Dikur dhe Sot
Sa herë ndeshesh me përsëritje të lajmit si ky, që “SHBA i kërkoi Bangladeshit të njohë pavarësinë e Kosovës”, një shqiptari të Prishtinës apo Tiranës, i ndërmendet edhe historia, saqë shtegton fluturim, nga Pekini në Uashington.
Dikur, ose 40 vite më parë, që për historinë janë sikur të kishte ndodhur dje, Republika Popullore e Kinës avokate më të zjarrtë dhe zëdhënëse më besnike për pranimin në OKB, pati Republikën Popullore të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1970, Shqipëria kryesoi një rezolutë të saj dhe 22 vende të tjera, që u shqyrtua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Zëvendësministri shqiptar i punëve të Jashtme, në fjalimin e mbajtur me atë rast, pati theksuar që, “Nuk është Republika Popullore e Kinës ajo që ka nevojë për Kombet e Bashkuara, përkundrazi janë Kombet e Bashkuara që kanë nevojë për Kinën” dhe, po aty, ai sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata që, në atë kohë kanë qenë në moshë të rritur dhe e ndiqnin me vëmendje politikën, kujtojnë lehtësisht se si, Tirana zyrtare u vetëmburr për këtë, ndërsa zëvendësministri përgëzohej pas kthimit, sikur kishte bërë heroin, m’u në strofkën e imperializmit, në Nju-Jork. Një vit më pas, më 25 tetor 1971, OKB miratoi rezolutën 2758. Republika Popullore e Kinës zuri vend në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësinë e përhershme në Këshillin e Sigurimit.
Por, avokatja bubulluese e Pekinit, kryente heshtësen e dënueshme ndaj Prishtinës. Pavarësia e shtetit të Taivanit qe kthyer në problem serioz edhe për Tiranën, ndërkohë që Kosova nën shtypjen e Serbisë, për të ishte tjetërsuar në vis të largët e jashtë vëmendjes.
Sot, ose 40 vite më vonë, avokate e vendosur e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Shqipëria gjeti mbështetjen e madhe të Uashingtonit për krijimin e “Adriatik 3”, udha e qartë drejt Aleancës Atlantike, dhe antarësimin e plotë në NATO, më 1 prill 2009.
Kjo ndërthurje është një çudi e historisë, kryqëzime gjeopolitikash e befasi shtangëse. Tirana komuniste, për shkak të marrëzisë në ideologji, përfundoi në Lindjen e Largme, ose siç thosh populli, “te len Dielli”, ku i duhej të siguronte dy përfitime jetike: ndimën ekonomike dhe deklaratën e Mao Ce Dunit se, po t’i prekej Shqipërisë edhe një fije floku, do të kishte mbrojtjen e Kinës së madhe Popullore. Por, siç dihet, ideologjia komuniste në Shqipëri nuk u vu në provë a rrezik nga Perëndimi, përkundrazi, ajo shpejtoi vetvrasjen nga vetmbyllja, pas ballafaqimit idiot me Pekinin, pikërisht atëherë kur Kina po ndërtonte strategjine e politikës së hapjes. Atë ditë e më pas, socializmi i çmendur shqiptar, që “ecte në udhë të pashkelura, sepse ajo jugosllave, sovjetike e kineze kishin degjeneruar”, u zbeh, u venit, ra në koma dhe vdiq, më përpara se kudo.
Por, ndodhi siç thuhet në Bibël, që nga vdekja e farës (kalbja e saj pas mbjelljes në tokë) lind tjetër jetë - bima e re. Shqipërisë i duhej të gjente rrugën e natyrshme drejt Perëndimit dhe domosdoshmërisht të krijonte aleatë. Asaj nuk iu nda fati gjeografik i aleancave në largësive të mëdha, por bëri përpjekje të stërmundimshme për t’i fituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tek e cila nuk ishte më e rëndësishme marrja e dollarëve cash, por mbërritja e mbështetjes politike të saj. Kosova, nën terr e tmerr, përbën gati rastin e pashoq, se si përzgjodhi nga vetvetja Rugovën lider të vet, i cili mundi dhe qe pabesueshmërisht i kthjellët, nuk u lëkund kurrë e asnjë grimë në strategjinë fituese: Qendresë paqësore dhe aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë e panënshkruar askund, por e mbështetur te çështja e lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracia, çoi në tri angazhime gjigande të Uashingtonit, ndaj popullit të vogël të Kosovës: Udhëhoqi çlirimin. Njohu pavarësinë e para. Dhe, u bënë avokat, duke u kërkuar kryeqyteteve të ndryshme të botës, të njohin Republikën e Kosovës. Kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj u vendosë tre aleatët e dikurshëm të mëdhenj të Shqipërisë komuniste: Serbia, ose shpirti i ish - Jugosllavisë, nuk e ndërpret qendrimin armiqësor as sot e kësaj dite; Rusia, deklaruese e ashpër dhe vepruese e vendosur kundër pavarësisë; Kina, kundërshtuese e heshtur. Jo vetëm lufta, por edhe paqa, jo vetëm pavarësia, por edhe njohjet, janë çmim i lartë i verifikimit të politikave, historisë dhe aleancave, diçka e vlefshme për t’i shërbyer të ardhmes, që shqiptarëve të të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, u është dashur të ndërtojnë gjatë dy dhjetvjeçarëve të fundit.
Kosova është në të drejtën e vet dhe nuk i ka kurrëfarë borxhi Serbisë. Kosovës i takonte liria, dhe u çlirua. E meritonte shtetin, dhe u pavarësua. U njoh, dhe po njihet. Dhe, siç Kina u anëtarësua në OKB për shkak të së drejtës dhe gjigandizmit të saj e kryeqyteti kinez u thirr “Pekin” e nuk u quajt me emrin e vjetër nacionalist “Peiping”, do të vijë një ditë që Kosova do të jetë anëtare e OKB e mbështetur nga e drejta e vet dhe njohja ndërkombëtare, me avokaten e madhe SHBA, e ditë pas dite shteti i ri do të thërret me emërtimin e shumicës dërrmuese, në shqip - Kosovë e jo në serbisht - Kosovo.