E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Qeveria do të vazhdojë rritjen e rrogave e pensioneve”

Autori i Lajmit: red.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, gjatë një takimi me gra e të reja të qytetit të Peqinit, premtoi se "qeveria do të vazhdojë rritjen e rrogave e pensioneve". Gratë peqinase i uruan mirëseardhjen në takim Kryetares së Kuvendit, e cila po ndan emocionet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ngjarjes historike për vendin. Të angazhuara në profesione të ndryshme, të afta për drejtimin e biznesit, të suksesshme në familje dhe studente të shkëlqyera, gratë peqinase i thanë Kryetares së Kuvendit se ndihen më dinjitoze, më të forta e më të guximshme me hyrjen e Shqipërisë në NATO. Topalli, duke falënderuar gratë për mbështetjen dhe besimin që u japin reformave të ndryshimit të Shqipërisë, tha se "kjo është shenjë emancipimi dhe guximi. Gratë janë arkitekte të familjes e shoqërisë. Në çdo grua, në çdo nënë e gjyshe, unë gjej më shumë se kudo tjetër, forcën e kurajos dhe vizionin e madh për të ardhmen. Jam e sigurt se Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot, pa angazhimin e secilës prej jush", - iu drejtua kryeparlamentarja Topalli, grave të këtij qyteti. Duke vënë në dukje transformimet në këtë zonë, ajo tha se "gjatë katër viteve të fundit në Peqin janë investuar 1.4 miliard lekë ose 15 herë më shumë se sa janë investuar gjatë periudhës 8-vjeçare. Nuk ka qeveri tjetër në botë që për një periudhë trevjeçare të dyfishojë buxhetin e saj, duke dyfishuar rrogat e arsimtarëve, dhe duke siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme. Pak ditë më parë Edi Rama tha se ju nuk guxoni të rrisni më rrogat dhe pensionet. I them nga Peqini se ne do të vazhdojmë të rrisim edhe rrogat, edhe pensionet. I them nga Peqini, vijoi ajo se këto kontrata janë nënshkruar dhe në mandatin e ardhshëm do të jetë një realitet, se këto kontrata do të thonë më shumë para për qytetarët, më shumë rroga, më shumë punësim. Partia Demokratike në mandatin e ardhshëm do të përfshijë edhe më shumë gra, zonja, vajza e studente, në të gjitha proceset", - tha kryetarja Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›