E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina, aty ku femrat jetojnë në ferr

Kina, që prej dhjetëvjeçarësh, krenohet me veten se ka ndaluar çdo lloj diskriminimi seksual. Kjo bie në kontrast me titujt e fundit të gazetave. Një muaj më parë, pesë zyrtarë lokalë në krahinën jugperëndimore të Guizhout, u burgosën për përdorimin e forcës ndaj disa vajzave të mitura fshatare, që të bëheshin pjesë e tregtisë së seksit. Fillimisht ata u akuzuan për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me vajzat e vogla, çka zgjoi indinjatë të madhe në mbarë vendin. Më pas erdhi rasti i dy vajzave të shkollës, të akuzuara nga policia e një tjetër qyteti për ushtrim prostitucioni, kjo edhe pasi testet në spital provuan tërësisht virgjërinë e tyre. Një lajm tjetër është ai i muajit maj, kur Deng Yuijiao tërhoqi vëmendjen e bashkëkombësve, pasi u arrestua për goditjen me thikë, me pasojë vdekjen e një zyrtari të qeverisë vendore që, sipas saj, ishte përpjekur ta përdhunonte. Planet për ta akuzuar vajzën për vrasje ngjallën pakënaqësi të madhe në mbarë vendin. Për herë të parë, qeveria u mendua mirë para se të vendoste dhe në vend të akuzës për vrasje e akuzoi për përdorim të tepruar të forcës në mbrojtjen e vetes. Të gjitha këto lajme dhe incidente kanë ngjallur diskutim të madh në Kinë për gjendjen dhe situatën e vërtetë të grave. Ndërkohë që Pekini ka shpallur barazinë gjinore që nga koha e Maos, i cili shprehimisht ka thënë: "Gratë janë gjysma e dytë e qiellit", por zbatimi i një ideali të tillë nuk ka qenë i lehtë. Dhjetëvjeçarë më parë, Partia Komuniste Kineze bëri përparime të dukshme sa i përket jetesës së grave, duke u dhënë atyre të drejtën për t‘u divorcuar dhe për të punuar në të njëjtin front me meshkujt, si dhe duke u dhënë mundësinë e një shkollimi më të mirë, madje kjo ishte një e drejtë që pak vende të zhvilluara e kishin. Që nga fillimi i zhvillimit ekonomik të vendit në vitet ‘80, ka pasur hapa pas. Shumë gra kineze, veçanërisht elita e pasur, bëjnë një jetë që dikur as që mund ta imagjinonin, duke u shkolluar e duke punuar në kompani të fuqishme dhe me paga që i lejojnë të bëjnë një jetë të mrekullueshme. Por, nga ana tjetër, miliona e miliona vajza e gra jetojnë në kushte shumë të ndryshme. Për to, ndryshimi ende nuk ka ardhur dhe së fundi kanë dalë edhe zakone të së shkuarës që për ca kohë u shtypën. Ndoshta kjo ka ndodhur për shkak të bumit të madh në tregtinë e mishit të bardhë. Qeveria e ka nxjerrë të jashtëligjshëm prostitucionin në vitin 1950, por, megjithatë, sot lokalet ku ofrohet seks në këmbim të parave janë të shumta. Mendohet se në të gjithë vendin ka rreth katër milionë prostituta. Një numër i tillë tregon se si ekonomia e tregut ka kontribuar në njëfarë mënyre për të rritur shfrytëzimin e grave, të shumicës prej tyre, edhe pse për një pakicë kjo mund të konsiderohet një periudhë e artë. Që nga vitet ‘80 gratë e fshatit kanë pasur të drejtën për të lëvizur në zonat e qytetit e për të zënë aty punë, por aktualisht është shumë e vështirë një lëvizje e tillë dhe shpesh për të mbijetuar ato duhet që të prostituojnë në qytetet e mëdha. Ky fenomen ka gjasa që të rritet edhe më për shkak të krizës ekonomike. Deri më tani, problemi i tejkalon kufijtë e prostitucionit. Sipas një sociologu vendas, kapitalizmi ka krijuar një tendencë që ta konsiderojë femrën si "mall" në tregun shumë të vështirë të punës. Për shembull, shumë reklama për punësim kërkojnë gra ose vajza të një moshe të caktuar, e madje në to jepen edhe tiparet fizike të preferuara. Nëse je e zonja, por nuk je e bukur, ka shumë mundësi që të mos punësohesh. Raportet për diskriminimin e grave në punë janë bërë shumë të zakonshme në këtë vend. Në një vend ku dikur grave u jepej një leje e gjatë mëmësie, tashmë ato diskriminohen nëse mbesin shtatzënë. Për këtë shkak, pra të shtatzënisë, të sjelljes në jetë të fëmijëve, një grua nuk shihet kurrë si një burrë, por si një barrë që mund t‘i rëndojë kostos së një ndërmarrjeje. Për këtë shkak, një burrë është shumë më i preferuar se një grua, edhe kur ajo është më e aftë profesionalisht. Megjithatë ka edhe përparime. 50 për qind e studentëve në universitetet e Kinës sot janë gra, ndërsa në vitin 1980 ishte 23 për qind. Kjo është një shifër pozitive, ndërkaq ja një shifër negative. Në pjesën më të madhe të kompanive, gratë fitojnë gjysmën e pagës së burrave për të njëjtën punë. Një shifër tronditëse është edhe dhuna në familje ndaj femrës. Ajo është një dukuri që prek 30 për qind të familjeve të vendit. Vitet e fundit, qeveria është përpjekur që ta zbusë problemin e dasive dhe pabarazive gjinore përmes fushatave kundër dhunës në familje, apo ligjeve që dënojnë ngacmimet seksuale, edhe pse këto gjëra nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Por ka raste kur qytetarët e kanë marrë situatën vetë në dorë. Në disa qytete të mëdha të vendit, organizata të caktuara grash ofrojnë trajnime dhe informacion për ato që duan të shkojnë nga fshati në qytet, në mënyrë që të shmanget rënia në kurthin e prostitucionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›