Zonat e përmbytura, Berisha: Situata po menaxhohet me efiçencë- evakuimi i domosdoshëm në disa zona, asgjë s’mund të krahasohet me jetën
Kryeministri Berisha inspekton zonën e përmbytur në Ishull Shëngjin, në Lezhë dhe punimet për ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, inspektoi sot zonën e përmbytur nga batica e detit Adriatik në Ishull Shëngjin, në Lezhë dhe punimet për ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat. Kryeministri Berisha vlerësoi se ndonëse jo e thjeshtë, situata po menaxhohet me eficencë. Kryeministri kërkoi që situata të ndiqet me kujdes çdo orë, pasi lumenjtë e maleve janë jashtëzakonisht problematikë e të paparashikueshëm në motet e mëdha.Kryeministri u njoh nga afër edhe me ecurinë e punimeve për ngritjen e digës që do të normalizojë situatën dhe do ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i ngritjes së detit. Kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe punën e madhe për ngritjen e digës në një kohë sa më të shpejtë të punonjësve të firmës ndërtuese dhe forcave të ushtrisë, të angazhuara në normalizimin e situatës. “Këtu po ngrihet një digë e re. Firma Pacani dhe ushtria kanë punuar me përkushtim të madh, pa ndërprerje, nuk kanë pasur një orë festë, por vetëm punë, për t’iu përgjigjur emergjencës së krijuar edhe këtu, pasi deti ka kërcënuar thellësisht këtë zonë. Prita që po ngrihet, - shihni sa afër janë shtëpitë - jep një mbrojtje të rëndësishme. Natyrisht kjo është pritë provizore, sepse një pritë e madhe përfundimtare do të ngrihet. Për të gjithë këtë zonë po bëhet një projekt sëbashku me organizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të amortizohen të gjitha pasojat e ngrohjes globale dhe ngritjes së detit. Kështu që jo vetëm do e mbrojmë, por do të përpiqemi t’i marrim tokë detit, në të ardhmen. Rritja e detit ka gllabëruar lagunën,” tha Kryeministri.I pyetur nëse ka ndërhyrje nga dora e njeriut që mund të ketë dëmtuar ekosistemin, Kryeministri Berisha bëri këtë koment: “Në këtë zonë nuk kam të dhëna, por në Tale është verifikuar që po. Dallga është dallgë, por është shumë e zorshme që njeriu të gjendet dorëjashtë. E vërteta është se është më e rralla që mund të ndodhë, por, natyrisht, dallga ishte shumë e fuqishme. Ajo ishte një shkak. Sidoqoftë qëndrime shumë të tjera do të adaptohen në mbrojtje të të gjithë vijës bregdetare, pasi ishte një paralajmërim i parë i madh. Se çfarë ishte, nuk u mor vesh, por një gjë është e sigurt se dallga ishte jashtëzakonisht e fuqishme dhe siç e patë, ka bërë dëme të mëdha. Në tërësi kjo situatë jo e thjeshtë po menaxhohet me eficencë. Forcat e policisë, të ushtrisë, repartet e xhenjos dhe reparte të tjera kanë qenë jashtëzakonisht eficence. Këtyre forcave u janë bashkuara edhe bordet e kullimit. Janë dy hidrovore dhe në tërësi kanë funksionuar. Kjo është një situatë që duhet ndjekur çdo orë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, pavarësisht se ka një status quo, por e vërteta është se lumenjtë e maleve janë jashtëzakonisht problematikë në motet e mëdha, pasi bëhen krejtësisht të paparashikueshëm. Nuk mundet imagjinata e njeriut të di se çfarë ndodh me një përrua që gjatë verës mund të humbasë edhe pikën e fundit të ujit dhe të shndërrohet në një lumë të tërbuar, që përmbyt zona të tëra. Ndaj gjatë kësaj periudhe dhe këtij dimri do të qëndrojmë shumë të gatshëm për të zvogëluar problematikën e krijuar. Pardje hapa televizorin të shoh lajmet dhe ç’të dëgjoj: lajm i mirë për qeverinë dhe lajm i keq për popullin. Thashë ç’po ndodh dhe cili ishte lajmi i mirë për qeverinë? Lajm i mirë se po bie borë dhe po bien prurjet dhe i keq për popullatën e veriut se po i bie borë. Këta të përmbyturit ishin gjela dhe jo njerëz””, u shpreh kryeministri Sali Berisha.Kryeministri Berisha i përgjigjet interesit të medias gjatë inspektimit të ndërtimit të argjinaturës së lumit Mat: Zoti Kryeministër, a mendoni se ka zona të rrezikuara?Kryeministri Berisha: Eventualisht, problemet më kryesore janë në zonën e nën Shkodrës. Atje është ekosistemi ujor më mahnitës. Pavarësisht nga moti, në kufirin që është Liqeni i Shkodrës është lumi i Bunës, është lumi Drin, është deti dhe ndërveprimi i tyre mund të bëhet problematik. Për shembull, dallga që goditi Talen, e cila mori përpara bunkerët dhe pritat e çimentos sikur të mos ishin asgjë, ka goditur edhe në Velipojë, ka fryrë edhe Bunën atë ditë. Së dyti, është kaskada e lumit Drini. Së treti, janë lumenjtë Drin dhe Gjadër.Pra, është një zonë tmerrësisht e bollshme në ujëra. Për shembull, lumi Gjadër është krejt i parëndësishëm, por sot është mjaft i fuqishëm dhe krahas derdhjeve që bëhen nga Komani dhe Vau i Dejës, tani janë dhe derdhjet e Gjadrit dhe të Kirit. Me një fjalë nuk mund të themi se jemi jashtë rrezikut, por ajo që mund të themi është se ky rrezik po menaxhohet me një eficencë të madhe.Ka një problem me banorët, të cilët nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë, por unë do të shkoj përsëri atje. Unë e kuptoj se dhembja për shtëpinë është e jashtëzakonshme, por asgjë nuk mund të krahasohet me jetën. Fëmijët, të moshuarit dhe gratë duhet t’i largojnë. Burrat nuk mund t’i barazojnë ata me veten e tyre. Le t’i marrin e t’i sistemojnë diku dhe në çdo familje le të rrijë nga një burrë. Ne do të çojmë ushqime. Ne e kemi të gjithë sistemin e nevojshëm të varkave për t’i furnizuar.Zoti Berisha, përpara kësaj situate të krijuar tani mendoni se është situata është menaxhuar mirë më parë, sepse ka zëra që kanë kërkuar edhe hetim?Kryeministri Berisha: Opozita, pasi i dolën avujt e Sharm El Sheik-ut dhe Burj Al Arabia, u kujtua dje të kritikojë. Një gjë është e sigurt, se në origjinë të këtij problemi është Komani. Liqeni i Komanit ka një specifikë, nuk është liqen i madh dhe nuk ka ku të hapet, përveç se të përmbytë veprën e prodhimit të Fierzës. Origjina është një rritje e jashtëzakonshme e lumenjve të Alpeve, lumit të Valbonës, lumit të Currajt dhe lumenjve të tjerë, prurjet e të cilëve arritën në 1450 m3/s. Liqeni i Komanit është një liqen i cili maksimumin e ka 176 m3/s dhe nuk mund të shkojë më shumë, sepse kërcënon dhe Fierzën. Kurse eficenca po zbriti nën 170 m3/s i bie. Pra, pati një vërshim shumë të madh të lumenjve të Alpeve. E vërteta është se Fierza atë ditë Fierza u mbyll për të mos shtuar ujera në Koman, por prurjet ishin shumë të mëdha nga lumenjtë e Alpeve dhe këto bënë që të hapet tuneli i Komanit, i Vaut të Dejës, kurse këto 2-3 ditë është derdhur edhe nga Fierza. Derdhja është bërë për përkujdesje, sepse ka një rregullore që në mote të mëdha këto hidrocentralet duhet të shkarkohen. Vetëm Vau i Dejës ka kapacitete shkarkuese mbi 6000 m3/s. Kjo është e parashikuar, nuk ka rrugë tjetër. Po ashtu dhe Komanit nuk ke ç’ti bësh, është i ngushtë dhe duhet të shkarkohet.Sipas informacioneve tuaja, Fierza dhe Komani gjatë muajit dhjetor janë menaxhuar mirë?Kryeministri Berisha: Sipas informacioneve të mia, gjatë dhjetorit, Komani është mbajtur në nivele fare të ulëta. Ky është informacioni që kam. Ka një praktikë se si duhet t’a menaxhosh, por Komani dhe Vau i Dejës kanë qenë në nivele të ulëta, ndërsa uji është depozituar në Fierzë. Sigurisht, uji depozitohet, sepse mund të ketë ftohjet të thella. Nuk mund të përsëriten më situatat e mungesës së energjisë. Këtë t’a harrojë kushdo, sepse do të bëhet çdo gjë që vendi të ketë energji. Shifrat janë, kush do të shkojë t’i marrë. Mesa di ato publikohen çdo ditë dhe le të shkojnë t’i marrin e të shohin nivelet. Nivelet kanë qenë fare të ulëta. Madje, do të thosha se për mua kanë qenë më të ulëta seç duhet. Por, kjo është detyre e specialistëve dhe jo e imja....