Zonat e lira në blegtori
Një nga mënyrat për zhvillimin e ekonomisë bujqësore të një vendi, është edhe krijimi i zonave të lira ekonomike bujqësore, si një nga mundësitë e veçanta për zhvillimin e shpejtë e të lehtësuar të rajoneve të ndryshme bujqësore e blegtorale të vendit. Unë mendoj se një gjë e tillë mund të aplikohet e të funksionojë më së miri edhe në fushën e zhvillimit të blegtorisë. Ka disa arsye të cilat na shtyjnë të themi se përse kjo gjë do të shërbente si një masë tepër efektive në nxitjen e blegtorisë jo vetëm në shkallë vendi, por edhe në zona të veçanta e me tradita në prodhimin blegtoral.
Pesha specifike e blegtorisë/Së pari duhet thënë se pesha specifike e blegtorisë në raport me prodhimin bujqësor në tërësi nga viti në vit ka ardhur duke u rritur. Kështu për vitin 2010 ajo mendohet të jetë rreth 52 % , që do të thotë se për çdo 100 lek të ardhura nga bujqësia gjithsej, 52 prej tyre vijnë nga prodhimi blegtoral si qumësht, mish, vezë, mjaltë, etj. Ndërkohë që nga bimët e arave dhe pemëtaria ky koefiçent është më i ulët, e shkon respektivisht 31 % dhe 17 %. Së dyti po të shikosh ritmet e zhvillimit të blegtorisë që nga viti 2000, vihet re se ato janë graduale e të qëndrueshme me një mesatare vjetore prej rreth 2.6 %, ç’ka tregon se mundësitë e zhvillimit në perspektivë janë akoma më të larta, po të mbajmë parasysh se vendi ynë në historinë e tij është një vend tradicional blegtoral.
Samimi i madh/Shkencëtari i madh e i papërsëritshëm i blegtorisë shqiptare dhe i gjithë shkencës bujqësore të vendit tonë, Profesori im i dashur e i Nderuar, Rilindasi, Shqiptari i shquar e luftëtari i papërkulur kundër diktaturës komuniste Vasfi Samimi (Visoka), duke dashur të shprehë vlerat historike të kombit tonë ka deklaruar se “Historia e Shqipërisë ka kaluar mbi shpinën e kalit”. Nuk ka përcaktim më real e më të drejtë se kjo shprehje e profesorit tonë të paharruar, për të treguar karakterin historik e njëherazi blegtoral të hapësirave mbarë shqiptare. Por mbi të gjitha, ajo tregon për vlerat e tij intelektuale, i cili së bashku me shumë profesorë të tjerë të kalibrit të tij në mjaft prej fakulteteve të vendit në vitet 60-70, me kulturën e tyre pro perëndimore (Austri, Francë, Itali, etj), ushqyen tek ne frymën liberale perëndimore të kohës. Kësisoj ata na e lehtësuan jo pak trysninë e ideologjisë së kuqe në fakultetet e shkollës së lartë, që vinte nga trashëgimia injorante e diktaturës dhe veglave qorre të saj, sidomos ndaj studentëve që ishin me origjinë nga familje autoktone qytetare.
Blegtoria ndaj GDP-së/Shqipëria sot është vendi më numrin më të madh të blegtorisë në shkallë rajoni, duke vërtetuar edhe një herë se blegtoria në vendin tonë përbën një sektor shumë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare. Po të llogarisim se bujqësia në ekonominë kombëtare zë gati 23 % të GDP, i takon që kontributi i blegtorisë si pjesë e veçantë e saj të jetë më se 12 %. Pra një shifër e konsiderueshme për degët e ekonomisë së një vendi. Thënë ndryshe, gjatë një viti çdo shqiptar nga blegtoria siguron 12 lekë të ardhura, për çdo 100 lekë të ardhura gjithsej. Pra sot për sot pa frikë mund të themi se blegtoria në Shqipëri po zhvillohet në drejtimin e duhur, duke ju referuar së pari traditës si një vend blegtoral me rezerva ende të pallogaritura e të pavlerësuara nga politika dhe së dyti duke marrë rolin që i takon në zhvillimin e ekonomisë kombëtare.
Zonat e lira për blegtorinë/Unë mendoj se tash ka ardhur koha më shumë se kurrë që Qeveria të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim , për të treguar edhe një herë se mbështetja dhe kujdesi i saj edhe ndaj blegtorisë ka hyrë në një rrugë pozitive e të pakthyeshme, krahas projekteve madhore të ullirit, arrorëve, ndërtimit të rrugëve rurale, etj. Kuptohet që ky hap nuk ka vetëm karakter ekonomik, por mbi të gjitha duhet të ketë karakter kombëtar për disa arsye themelore që nuk mund të mos merren në konsideratë, midis të cilave mund të përmendim: a - Rritja e vazhdueshme e në mënyrë konstante e peshës specifike të blegtorisë në ekonominë bujqësore të vendit, si rezultat i rritjes progresive të kërkesave të tregut për prodhime blegtorale të freskëta e tradicionale të vendit. b -Rritja në tërësi e industrisë së turizmit e agro-turizmit, strukturës të tyre në ekonominë kombëtare dhe nevojave të tregut agro - turistik për prodhime blegtorale autoktone, si rezultat i shtimit të numrit të turistëve nga viti në vit e në perspektivë. c-rritja e numrit të fermave blegtorale për treg si rezultat i politikave mjaft miqësore të Ministrisë së Bujqësisë gjatë 5-6 viteve të fundit, veçanërisht i atyre për mbështetjen e prodhimit të qumështit e ka qenë progresive sidomos në fermat e lopëve për qumësht, të bagëtive të imëta, kryesisht dhen për qumësht, etj. d-karakteristikë themelore e tyre është se kemi të bëjmë me shtim të numrit të bagëtive plleja, si kategori kryesore në zhvillimin e qëndrueshëm brenda një ferme blegtorale. Kuptohet që trysnia brenda fermës, rrit në mënyrë pozitive të pashmangshme edhe presionin e fermerëve ndaj politikave të shtetit në adresë të tyre. e-Rritja e treguesve të mbarështimit dhe përmirësimit racor në fermën blegtorale , si rezultat i orientimit më të mirë të vetë fermerëve ndaj liberalizimit të shumë prej këtyre proceseve në fushën e blegtorisë, siç janë inseminimi artificial, etj. f-Rritja së fundi e nevojave për produkte blegtorale jo vetëm e tregut vendas, por edhe atij të huaj si rezultat i krizës ushqimeve në mbarë botën.
Disa prej kritereve/Më i rëndësishmi prej tyre mendoj se mund të jetë Tradita shekullore e mbarështimit të blegtorisë në zonat e ndryshme gjeografike të vendit, e cila duhet thënë se në tërësinë e saj është ruajtur, pavarësisht largimit të një pjese të konsiderueshme të popullsisë drejt migrimit në qytetet e mëdha të vendit, apo edhe në mbarë botën. Kriter tjetër mund të jetë intensiteti i prodhimit blegtoral rajonal, natyrisht i lidhur ky me krahun e lirë të punës dhe nivelin e prodhimit foragjer, mekanizimin e tij, etj. Struktura e prodhimit blegtoral brenda një qarku apo zone gjeografike të caktuar , mund të jetë një tjetër kriter për caktimin e një zone të lirë të prodhimit blegtoral.
Kështu në shkallë vendi struktura e prodhimit blegtoral është e tillë: Qumësht 43%, mish 45%, vezë 9%, mjaltë 3%, lesh 0.3%. Duke parë treguesit e mësipërm të strukturës së prodhimit blegtoral, të cilët mund të vlejnë si orientues, nuk mund të mos vlerësosh se mundësitë e aplikimit të politikave mbështetëse të shtetit ndaj fermerëve që merren me blegtori janë të mëdha, por ato duhen marrë sa më shpejt në konsideratë nga politikë - bërësit, përfshirë edhe ata lokalë. Unë mendoj se tash nuk mund të ecet më me politika të përgjithshme, veçanërisht në zhvillimin e bujqësisë, ndaj së cilës nuk ka detyra vetëm Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit , por edhe Qeveria e madhe, mbështetja e së cilës është akoma e pakët në raport me të ardhurat që bujqësia jep në shkallë vendi.