E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogu: Më mirë komunistët, se sa pushtimi grek a jugosllav

05/03/2005  Emigracioni politik shqiptar vazhdon denoncimin ndërkombëtar për politikën aneksioniste greke. Çfarë u deklarua në Kongresin e VI të Bashkimit Ndërkombëtar të Fshatarëve, që u mbajt në Uashington për regjimin komunist dhe politikën greke? Cili ishte qëndrimi i emigrantëve politikë në Jugosllavi? Nismë e kujt ishte krijimi i Komitetit të Prizrenit? Pse emigracioni politik shqiptar shpresonte te mbështetja amerikane?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Balli Kombëtar dhe organizatat e tjera të emigracionit politik shqiptar u përpoqën të shfrytëzonin forumet e organizatat ndërkombëtare të emigracionit antikomunist, ku ata aderonin për të denoncuar politikën aneksioniste greke dhe efektet e saj negative.

Në Kongresin e VI të Bashkimit Ndërkombëtar të Fshatarëve, që u zhvillua në Uashington në vitin 1959, Balli Kombëtar theksoi në raportin e tij se, pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe shtypja e popullsisë shqiptare të Kosovës nga qeveria jugosllave po i shërbenin si argument i fuqishëm regjimit komunist për të marrë poza patriotike. Në raport thuhej: “Këtë gjendje politike e shfrytëzuan komunistët, duke ua vënë shqiptarëve përpara copëtimin e Shqipërisë si alternativë të çlirimit nga regjimi i kuq dhe, duke e paraqitur B.Sovjetik si të vetmin mbrojtës të integritetit të Shqipërisë!”.

Pas vizitës së Hrushovit në Tiranë, shtypi grek shpërtheu një fushatë të ashpër kundër Shqipërisë. Në këtë kohë, gazetat “Flamuri”, “Qëndresa shqiptare” dhe organe të tjera të emigracionit politik shqiptar denoncuan hapur ato vërejtje e deklarata, që cënonin pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. A.Zogu edhe një herë deklaroi se vizita e Hrushovit kishte nxjerrë në pah rrezikun që paraqisnin fqinjët për Shqipërinë. Madje, motra e Zogut u shpreh se, “më mirë të qëndronin komunistët në Shqipëri se sa ajo të pushtohej prej grekëve e jugosllavëve”.

Por jo i gjithë emigracioni politik qëndronte në pozitat e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe aspironte për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Një pjesë e vogël e këtij emigracioni dhe, pikërisht një grup emigrantësh politikë në Jugosllavi iu nënshtrua politikës së qeverisë jugosllave dhe u vu në shërbim të saj. Duke u mbështetur në një grusht emigrantësh politikë me origjinë sllave, qeveria jugosllave formoi të ashtuquajturin Komiteti i Prizrenit, i cili, realisht, nuk kishte ndikim në masën e emigrantëve politikë shqiptarë që gjendeshin në Jugosllavi. Krerët e këtij Komiteti mbajtën një qëndrim tolerues ndaj politikës aneksioniste greke. Pozicioni i tyre ndryshonte rrënjësisht nga qëndrimi parimor dhe kombëtar i KKSHL-së. Presidenti i këtij Komiteti, Apostol Tanefi, i cili ishte një shtetas shqiptar me origjinë maqedonase, e paraqiti marrëveshjen greko-turko-jugosllave të vitit 1953, si një garanci për pavarësinë dhe sigurinë e Shqipërisë.

Kur ajo, në të vërtetë, e vinte në diskutim respektimin e integritetit të Shqipërisë nga anëtarët e kësaj marrëveshje. Rezervat për integritetin territorial të Shqipërisë ishin rezultat i këmbënguljes së qeverisë greke. Pikërisht këtë rrezik, i cili fshihej në deklaratën e Paktit Ballkanik, e vunë në dukje atëherë organizatat e emigracionit politik shqiptar në vendet perëndimore dhe, në radhë të parë, KKSHL, i cili u kërkoi ministrave të Jashtëm të Greqisë, Turqisë dhe Jugosllavisë që të parashikonin garanci për integritetin territorial të Shqipërisë. Ndërsa, Tanefi deklaroi se, marrëveshja greko-turko-jugosllave ishte shumë e rëndësishme për shqiptarët, sepse ajo “përbën një pengesë të fortë kundër të gjitha aspiratave të neofashizmit italian dhe irredentizmit, i cili po gjallëron shpresat për ripushtimin dhe nënshtrimin sërish të Shqipërisë”, dhe se, populli shqiptar shihte në këtë Pakt “mundësinë e fitimit të pavarësisë së tij dhe të respektimit të sovranitetit e të integritetit të shtetit shqiptar”.

Sipas hetimeve që kryen në këtë kohë agjencitë e zbulimit amerikan, rezultonte se, Komiteti i Prizrenit, i cili ishte tërësisht nën kontrollin e Dushan Mugoshës, nuk kishte mundur ta shtrinte influencën në rreth 6.000 refugjatët politikë shqiptarë që ndodheshin në Jugosllavi. Madje, ata, në përgjithësi, ishin të frikësuar se, në kuadrin e Paktit Ballkanik, Jugosllavia dhe Greqia do të arrinin një marrëveshje për copëtimin e Shqipërisë.

Pikërisht për këto arsye, KKSHL, Balli Kombëtar dhe organizatat e tjera të emigracionit politik, ishin në luftë të hapur me Komitetin e Tanefit dhe e denoncuan politikën e tij antishqiptare.

Por grupi më i rëndësishëm, që zbatonte politikën greke, me të cilin emigracioni politik shqiptar ishte në luftë të vazhdueshme, mbetej silogu “vorioepirot”. Pas luftës, midis “Komitetit Qendror të Përpjekjeve Vorioepirote” (KEVA) dhe organizatave balliste, legaliste etj., në emigracion pati polemika të ashpra, për arsye se KEVA aspironte dhe përpiqej për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Zbulimi shqiptar konstatonte se këto polemika ishin mbyllur dhe tulatur disi nga amerikanët, të cilët dolën me qëndrimin se këto divergjenca do të zgjidheshin pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Në vitet ‘50 po qarkullonte edhe ideja e ndërrimit të minoriteteve midis Greqisë e Shqipërisë, por “vorioepirotët” besonin se kjo gjë nuk do të ndodhte, pasi nuk do të lejohej nga qeveria greke dhe se Greqisë nuk do t`i mohohej e drejta mbi “Vorio-Epirin”. Ndërsa organizatat e emigracionit politik shqiptar besonin dhe shpresonin se kjo çështje do të zgjidhej nga ana e amerikanëve në favor të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›