E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku është Pranvera e Damaskut?

04/03/2005  Kur babai i tij i fuqishëm vdiq në vitin 2000, Bashar al Asad premtoi fundin e represionit politik në Siri. Por, pas një periudhe të shkurtër transparence demokratike, perdja e diktaturës ra edhe një herë. Mbajtësit e vërtetë të pushtetit nuk pranuan të lëshojnë

Mos vallë okulisti i ri, që u bë krejt papritur president, ka dështuar në misionin për të demokratizuar Sirinë? Ndoshta Bashar al Asad e kishte seriozisht, kur fliste për një fillim të ri katër vjet më parë. Por, me siguri që ai e ka nënvlerësuar inercinë e forcave, që i ati krijoi në tre dekada diktaturë: ushtria me influencë dhe katër shërbime të fshehtë monstruozë, që kanë interesa politike dhe ushtarake

Në çdo qoshe rruge ka internet kafe dhe dyqane celularësh. Në supermarkete ofrohet thuajse çdo produkt që konsumohet në Perëndim, që nga çokollata Nutella deri në produktet e bukurisë Nivea. Në butikët e qytetit, vitrinat janë mbushur me produkte të nivelit të lartë për Evropën, si Kookai apo Stefanel. Një poster i madh i futbollistit anglez, Devid Bekam, që ekspozon për një reklamë të BMV 3 është vendosur që në hyrje të autostradës

Eshtë ora 1.00 e mëngjesit dhe nata është ende “e re” në klubin e natës Laterna në qendër të Damaskut. Fatima Haidar ka veshur një minifund shumë të shkurtër, thuajse sa gjysma e gjatësisë së kaçurrelave të zeza që i bien deri poshtë shpatullave. Me pipë thith nga një gotë e mbushur me një lëng ngjyrë blu, që e quajnë Tropicana: shumë vodkë, pak Curacao. Fatima është 23 vjeçe dhe studion për arte. Përplas për dyshemeje takat e këpucëve, sipas ritmit të muzikës. DJ sapo ka vendosur një këngë të Amr Diab, një sex idol i rinisë arabe. Topi i madh i diskos pasqyron dritën në të katër anët e klubit dhe Fatima tërheq të dashurin drejt pistës së kërcimit.

Klubi i natës është mbushur plot, siç ndodh çdo të enjte. Të shtunën në mbrëmje, ky klub do të mbushet me të krishterë, dhe badigardët, burra shumë të mëdhenj, por të sjellshëm, të veshur me kostume, do të përzënë edhe një herë ata që nuk kanë rezervim, apo nuk janë veshur me shkëlqimin e duhur.

Mëngjesin tjetër, disa rrugë më tutje, në një pjesë të qytetit të njohur si Bab Tuma, prifti ortodoks sirian, Mor Dionis Bahnan Jajavi, 80 vjeç, ulet në një karrige barok, ngjyrë të argjendtë, në kishën e tij. Përreth qafës ka varur një kryq të madh e të rëndë. Metropolitani (udhëheqës i një dioqeze ortodokse) sapo është rikthyer nga një takim me udhëheqës të krishterë e myslimanë nga e gjithë Lindja e Mesme. Tema e diskutimeve ishte lufta dhe paqja, dhe takimi u mbajt në Damask, një prej qyteteve më liberalë nga pikëpamja fetare dhe më shumëngjyrësh në rajon. “Ne jemi gjithmonë shumë të sinqertë dhe sillemi vëllazërisht me njëri-tjetrin”, thotë Jajavi.

Këtu në Damask, kishat ortodokse janë ngritur shumë pranë xhamive. Myslimanë si Basil al Alaf dhe të krishterë si Abraham Thabit bëjnë biznes së bashku. Në rastin e tyre, myslimani është zanatçi më i mirë, ndërsa i krishteri është tregtar më i mirë. Të dy kanë një kompani në qytetin e vjetër, që merret me zbukurime. “Fetë tona janë të ndryshme, por mentaliteti është i njëjtë”, thotë Alaf.

Sytë e drejtuar jashtë?

Republika arabe e Sirisë, sunduar nga Partia Baathe, që nga 1963, armatosur deri në dhëmbë dhe vazhdimisht në ndjekje të disidentëve, është një shtet laik, që nuk toleron asnjë form ekstremizmi fetar. Në fakt, ky vend nuk toleroi asgjë gjatë regjimit të diktatorit Hafez Al Asad. Por tani, që i biri, Bashar al Asad ka ardhur në pushtet, gjërat kanë ndyshuar disi. Askund në Lindjen e Mesme jeta nuk është kaq shumëngjyrëshe dhe plot polemika njëkohësisht si në Damask.

Duket se shërbimeve të fshehtë u është kërkuar të kenë qëndrime më të zbutura. Antenat satelitore, dikur të jashtëligjshme, sot kanë mbushur ndërtesat e banimit. Në çdo qoshe rruge ka internet kafe dhe dyqane celularësh. Në supermarkete ofrohet thuajse çdo produkt, që konsumohet në Perëndim, që nga çokollata Nutella deri në produktet e bukurisë Nivea. Në butikët e qytetit, vitrinat janë mbushur me produkte të nivelit të lartë për Evropën, si Kookai apo Stefanel. Një poster i madh i futbollistit anglez, Devid Bekam, që ekspozon për një reklamë të BMV, është vendosur që në hyrje të autostradës.

Ky supozohet të jetë shteti batakçi i Sirisë, i cili akuzohet se qëndron pas vrasjes së Kryeministrit libanez, Rafik Hariri? Shteti, që disa neokonservatorë do të dëshironin ta shihnin të pushtuar bashkë me Irakun?

Apo është një shtet që tashmë e ka mësuar leksionin e Irakut? A mund të jetë një shtet që e ka kuptuar se është i rrethuar nga aleatë të Amerikës, Turqia, Jordania dhe Izraeli? Në fund të fundit, diktatorët janë zbutur. Kideri libian, Gedafi, u tërhoq. Irani të paktën është duke negociuar me evropianët për çështjen e armëve bërthamore. Ndërkohë, Siria duket pakëz e humbur. Dhe ç’është më e rëndësishme, populli sirian po rrit trysninë për më shumë reforma, të cilat iu ishin premtuar nga Presidenti, bir i ish- despotit.

Kur Bashar al Asad erdhi në pushtet, në 2000, pas vdekjes së papritur të të atit, pati krejt papritur një ndjenjë shprese në Damask. Në një fjalim prekës, regjenti atëherë 34-vjeçar, i arsimuar në Londër, si okulist, foli për hapjen e vendit dhe fundin e represionit. “Ftoj të gjithë sirianët, tha ai, të marrin pjesë aktivisht në politikëbërje”.

Ishin fjalë shumë të këndshme, por edhe u harruan shpejt. Siria ka mbetur në thelb një shtet policor që shtyp brutalisht kritikët e saj. Përgjigjja pse është kështu, mund të jepet nga një njeri, që e ka kaluar të gjithë karrierën për të garantuar që pushteti në Siri të përqëndrohej në duart e një klike të vogël. Ai quhet Mustafa Tlass dhe ishte një këshilltar shumë i lartë i ish-diktatorit Hafez al Asad. Dhe një prej të paktëve, te të cilët Asad besoi gjatë të gjithë jetës.

Tlass, 72 vjeç, është një njeri hijerëndë, me sy që i shkëlqejnë dhe mustaqe të prera shkurt. Gjenerali i vjetër, që ka pamjen e një gjyshi të dashur, pret e përcjell vizitorë në apartamentin e tij, në Abu Rumana, një lagje e klasës së lartë, në qendër të Damaskut.

Tlass rrufit çaj nga një filxhan i larë në flori dhe në mënyrë të sinqertë ofron mendime për bazat e diktaturës. “Nëse dëshiron të qëndrosh në pushtet, thotë, duhet t’i frikësosh të tjerët”.

Deri nëntë muaj më parë, Tliss ishte ministër i Mbrojtjes i Republikës Arabe të Sirisë, një post që e kish mbajtur për 32 vjet. Ai ishte instrumenti i shtypjes së kundërshtarëve, islamikë apo jo. Nacionalisti sirian, përkrahës i Sirisë së Madhe është gjithashtu përgjegjës për masakrën e besimtarëve në 1982 në Hama, si edhe për valët e arrestimeve të aktivistëve të së majtës. Tlass nuk e mban më mend se sa dënime me vdekje ka firmosur personalisht, dhe ai flet me qetësi, kur thotë përse këto akte të tmerrshme ishin të pashmangshme, madje edhe ata që vdiqën të varur në litar. Nganjëherë, në vitet tetëdhjetë, vetëm në Damask mund të jenë kryer 150 ekzekutime me varje në një javë. “Ne përdorëm armët për të marrë pushtetin dhe donim ta mbanim atë. Çdokush që kërkon të na marrë pushtetin duhet të na e marrë me armë”, thotë gjenerali, duke buzëqeshur.

Një jetë në opozitë

Riad Turk, një plak që e kaloi gjithë jetën duke luftuar kundër njerëzve, si Tlass, jeton jo më shumë se 20 km larg në kushte më modeste. Turk, një aktivist i të drejtave civile dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Sirisë, shihet si një prej udhëheqësve intelektualë të lëvizjes së opozitës.

Ashtu si Tlass, edhe Turk, ia ka kushtuar të gjithë jetën politikës – por jo në partinë Baath. Ka preferuar krahun tjetër të spektrit politik. Ai luftoi kundër rebelëve përpara se Hafez al Asad të merrte pushtetin dhe më pas kaloi 30 vjet, duke luftuar kundër regjimit despotik të Asadit, për zgjedhje të lira, një sistem gjyqësor të pavarur, liri shprehje dhe liri grumbullimi. Ai luftoi në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithnjë paqësore. Shumë vetë në Damask e quajnë Nelson Mandela i Sirisë.

Turk ka qenë më shumë se 18 vite në burg – 17 i izoluar – në një qeli 6 me 6, në bodrumin e një burgu të shërbimit të fshehtë. Për 17 vjet, ai rrallë e pa diellin, dhe gjatë gjithë kohës qëndroi në burg pa akuzë dhe pa u dënuar nga gjykata. Ai u burgos me kërkesën e Presidentit Hafez al Asad, me dijeninë dhe miratimin e ministrit të Mbrojtjes, Tlass.

Gjenerali dhe komunisti janë aq të ndarë sa mund të jenë dy sirianë. Por janë njëkohësisht edhe aq afër, sa mund të jenë dy njerëz të të njëjtit brez. Turk dhe Tlass kanë qenë shokë klase. Të dy ndoqën shkollën Hashimia, në Homs, 150 km në veri të Damaskut. Tlass e kujton turkun si një “komunist të vendosur e fanatik, gjithnjë në këmbë”. Edhe Turk e kujton shokun e tij të klasës. “Mustafai donte gjtihmonë të ishte lider në demonstrata, dhe çdo gjë që arriti që atëherë, e arriti vetëm me shtypje dhe dhunë”.

“Pranvera e Damaskut”, siç e quajnë sirianët ditën e parë në detyrë të Asadit, nisi në 2000, dy vjet pasi Turk i lirua nga burgu. Shumë vetë, përfshirë Turkun, nisën të mbajnë sërish fjalime publike. Në fjalimet e tij, ai përshkruante se si e kish marrë Asad pushtetin, si kishte shtypur partitë e tjera politike dhe nëpërkëmbur të drejtat njerëzore dhe civile.

Një grup plitikanësh, avokatësh e doktorësh u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët, ku, mes të tjerave, ofruan dokumente për korrupsionin në ekonomi dhe pamflete për anëtarë të korruptuar të qeverisë. Grupi zbuloi, për shembull, se Rami Mashluf, një kushëri i Presidentit, ishte përfituesi më i madh i sigurimeve.

Por diskutimet dhe shkrimet për kësi çështjesh, ishin, me sa duket, më shumë nga sa mund të toleronte regjenti i ri. Pranvera e Damaskut mori fund shpejt. Turk dhe nëntë aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut u arrestuan në vjeshtë të 2001. Prokurori i akuzoi se kishin lëshuar akuza false dhe bërë thirrje për demonstrime me armë. U dënuan nga 2 deri 10 vjet burg.

Pas presionit të vazhdueshëm të Presidentit francez, Zhak Shirak, Turk u lirua shpejt. Por, gjashtë prej miqve të tij qëndrojnë edhe sot pas hekurave. “Vashar al Asad na mashtroi”, thotë turk. “Për sa kohë që ai do të jetë në pushtet, nuk do të ketë liri të vërtetë”.

Forumi i fundit për disidentë

Megjithatë, ka ende disidentë dhe kundërshti ndaj një regjimi, që, në thelb, ka mbetur i pandryshuar. Disidentët mblidhen në një datë të paracaktuar çdo muaj në apartamentin e Suheir Al Atasi, 33 vjeç, bija e një industrialisti një lagjen e klasës së mesme, Dumar.

Intelektualë, avokatë të të drejtave të njeriut, gazetarë, studentë, gra me apo pa ferexhe mblidhen në apartamentin e madh, ku dëgjojnë një prezantim nga Jasin Al Haxh Salih, një doktor 43-vjeçar, që ka qenë për disa vite në burg. Kaq gjatë qëndroi në qeli, saqë vetëm 4 vjet më parë mundi të mbarojë shkollën e mjekësisë. Pra, i njeh mirë kushtet e universitetit dhe denoncon arrestimet arbitrare të studentëve.

Mysafirja Atasi është një grua delikate. Ajo mban veshur xhinse të ngushta e një golf të zi. Ajo e di shumë mirë se jo të gjithë vizitorët këtë mbrëmje janë miq. Ajo vlerëson që, afro 40 nga 300 të pranishmit janë të shërbimit të fshehtë. “Por duhet të rrezikojmë, thotë, duke mbushur me kafe Moka filxhanët, përndryshe nuk do të ndryshojmë kurrë”.

Debati – në lidhje me shërbimin e fshehtë sirian, që spiunon studentët aktivë politikë – nxehet dhe vazhdon gjatë natës. Eshtë një debat për lirinë.

Gjatë pesë viteve të fundit janë krijuar disa grupe të tillë dhe qeveria nuk ishte më në gjendje të mohonte ekzistencën e tyre. Ata u bënë gjithnjë e më të gjallë dhe të fuqishëm. Megjithatë sot, të gjithë këta forume janë të ndaluar dhe janë mbyllur. Vetëm salloni ka mbijetuar.

A është kjo liria e premtuar? Mustafa Tlass, ciniku plak, mbledh supet: “Mos i besoni kurrë një politikani. Ata të gjithë gënjejnë. U duhet të gënjejnë, përndryshe nuk qëndrojnë dot në pushtet”, thotë. E pyes se cili ka qenë krimi që ka kryer shoku i vjetër i klasës, Turk. Gjenerali tund kokën. Rezistenca, thotë, duhet ndalur që në fillim.

Brezi i ri e ka nisur aty ku gjenerali i vjetër e ka lënë, duke përmendur ndryshime ekonomike dhe përpjekur për të mbajtur nën kontroll procesin politik. “Ne duam konkurrencë dhe transparencë”, thotë Abdullah al Dardari, 41 vjeç. Ai është arma e re magjike e Presidentit, kreu i të ashtuquajtur Komision i Planifikimit, dhe detyra e tij është të zhvillojë dhe implementojë reforma në ekonomi. Dardari ka studiuar ekonomi në Evropë dhe ka punuar në Kombet e Bashkuara. Ai flet shkëlqyeshëm anglisht dhe vishet me kostume të shtrenjtë. Si një lloj superministri, ai duhet të transformojë ekonominë socialiste të planifikuar dhe të zvogëlojë papunësinë në vend, për të joshur investitorët e huaj.

Për të arritur këto qëllime, Dardari, një gazetar dhe konsulent biznesi, ka marrë kartë të bardhë nga udhëheqja. Por edhe Dardari, fëmija i posterit i sistemit për marrëdhëniet me Perëndimin, shmang çdo debat në lidhje me procesin e demokratizimit. Ai nuk ka ndërmend të qëndrojë në mes të betejës mes gardës së vjetër dhe reformatorëve të rinj në partinë Baathe. Ai e sheh vetveten si teknokrat, jo si politikan. “Pas pesë vitesh, thotë ai, Siria do të ketë një ekonomi vitale, me treg të lirë dhe menaxhim efikas”.

Natyrisht, një dhelpër plakë si Tlass e di fare mirë se në epokën e globalizimit, Siria nuk ka asnjë alternativë përveç se të hapet ndaj botës, që reformat janë të domosdoshme për të mos lejuar kolapsin e ekonomisë së vendit. Por nëse do të ketë reforma, thotë ai, ato duhet të “ndodhin me kujdes dhe në mënyrë të kontrolluar”, dhe duhet të realizohen nga ata që e udhëheqin vendin sot.

Mbretërimi i dinosaurëve

Ekziston një parim, i cili gjen zbatim edhe sot, megjithëse disa dinosaurë të gardës së vjetër si Tlass kanë dalë në pension: Ata që testojnë limitet e lirive të reja nën Ashar Aal Asadin, qofshin gazetarë, politikanë apo biznesmenë, duhet të luftojnë me elitën e vjetër të pushtetit. Sipërmarrës të suksesshëm privatë infiltrohen nga qeveria, apo thjesht detyrohen të falimentojnë. Të gjithë marrëveshjet madhore të biznesit duhet të përfshijnë aktorët e vjetër, ndërkohë që pasurinë e madhe e ndajnë vetëm disa familje, siç ka ndodhur gjithmonë. Sipas thashethemeve, që dëgjohen në rrugët e Damaskut, kushëriri i Presidentit ka një pjesë të madhe të aksioneve në dy kompani siriane të telefonisë celulare, si dhe liçenca për dyqane duty-free, si dhe aksione në hotele e restorante. Bijtë e zëvendëspresidentit dhe ish- ministrit të Mbrojtjes kontrollojnë një pjesë të mirë të medias dhe tregtisë.

Shumë oficerë të lartë të ushtrisë janë pasuruar jashtëzakonisht shumë me kalimin e viteve, sepse ushtria siriane kontrollon rrugën kryesore për në Liban. Makinat e shtrenjta dhe pajisjet e teknologjisë së lartë, mbi të cilat shteti gjoja socialist merr taksa doganore deri në 250 për qind trafikohen lehtësisht në vend pa pagesë të taksave, dhe më pas shiten në tregun e zi. “Eshtë një bandë”, thotë gjenerali Kamal al Labvani, i cili edhe vetë nget një Vauxhall luksoz. Katër vite më parë, gjatë Pranverës së Damaskut, Labani ishte pjesë e një grupi që mbronte demokracinë, dhe më pas u dënua me tre vjet burg nga një gjykatë ushtarake.

A mos do të thotë kjo që okulisti i ri, që u bë krejt papritur President, ka dështuar në misionin për të demokratizuar Sirinë? Ndoshta Bashar al Asad e kishte seriozisht, kur fliste për një fillim të ri katër vjet më parë. Por, me siguri që ai e ka nënvlerësuar inercinë e forcave që i ati krijoi në tre dekada diktaturë: ushtria me influencë dhe katër shërbime të fshehtë monstruozë, që kanë interesa politike dhe ushtarake.

Në të njëjtën kohë, sot opozita është shumë e dobët për të mobilizuar mazhorancën e sirianëve. Kaq individë që janë gati të ngrenë zërin, si Al Labvani, Jasin Salih në forumin Atasi, por edhe Riad Turk. Një brez i tërë aktivistësh politikë, sot nga 30-40 vjeç, është asgjësuar: kërcënuar që të heshtin, burgosur apo edhe vrarë.

A do të thotë kjo se e vetmja rrugëzgjidhje është trysnia e jashtme? Amerikanët janë aktualisht të interesuar kryesisht në kontrollin e kufirit të Sirisë me Irakun si dhe informatat e shërbimit të fshehtë sirian në lidhje me lëvizjen e Hezbollahut. Për sa kohë që sirianët do të vazhdojnë të ofrojnë të tilla informacione, nuk ka gjasa që Siria të kthehet në shënjestër për Presidentin e SHBA, George Bush.

Mustafa Tlass, njeriu i fortë me buzëqeshjen e këndshme, qëndron ulur në dhomën e tij poshtë dy skicave të Hitlerit, të cilat i ka blerë lirë nën një ankand në Angli, shumë vite më parë. Ai thotë se edhe atij iu desh të paguante një çmim për paqen në vend: “Vuaj nga makthet. Ishte e tmerrshme. Kam parë gjithë miqtë e dikurshëm të lidhen. Por na u desh ta bëjmë. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër. Kishim arritur stabiliteti, 34 vite pas asnjë grusht shteti”.

Po viktimat? Shoku i tij i klasës, Turk për shembull? Tlass ngre duart: “Gjithë sa duhej të bënte ishte të shkruante një letër të vetme, një kërkesë falje Presidentit, dhe do të ishte liruar menjëherë”.

Turk nuk e shkroi kurrë atë letër. Kur u lirua krejt papritur, pas shumë vitesh në burg, shoku i vjetër i klasës i dërgoi një shportë me ëmblësira dhe “urimet më të përzemërta”. Turk i refuzoi të dyja.

“Thuajini që më pëlqen”, thotë Tlass.

“Dhe unë e urrej”, thotë Turk.

DER SPIEGEL

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›