“Zonë e infektuar” - kujdes nga media e paguar
Në dimensionet e një fushate elektorale, ajo nis nga partitë politike, mirëpo siç bëhen gjërat gjithmonë “shqipo”, ajo ka filluar nga gazetat e majta. Duken sikur kanë rënë tamburet e luftës elektorale, madje një murg gazetar i bie këmbanës 24 orë në 24, e sikur i ndihet shumë pikëllimi. Në “krosin” e medieve të pavarura të majta janë urdhëruar ditët e fundit të rinisin ashpër elektoralet me fishekun e Gërdecit ndërsa sinjali, që ka rënë SOS rrezikon rëndë median e lirë për shkak të pagesës, të kuptohemi nga bosët e këtyre medieve, që nuk kanë ndoshta fort ndryshim nga mafia. Të gjitha urat, që na lidhin me këto media tashmë janë rrëzuar, ngase nëpër llagëmin apo tunelin e fshehtë ka udhëtuar mbrapsht urdhri i lëshuar për rikujtimin dhe gënjeshtra me Gërdecin. Nuk ka mundësi që një sërë gazetash prej një jave hapen dhe mbyllen me të njëjtin titull e të njëjtat shifra. Për ta bërë më të besueshmin lajmin me gënjeshtrat “Gazeta shqiptare” shpalli se iu bllokua tirazhi, dmth u shit, por u ble nga një i panjohur. O popull, ç’po na dëgjojnë veshët? Ku jetohet, ende nëpër shpellat ku shpiken kësi gënjeshtrash që jemi të detyruar t’i dëgjojmë si komentohen vulgarisht nëpër kafenetë e provincës; të tipit “d.m.th ai Saliu kishte dërguar fshehtas një shikas për të blerë të gjitha gazetat...”. Një gjë të përbashkët të godasin mazhorancën ndër përpjekjet që ato kanë bërë në të katër vitet, duke hedhur në erë çdo gjë të mirë, sepse atyre u janë rrezikuar aferat, u janë mbyllur kusaritë e kontrabanda u ka ngecur nëpër dogana. Ku ka gjë më të mirë se të të shitet gazeta. U ble nga një i panjohur? Kush është ky i panjohur dhe përse duhet që qeveria ta gjejë këtë të panjohur që ka blerë shtypin? Me ç’ligj do të ndjekë apo hetojë se përse bleu shtypin, kur ai as e vodhi, por dha para dhe bleu mall aq sa deshi? Cili ligj e ndëshkon këtë qytetar dhe cila është përgjegjësia e qeverisë këtu?
Ca papagaj të mësuar si drejtuese mediesh ashiqare shpikin gënjeshtra e nuk e përgënjeshtrojnë asnjëherë dhe ç’është më e keqja, nga kjo skutë lindi edhe vjedhja e orës së Bushit. Sot asistojmë teksa abuzohet rëndshëm me fjalën e lirë dhe haptas shpiken informacione edhe për mungesë lirie shtypi në këtë vend, ku në 4 vite asnjë reporter medie nuk u dënua, qoftë edhe me gjobën më të vogël. E këtë na e thonë edhe ato media, të cilat harrojnë se ne - gazetarëve që dje ishim në opozitë - nuk na kursehej asnjëherë dyfeku që kishin si trofe nga rebelimi i fundit. Në “krosin e medieve” të infektuara qytetari ndjen mungesën e lirisë, bosët ua kanë zënë frymën me paratë që kanë buruar nga gjithfarë skutash në 8 vitet e qeverimit të majtë.
Kështu lexues i dashur, kur të shkosh në kioskat e shtypit, kujdes mos shkel: “zona e infektuar”, lexohet “media e paguar nga mafia dhe opozita”. Ata kërkojnë pushtetin duke përdorur si alternativë programin e mashtrimit.