E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat e izoluara, pritet të nisë shpërndarja e ndihmave nga ajri

Pas një pauze dy ditore si pasojë e borës dhe erës, helikopterët pritet të fluturojnë sot në zonat e izoluara për të vijuar operacionet për shpërndarjen e ndihmave ushqimore ndërsa pritet edhe ndërhyrja e ushtrisë për të zhbllokuar rrugët e izoluara nga dëbora.
 

Ditën e djeshme ministri i brendshëm Bujar Nishani deklaroi se qeveria ka alokuar një fond prej 400 milionë lekësh vetëm për zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora.

Situata në Veri të Shqipërisë vazhdon edhe sot të jetë e rënduar, ku mijra banorë vijojnë të mbeten të izoluar prej gati dy javësh.
Më e rënduar situata është në Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Shkodër e Malësi e Madhe, ku një pjesë e madhe e rrugëve kombëtare vazhdojnë të jenë të bllokuara prej tre ditësh, ndërkohë që rrugët që shkojnë drejt komunave malore janë tërësisht pakalueshme.

Në qarkun e Dibrës temperaturat kanë shënuar ulje ndërsa probleme përveç dëborës së denduar ka edhe me ngricat në shumë zona të këtij qarku. Një grua shtatzënë në rrezik dështimi nuk mund të transportohet në spital, pasi bora, e cila arrin në 2.5 metra, ka bllokuar aksin dhe lëvizja është e pamundur në Kalanë e Dodës . Dy herë helikopteri ka tentuar të ulet në këtë zonë për të shpëtuar gruan shtatzënë por ulja ka qenë e pamundur për shkak të motit të keq.

Ndërkohë mësohet se çatitë e 6 shtëpive dhe çatia e një shkolle janë shembur nga dëbora në komunën Ostren të rrethit të Bulqizës.

Edhe Tropoja është e izoluar dhe rrugët janë të bllokuara nga dëbora. Sipas informacioneve më të fundit janë ndërprerë reshjet e borës, por trashësia e dëborës arrin deri në 3 metra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›