E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zojë Shpije

Presidentja Atifete Jahjaga ka shfaqur një dëshirë të çuditshme. Ajo preferon të mbetet jashtë debateve publike në vend, pavarësisht se mban pozitën më të lartë shtetërore. Analistët politikë thonë se qëndrimi i saj është i pakuptimtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Nga Shpend Limoni më 12 maj 2011 në ora 08:11

Atifete Jahjaga duket se ka ngatërruar rolin e saj prej Presidenteje të vendit me atë të një zonje shtëpie.

Të mërkurën ajo ka bërë një deklaratë të çuditshme, duke thënë se nuk do të jetë pjesë e debatit publik në vend.

Kjo deklaratë e Presidentes ka ardhur pikërisht në ditën kur ajo ka qenë pjesë e një aktiviteti publik, ku ka folur për çështje të gjyqësisë në Kosovë.

Kushtetuta e vendit për këtë pozitë përshkruan kompetenca të shumta.

Atifete Jahjaga që prej se është zgjedhur në këtë post i është shmangur interaksionit me media, por nuk ka hezituar të ekspozohet para kamerave. Ajo ka marrë pjesë në shumë evenimente, ku kryesisht ka lexuar fjalime.

E tani duket se ka ndërruar mendje duke thënë se nuk do të jetë pjesë e debatit publik “askund”.

“Unë, Presidentja e vendit, do të respektoj kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në secilin rast dhe në secilin vend. Kam vendosur se askund nuk do të jem pjesë e debatit publik”, ka thënë Jahjaga.

Më pas ka dhënë edhe një sqarim, duke thënë se këtë nuk është duke e bërë për shkak se nuk ka qëndrim.

“Jo se nuk kam qëndrim, por se këtë qëndrim duhet ta harmonizojmë së bashku në institucione, që kur të vijë puna që unë të nënshkruaj ligjet apo të nënshkruaj çfarëdo vendimi, apo të bëj emërimet dhe shkarkimet, në secilin rast të jenë argumentet ato që më shtyjnë ta bëj një hap të tillë dhe kjo të jetë në interes të vendit, të popullit dhe të shtetit tim”, ka thënë Jahjaga.

Këto komente ajo i ka bërë gjatë një takimi me Grupin Parlamentar të PDK’së, i cili takim ka qenë i mbyllur për media.

Sido që të jetë, Presidenca është kujdesur që qëndrimin e ri të Jahjagës ta bëjë publik përmes një njoftimi për media.

Për njohësit e zhvillimeve politike në vend, qëndrimi i Presidentes është absurd.
Analisti Mufail Limani ka thënë në një prononcim për Express se qëndrimi i Jahjagës është i pakuptimtë.

“Për mua është e pamundur që zonja Jahjga, Presidentja Jahjaga, të realizojë pretendimin që nuk do të përfshihet në asnjë debat politik kosovar. Është praktikisht e pamundur për shkak se çështjet në të cilat ajo ka mandat të përfshihet dhe përgjegjësi kushtetuese janë shumë natyrshëm pjesë e debateve të përgjithshme shoqërore dhe politike në Kosovë”, ka thënë Limani.

“Është nonsens politik. Ne e kemi parasysh që është Presidente konsensuale, por kjo nuk e amniston atë nga përgjegjësia që e ka. Ajo duhet ta kryejë me nder këtë punë, me krenari dhe të japë gjithçka nga vetja, jo që të ndërtojë një pol të ri në politikë - nuk po e them atë, por të përmbushë mandatin e saj kushtetues”, ka shtuar ai.

Limani thotë se numri një i shtetit nuk mund të mbetet një figurinë pa asnjë rol.

“Nëse ajo e mendon, stafi i saj ose partnerët e koalicionit që e kanë zgjedh, që ta lënë aty si një figurinë, mendoj se gabojnë. Mendoj se i bëjnë dëm sistemit politik dhe i bëjnë dëm demokracisë në Kosovë. Kosovës i duhet një president efektiv, i cili e kryen punën e vet, e kryen mandatin kushtetues duke ndërtuar balancat politike në Kosovë, duke i mbajtur natyrisht, duke u kujdesur për funksionimin e sistemit në tërësi dhe ajo nuk mund të mbetet jashtë politikës. Është e pakuptueshme që ajo të mos përfshihet në debate. Nëse nuk është kështu, atëherë çfarë kërkon ajo në atë zyrë”, ka thënë Limani.

Atifete Jahjaga është zgjedhur në postin e Presidentes në prill të këtij, pas një dakordimi të PDK’së, LDK’së dhe AKR’së për emrin e saj.

Më parë ajo ka shërbyer në Policinë e Kosovës. Edhe pse e papërvojë në politikë, në një nga paraqitjet e rralla mediale ajo ka lënë të hapur mundësinë që të garojë në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›