E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më 1 maj arsimtarëve do t`u dyfishohen rrogat”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shefi i qeverisë dhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar përsëri nga Korça ku ka marrë pjesë në turin “Shqipëria po ndryshon”, se duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe sesa më 2005. Berisha nënvizoi ndër të tjera: “Duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe, sesa në vitin 2005. Opozita më kërkon të mos rris pagat, opozita protestoi se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi nuk mund t i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. Ndaj, ne do t i dyfishojmë pagat më 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë. Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar. Ju do të mësoni në shkolla dinjitoze, në shkolla të reja, me sistem ngrohjeje, me kabinete informatike, me terrene sportive, në shkollat që ju meritoni. Duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet. Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, do të ketë zhvillime shumë më të mëdha për moshën dixhitale”, - tha kreu i qeverisë. Kryeministri gjithashtu vuri në dukje se Tirana, si kryeqyteti i vendit, duhet të ishte në krye të përpjekjeve për ndërtimin e shkollave, me synimin kryesor uljen e numrit të nxënësve në klasa. “Ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv”, - tha Kryeministri, duke shtuar se nuk do të pranojmë që nxënësit e Tiranës të mësojnë në shkolla pa kushte, ku mungon ngrohja. Kryeministri Berisha vlerësoi kushtet që ofron tashmë ky institucion, ndërsa informoi se në 2-3 muaj, përfundon ndërtimi i 8 konvikteve në të gjithë vendin. “Pas rikonstruksionit u arrit standardi dy nxënës në një dhomë dhe kjo përbën një arritje të madhe. Në vitin 2006, qeveria vendosi ndërtimin e një zinxhiri të tërë konviktesh në mbarë vendin dhe gjatë këtyre 2-3 muajve, përfundon ndërtimi i 8 konvikteve në mbarë vendin”, - tha Berisha, duke shprehur gatishmërinë për ndërtimin e konvikteve me qëllim që fëmijët e zonave të largëta të shkollohen në qendrat e qarqeve. Ai premtoi se edhe në konvikte do të vendosen kabinete informatike. Rrethi i Korçës, shënon rekord për nga shifra e investimeve në fushën e arsimit, gjithsej 6 milionë dollarë për vitet 2006-2008, nga të cilat 3 milionë dollarë vetëm në qytetin e Korçës. Investimi më i fundit është ”Shkolla e Re” e ciklit nëntëvjeçar në qendër të qytetit me një vlerë prej 940.000 USD. Shifra përfshin jo vetëm ndërtimin e shkollës, por dhe pajisjen e saj me laboratorë. Kryetari i qeverisë në ceremoninë e përurimit të shkollës tha se në të gjithë vendin janë ndërtuar 1012 shkolla. Ai premtoi se në mandatin e dytë nuk do të ketë asnjë shkollë të parikonstruktuar. Kryeministri inspektoi dhe punimet e përfunduara tashmë për rikonstruksionin e konviktit të shkollës profesionale “Demir Progri” me vlerë të përgjithshme 300 mijë dollarë. Pajisja e shkollave me konvikte përbën gjithashtu një prioritet të qeverisë. Por këtu kryeministri theksoi rëndësinë që do t i kushtojë qeveria edhe në të ardhmen arsimit profesional. Një tjetër investim i rëndësishëm është ai në shkollën “Sevasti Qiriazi" e përfunduar vetëm një muaj më parë. Shkolla ka standarde shumë të mira dhe në të po kryhen të tjera punime shtesë. 650 mijë dollarë nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për ringritjen e saj nga e para dhe kompletimin me laboratorë modernë.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›