E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj dhe fabula politike 2005-2009

Publicisti dhe politikani Preç Zogaj prezantoi dje librin "Të gjithë nëpër vendet e tyre" (Dita 2000), një botim që i shtohet kolanës politike prej 10 librash të autorit.


Këtë herë, shkrimtari shkruan për zhvillimet politike nga viti 2005 deri më 2009, për protagonistët dhe dukuritë politike të kësaj periudhe politike.


Autori, në rolin e aktorit në skenën politike, në këtë vëllim prej 324 faqesh fokusohet tek dukuria e shpërbërjes së spektrit politik. "Kemi ish kryeministra që kanë shënuar historinë e pluralizmit që papritur përfundojnë në një anë të spektrit politik. Kemi kundërshtarë që për shumë vjet kanë qenë protagonistë të betejës politike dhe që anohen rreth një lëvizje.


Ky është një fenomen tipik shqiptar, që tregon se jeta politike shqiptare akoma nuk është stabilizuar", tha dje Zogaj duke vënë theksin te dukuria që e ka përshkuar politikën e këtij katërvjeçari, tek "ngjarjet që prodhojnë politikanët dhe jo më personazhet".


Publicisti pohoi se nëpërmjet disa fakteve është ndërtuar një fabul, "fabula e lëvizjes së gjallë në spektrin politik shqiptar", por nuk pretendohet shterimi i fenomenit.


Autori evidentoi vlerat gjuhësore dhe të stilit me të cilin është shkruar libri. Gazetari Henri Çili, i vetmi i ftuar për të folur mbi vlerat e veprës, e cilësoi si një "investim mbi kujtesën e tranzicionit shqiptar" dhe një "autopsi të fenomenit politik shqiptar".


Ai e quajti Zogajn "koherent në mënyrën sesi e shikon tërësinë e ngjarjeve dhe intuitiv për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e fenomeneve".
Librat që përbëjnë kolanën politike të Preç Zogajt janë: "Rënia e Zgjedhjeve" (1997), "Vera e përjetshme" (1998), "Lufta jocivile" (1999), "Paradhoma e një presidenti" (2001), "Nga hiri" (2003), "Finalja" (2005).


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›