E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi merr pjesë në përurimin e shtëpisë muze të Nënë Terezës në Shkodër.

19 tetor 2008

Në vijim ta aktiviteteve përkujtimore të Nënë Terezës në 5 vjetorin e Lumturimit, Zonja e Parë Teuta Topi ka qenë sot e pranishme në qytetin e Shkodrës për inaugurimin e shtëpisë muze të Nënë Terezës. E shndërruar në qendër muzeale, banesa ku bamirësja e mirënjohur dhe familja e saj ka jetuar në vitet 1932-1933 në qytetin e Shkodrës, është rikonstruktuar plotësisht nga Unioni Botëror i Paqes, si qendra e parë e këtij lloji në Shqipëri, e hapur nën kujdesin e Zonjës së Parë, Teuta Topi.

Zonja Topi ka vizituar ambientet e kësaj shtëpie muze, në të cilën janë ekspozuar rreth 40 foto dhe dokumente e objekte personale të cilat i përkasin viteve të fëmijërisë, familjes së Nënë Terezës dhe vizitave që ajo zhvilloi në Shqipëri.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zonja e Parë, Teuta Topi vërejti se figura e Nënë Terezës duhet të na inspirojë për më shumë tolerancë në realitetin e sotëm. “Hapja e kësaj qendre muze për figurën e Nënë Terezës ka vlera të mëdha, pasi këto vlera ia jep vetë emri i bamirëses së madhe që është bijë e mbarë botës. Ajo kishte vlera që ne të tjerëve ndoshta na mungojnë. Por që duhet të kthejmë gjithmonë kokën tek vlerat e saj. Ajo ishte njeriu që edhe mëshirës i dha pushtet. Ajo ishte njeriu që e vlerësoi dashurinë si gjënë më të shtrenjtë në botë, nëpërmjet së cilës njerëzit duhet të ecin përpara. Ishte njeriu që i dedikoi jetën e saj njerëzve në nevojë. Ajo e realizoi me shumë fisnikëri misionin për të cilin kemi ardhur në jetë: t’i dhurojmë jetës sa më shumë jetë, sa më shumë mirëkuptim, sa më shumë tolerancë. Duhet që gjithësecilin ta shikojmë si vëlla, si mik, si shok pasi vetëm kështu mund të ecim përpara”, nënvizoi Zonja Topi.

Ndërsa Presidenti i Unionit Botëror të Paqes, Xhanfranko Kosta, tha se kjo shtëpi muze e hapur në Shkodër, në qytetin ku Nënë Tereza ka jetuar për dy vjet, na bën të ndiejmë e të shohim se si Shqipëria e vogël i ka dhënë botës një grua të shkëlqyer që i takon të gjithëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›