“Zogu” bardheblu, Fortuzi, si “Perandori i fundit”
Indrit, tashmë është zgjedhja juaj, por një vendim i vështirë, që gjithsesi çdo ditë po përpunohet brenda vetes…
Dëshira ime e madhe ishte të largohesha me një trofe. Është vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time futbollistike, një lamtumirë që për fat të keq nuk u shoqërua me ngritjen e të paktën një trofeu, kur e kisha menduar se të paktën Kupën e Shqipërisë do ta fitoja. Ishte një vendim i marrë prej dy-tre muajsh dhe jo për shkak të ndonjë presioni. Sporti kishte filluar të më mërziste, pasi dhe rezultatet e Tiranës nuk ishin të mira. Isha bërë më shumë tifoz i Tiranës, sesa ndihesha futbollist i saj. Kisha dëshirë ta mbyllja me ndonjë trofe, megjithatë të paktën nga ana profesionale kam ndjerë kënaqësi në 18 vitet që kam luajtur si futbollist profesionist. Kam pasur një karrierë të kënaqshme.
Megjithatë, një kthim te skuadra juaj pas një eksperience të mirë në Greqi më Iraklisin, që nuk u mbyll me një kupë…
Ndoshta. Druaj se u ktheva te Tirana në momentin e gabuar dhe nuk ishte e menduar mirë. Besova se do të vija tek ai ekip shumë i fortë, një ekip kampion. Pavarësisht se kjo Tiranë nuk ishte aq e fortë sa e kisha lënë, kërkonte një Fortuz të viteve më parë që ta nxirrte nga balta. Konstatova te vetja ime se isha ai Fortuz që më shumë priste nga ekipi sesa ta ndihmonte atë dhe kjo ishte edhe një nga arsyet që unë vendosa të tërhiqem, për t’i hapur krahun lojtarëve të tjerë. Nuk isha më ai i dikurshmi, pavarësisht nga emri. Nuk jam mësuar të fshihem, pasi gjithmonë kam qenë një lider. Nuk jam mësuar të zvarritem.
Kur nisi dëshira e Fortuzit për t’u marrë me sportin e futbollit, me të cilin korri jo pak suksese?
Natyrisht, që në shkollën 8-vjeçare, kur atëherë ishin edhe klasat sportive nisën edhe sinjalet e para, por starti ishte në vitin e parë në shkollën e mesme. Në mësime isha nxënës i shkëlqyer, kështu që kur mbarova tetëvjeçaren edhe pse në atë kohë të gjithë bashkëmoshatarët ngulmonin të bënin shkollën e mesme të mjeshtrisë sportive, prindët më sugjeruan që do të ishte më mirë të vazhdoja gjimnazin, pas përfundimit të të cilit do të më jepej mundësia të vazhdoja studimet në një fakultet më autoritar. Ndërkaq, babai më premtoi se do të bënte të pamundurën të më ingranonte në një ekip futbolli dhe kështu ndodhi. Ai kishte njohje me Xhorxhi Pukën, ish-futbollist i Dinamos, në atë kohë trajner i të rinjve të Dinamos. Dhe kështu, një ditë me tim atë shkuam te klubi Dinamo dhe mua më çuan tek ekipi i para të rinjve që stërvitej nga Artur Krantja. Dhe këtu nisi…
Megjithatë, një nisje me frikë dhe emocion, me stërvitjen e parë, teksa fare mirë nuk mendoje në atë çast që më vonë do të vinin kohët e arta për ty?
Momente të paharrueshme me seancën e parë stërvitore. Isha i lodhur, por i kënaqur, ngaqë kisha mësuar gjëra të reja dhe kisha nisur të kuptoja që rruga për t’u bërë futbollist nuk do të ishte aq e lehtë. Arrita ta kuptoj shpejt këtë gjë dhe kështu i dhashë “urdhër” vetes që të sakrifikoja. Kam sakrifikuar vërtet: më duhej të ngrihesha herët në mëngjes, të bëhesha gati për në shkollë, vendndodhja e së cilës ishte në skajin tjetër të Tiranës; pas 6 orë mësimi shkoja në stërvitje tek kompleksi “Dinamo”, më pas sërish në lagje luaja futboll me shokët. Luaja aq shumë, sa në një periudhë pata rënie në mësime. Por, gjithsesi gjërat u normalizuan sërish dhe kur nisa vitin e tretë të gjinmazit e ndjeva se kisha nisur të ecja në futboll, pra kisha një lloj perspektive. Ndërkohë, luaja rregullisht me ekipin e të rinjve dhe ishte trajneri Bejkush Birçe ai që më afroi tek ekipi i parë i Dinamos.
Kur vjen edhe ulja në pankinë apo ndeshja e parë zyrtare për Fortuzin?
Po, është viti 1990 dhe luhej finalja e kupës së Shqipërisë, Dinamo-Flamurtari në “Qemal Stafa”. Nuk i kisha mbushur ende 17 vjeç dhe isha në përbërje të një skuadre ku luanin emra të njohur si: Demollari, Canaj, Bozhiqi, Briza etj. Nuk e harroj atë ndeshje, sepse pas saj u bëra pjesë e ekipit të parë dhe vetëm pak kohë më vonë, më 7 nëntor të atij viti, pra vetëm pak ditë para se të festoja 17-vjetorin e ditëlindjes, kam zbritur për herë të parë në fushë që nga minuta e parë, në takimin Dinamo-Tirana (1-1). Kështu nisi rruga ime sportive.
Por, nuk është se bumi dhe shpërthimi juaj do të ishte me fanellën e skuadrës së Dinamos. Çfarë ndodhi?
Po, natyrshëm që ngjarjet ndryshuan, pasi unë, jashtë modestisë kisha nisur edhe të isha në objektiva skuadrash të tjera. Një prej tyre ishte Tirana. Nga Tirana kishin ardhur enkas Skënder Hyka, sekretari i FK Tirana në atë kohë dhe trajneri Fatmir Frashëri, që sapo kishte marrë “timonin” e skuadrës bardheblu. Më kanë takuar dhe kanë qëndruar gjatë me mua. Përfundimisht, në atë takim iu dhashë fjalën se atë sezon do të shkoja tek Tirana, tek e cila ishte zgjedhur president Metush Seferi. Kështu e ndava mendjen të luaja te Tirana, skuadra e qytetit tim, edhe pse prej kohësh drejtuesit e Partizanit, që në atë kohë ishte klubi më i fuqishëm, ngaqë financohej nga italiani De Simone dhe trajner kishte Sulejman Starovën, këmbëngulnin të më kishin në radhët e tyre. Dinamo e asaj kohe kishte mbetur pa financë, madje ky ishte edhe shkaku kryesor që prej saj u larguan të gjithë lojtarët. Bashkë me mua, te Tirana erdhën edhe Sokol Prenga, Afrim Tole, Saimir Malko e Nordik Ruhi. Një tjetër lëvizje, me shpresën e një konfirmimi më të madh.
Një karrierë e gjatë, ku ke patur të bësh me jo pak trajnerë dhe shumë madje.
Absolutisht shumë. Kam nisur me Artur Krantjen, i cili sot është drejtor i shkollës së mjeshtrisë së futbollit “Loro Boriçi”, më pas me Xhorxhi Pukën, Bejkush Birçen, Neptun Bajkon, Faruk Sejdinin. Kam vazhduar te Tirana me Fatmir Frashërin, Shkëlqim Muçën, Enver Shehun, Ali Memën, Sulejman Memën, Sulejman Starovën dhe së fundmi me Astrit Hafizin. Pak duken? (qesh). Por, janë edhe trajnerët e huaj që nuk duhen harruar aspak, sipas meje. Kanë qenë grekë, austriakë, holandezë, serbë, gjermanë. Kurse te Tirana kam punuar me hungarezin Miklosh Temeshvari dhe boshnjakun Enver Haxhiabdiç. Megjithatë, unë do të veçoja Temeshvarin, sepse ishte pikërisht ai që vuri bazat e profesionizmit të vërtetë në futbollin shqiptar. Rregulli, disiplina e respektimi i të gjithë orareve e normave, si në stërvitje, në ndeshje dhe në kohën e lirë u futën te ne falë këmbënguljes së hungarezit. Ishte një punë që nuk i takonte atij ta bënte, por kur pa që puna çalonte pikërisht aty, ngulmoi dhe ia arriti.
Cila është për “Zogun” ndeshja që nuk do të kalojë lehtë dhe që do të kujtohet si më emocionuesja?
Nuk besoj se është një, në fakt janë shumë, por do të veçoja dy më kryesoret. Me Fandok të Bjellorusisë në vitin 1994, edicionin e Kupën së Kupave të Europës, kur kam shënuar golin e tretë, atë të nockout-it për bjellorusët në minutën e tretë shtesë. Tirana fitoi 3-0 (tripletë e Fortuzit) dhe kaloi në turin tjetër, ngaqë ndeshjen e parë e kishte humbur 1-4. Dhe ndeshja tjetër në vitin 2003 në Champions League, ndaj Dinamos së Tbilisit, ku pas gjuajtjeve të penalltive kaluam në turin tjetër. Kam shënuar golin e dytë në atë ndeshje decizive. Momente shumë të bukura dhe me të vërtetë që do të mbesin pafundësisht gjatë në memorien time dhe të familjes së Tiranës.
Në mbyllje, e ardhmja juaj, tashmë pas shkëputjes nga futbolli?
Them që fillimisht për një periudhë të pushoj dhe të mendoj. Por, një farë ideje edhe me qarkullon dhe besoj se do të nis të ndërtoj një tjetër aneks që më lidh me futbollin. Dëshiroj të përfundoj Fakultetin Ekonomik dhe të nis kursin e trajnerëve për të marrë licencën B, që fillon më 19 maj 2008.