnë injorantë që vetëgënjehen se i dinë të gjitha dhe të mençur që dinë kë të pyesin për gjërat që nuk i dinë. Dhe sikur ata të pyesnin, dikush do u tregonte se godina e re e gjimnazit “Zef Lush Marku” u ndërtua atje ku ndodhet sot, vetëm që shqiptarët e këtushëm të getoizohen e të jenë sa më larg qendrës së Shkupit, se godina e vjetër e këtij gjimnazi nuk u jepet në përdorim shqiptarëve, që të pengohet “shqiptarizimi” i lagjes Nerez, e mbetur si xhep shumetnik në pjesën “maqedonase” të Shkupit. Pra, dikush do u tregonte se koncepti multietnik nuk realizohet, kur vetëm njëri e njeh gjuhën, historinë dhe kulturën e tjetrit, por kur të gjithë sa janë, e mësojnë gjuhën e mjedisit ku jetojnë dhe i njohin tiparet dalluese të bashkëqytetarëve të tyre me përkatësi tjetër etnike. Por, që ta kuptojnë këtë, do duhet dikush t’i bindë drejtuesit e BDI se jo çdo gjë realizohet me durim e pritje, se pritja dhe durimi janë tiparet e murgjve, e jo të politikanëve që rrëmbejnë çdo ditë të sotme, e që me ato të murojnë të ardhmen, jo e politikanëve që e dinë se e sotmja është arë ku mbillet fare e të ardhmes, se çdo e sotme e humbur të nesërmen ta bënë të djeshme. Pra, që ta kuptojnë këtë, do duhet dikush t’u tregojë kryesuesve të BDI se populli një ditë do ngihet dhe do e kuptojë pse nuk “dështon” koncepti i tyre politik: sepse i ngjan veprimit të lypsarit, i cili ulet në një qoshe dhe me të drejtë beson se, nëse jo sot, atëherë nesër do kalojë ndonjë i pasur e shpirtbardhë që do i lëshojë mbi shuplakë ndonjë monedhë. Apo thënë ndryshe, populli një ditë do e lexojë qartë se politika e BDI nuk mund të “dështojë”, ngaqë ajo i ka aleat vitet që kalojnë, e që vetvetiu çojnë rrugës që edhe në këtë Ballkan një ditë të mos kenë gjithaq rëndësi shtetet, me çka do humbin kuptim betejat e sotme ndëretnike që zhvillohen në Maqedoni. Me çka do shihet se edhe ai që nuk bën gjë, është pjesëtar i ndryshimeve. Apo, do shihet qartë se përparësia e sotme e BDI është vetëm një: kur i krahason ata me disa “atdhetarë” të PDSH opozitare, të dalin si politikanë të ardhur nga Kongresi amerikan. Por, edhe si të tillë, afati i tyre i përdorimit do jetë për aq kohë sa shqiptarët e këtushëm do kenë durim të presin, për aq kohë sa shqiptarët e Maqedonisë do mbeten këta që janë: të painteresuar të ndryshojnë vetveten dhe me shpresë se ndryshimet në shoqërinë e tyre do i bëjë dikush tjetër. Pra, për aq kohë sa duhet pritur që të shpaloset e vërteta se politikanëve të tillë nuk u bëjnë përshtypje vogëlushët shqiptarë që do jenë të detyruar të mësojnë edhe një gjuhë të huaj që në moshën gjashtëvjeçare, as gjimnazistët e fshatrave perëndimorë të Shkupit që do udhëtojnë me orë të tëra deri te godina e shkollës së tyre, deri te ndërtesa e vendosur në një lëndinë në cep të Shkupit, e me çka më shumë i ngjan një kampi ku grumbullohen emigrantët e përkohshëm të ardhur në Maqedoni sesa një objekti shkollor. Nga viti i ardhshëm, vogëlushët shqiptarë të klasave të para të fillores, krahas shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, do mësojnë të flasin edhe maqedonisht. Këtë ata e kanë dhuratë nga politikanët shqiptarë, të cilët nuk e flasin mirë as gjuhën e tyre amtare dhe që nuk e njohin alfabetin politik, i cili është krejt ndryshe nga ai që e përdorim ne të vdekshmit e rëndomtë. Duke qenë të tillë, përfaqësuesit e BDI në qeveri as që e dinë, për shembull, se ky shtet më shumë investon për Kopshtin Zoologjik të Shkupit sesa për vlerat kulturore shqiptare. Pra, duke qenë politikanë që vetëgënjehen se i dinë të gjitha, të cilëve nga veshët u rrjedh mençuria e nga hundët u kullon profesionalizëm, pushtetarët shqiptarë në qeveri nuk e kanë kuptuar as atë që për çdo ditë ua demonstron Gruevski: mundohu të gjuash sa më shumë peshq në ujin e sotëm të lumit, jo vetëm pse i njëjti peshk nuk mund të kapet dy herë, por pse askush nuk e di si do jetë rrjedha e nesërme e lumit. E si mund ta kuptojnë këtë ata që veprojnë sipas parimit: mbaje durueshëm shkopin për peshkim në duar, sepse peshkun që nuk e ke zënë sot, do e kapësh kur të rritet e të bëhet më i majmë. Dhe duke qenë të tillë, ata edhe kanë mbetur vetëm me shkopin në dorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›