E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti bullgar Parvanov ritheksojnë vullnetin politik për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh. &

3 dhjetor 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov, i cili, me ftesë të Kryetarit të Shtetit, po zhvillon një vizitë dyditore zyrtare në vendin tonë.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes në Pallatin e Brigadave, dy Presidentët zhvilluan një takim disa minutësh kokë më kokë dhe më pas, në krye të delegacioneve respektive, zhvilluan bisedimet bilaterale. Në përfundim të tyre, dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u shprehën:

Presidenti i Republikës, Bamir Topi:

Përshëndetje,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, përfaqësues të medias,

Kam rastin edhe një herë përpara jush të falenderoj Presidentin e Bullgarisë, zotin Parvanov për pranimin e ftesës për të ardhur në Shqipëri me një vizitë zyrtare dhe për t’i kontribuar forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Me zotin Parvanov, sipas protokollit, patëm një takim kokë më kokë dhe një takim pune dhe mund t’ju them që nga palët, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bullgarisë konsiderohen mjaft të mira, dialogu politik është në nivelin më të lartë dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale janë mjaft frytdhënëse dhe komplekse. Theksi në bisedimet tona është vënë pikërisht në forcimin e këtij dialogu politik. Sikurse e dini, sot në botën globale, vizitat e ndërsjellta janë mjaft të rëndësishme. Nuk është e rastit që brenda pak muajve Shqipërinë dhe Bullgarinë e kanë vizituar personalitete shumë të rëndësishme. Shqipëria është pjesë e aspiratës euroatlantike, të cilën Bullgaria e ka kaluar prej vitesh. E falenderova Presidentin Parvanov për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë pikërisht në këtë rrugë, për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit në NATO dhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. E falenderova gjithashtu Presidentin Parvanov për njohjen e shpejtë që Bullgaria i ka bërë shtetit të ri të Kosovës. Kemi vlerësuar të gjitha raportet politike jo vetëm bilaterale, por edhe ato rajonale dhe kemi pasur të njëjtin qëndrim që këto raporte të mira politike kërkojnë domosdoshmërisht intensifikimin e marrëdhënieve politike. Ka shumë deklarata optimiste që bën politika. Edhe sot ne vazhdojmë këto deklarata me vullnetin e mirë politik, por ka nevojë më shumë për konkretizime. Bota praktike kërkon konkretizim të projekteve reale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kemi diskutuar rreth një teme shumë të ndjeshme, për marrëdhëniet ekonomike. Në këtë ambient, jo më larg se 24 orë, për të thënë që nuk janë mbushur 24 orë, kemi patur Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, i cili është treguar i gatshëm për t’i dhënë një mbështetje “Korridorit 8”. Sot kemi një përfaqësues të nderuar të një vendi tjetër të Bashkimit Evropian, Presidentin e Bullgarisë, zotin Parvanov, i cili e mbështet fuqishëm projektin e “Korridorit 8”, por edhe autoritetet shqiptare, dhe ato të Maqedonisë kanë qenë vazhdimisht në kërkim të realizimit të këtij projekti të rëndësishëm. Pra, kur ky vullnet politik është i sinkronizuar, unë i kërkova zotit Parvanov që të ushtrojë më shumë presion në Bashkimin Evropian, në Bruksel, së bashku me Italinë, që projekti të realizohet dhe të gjehen të gjitha burimet financiare për ta filluar dhe kur themi për ta filluar, për ta filluar ashtu siç kërkohet, me të gjitha standardet e duhura, sepse secili vend ka bërë atë ç’ka pasur mundësi të bëjë për realizimin e këtij Korridori. Mbetem optimist për mundësinë e realizimit sa më shpejt që të jetë e mundur të këtij vullneti.

Kemi diskutuar për një tjetër çështje të rëndësishme që është ajo e energjisë. Presidenti Parvanov është bërë iniciator i një samiti ballkanik, që do të realizohet në muajin prill të vitit që vjen në Sofje, ku ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen dhe që do të jemi kontribues me diskutimet për zgjidhjen e një problemi që është rajonal, pse jo edhe evropian. Në këtë këndvështrim kemi ritheksuar edhe një herë domosdoshmërinë e realizimit të projektit AMBO, për çështjet e gazit, për çështjet e naftës. Kemi vlerësuar bashkëpunimin dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, në fushën e bashkëpunimit kundër trafiqeve ilegale dhe terrorizmit ndërkombëtar, në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, në fushën e mbrojtjes dhe Bullgaria ka një eksperiencë të rëndësishme në këtë fushë dhe të gjitha këto janë pjesë e marrëveshjeve që ne i kemi realizuar dhe Parlamenti i ka ratifikuar.

Të dy kemi rënë dakord që stabiliteti i rajonit ballkanik është shumë i rëndësishëm. Më vjen mirë që edhe sot dëgjova nga Presidenti Parvanov të njëjtin qëndrim konstant përsa i përket çështjes së Kosovës. Sikurse Shqipëria, ashtu dhe Bullgaria është kundër çdo lloj skenari që do të presupozonte mundësinë e ndarjes së Kosovës. Realiteti në Kosovë është një realitet i pakthyeshëm dhe ramë dakord dhe kishim të njëjtin qëndrim për nevojën e mbështetjes së misionit EULEX për t’u shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës. Ne vazhdojmë të kemi predispozicion të lartë për të mbështetur njëri-tjetrin në të gjitha nismat që ka OKB-ja. Me pak fjalë jemi në marrëdhënie të shkëlqyer në të gjitha fushat dhe ajo për të cilën ne jemi dakord që niveli i lartë i dialogut politik kërkon domosdoshmërisht rritjen e shkëmbimeve ekonomike, të cilat për fat të keq, deri më sot nuk janë në nivelin e kërkuar. Një vend i Bashkimit Evropian, Bullgaria, popullsia e të cilit ka ndjerë të njëjtën nevojë për liberalizimin e vizave, në kohën kur ende nuk e kishte marrë statusin, i kërkova kolegut dhe mikut tonë zotit Parvanov, që edhe Bullgaria të ushtrojë influencën e vet në politikat e Brukselit që sa më shpejtë të jetë e mundur të kemi një regjim total të liberalizuar të vizave në mënyrë që edhe populli shqiptar, çdo qytetar i Shqipërisë, të ketë mundësi të pakufizuar për të lëvizur i lirë. Është momenti kur Shqipëria maksimalisht po tenton të plotësojë standardet e kërkuara edhe nga Brukseli në funksion të lëvizjes së lirë të njerëzve.

Faleminderit!”

Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov:

I nderuar zoti President,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Edhe unë gjithashtu dua të shpreh kënaqësinë time për bisedimet që kemi zhvilluar. Me të vërtetë mund të flasim për një dialog shumë aktiv politik në të gjitha nivelet dhe në veçanti në nivelin midis krerëve të shteteve. Unë shpresoj që kjo vizitë zyrtare dhe këto bisedime që kemi zhvilluar do të jenë një katalizator i marrëdhënieve dypalëshe midis institucioneve të tjera.

Gjithashtu, qenia ime këtu është një dëshmi tjetër për mbështetje për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Unë personalisht kam përkrahur gjithmonë në forume të ndryshme politikën e vendeve të hapura të NATO-s dhe gëzohem shumë që së shpejti ne do të jemi jo vetëm vende mike, por edhe vende aleate.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Bullgaria gjithmonë ka mbështetur politikën përsa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane. Dua të theksoj se po shoh një mbrapsje nga rendi i ditës të konstatuar në Samitin e Selanikut lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Unë shoh tre pika kyçe për zhvillimin në Ballkanin Perëndimor përfshirë edhe Shqipërinë. Së pari mbështetjen e qartë, eksplicite të orientimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë në strukturat përkatëse. Anëtarësimi është arritja së pari e kritereve të veçanta, por ama nuk duhet të ketë mbrapsje nga politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Pika e dytë kyçe, mundësia e dytë për prosperitetin e këtyre vendeve është zhvillimi i infrastrukturës.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Në detyrën e Presidentit, që kam shtatë vjet që e ushtroj, unë kam qenë dëshmitar dhe kam marrë pjesë në shumë forume shumëpalëshe ku janë bërë deklarata praktike. Ne jemi dëshmitarë se si Evropa është në gjendje të zhvendosë, të marrë një resurs të veçantë financiar dhe unë këtë e përshëndes. Me shumë më pak resurse do të mund të bënte shumë më shumë duke investuar në këto zhvillime infrastrukturore dhe në realizimin e këtyre korridoreve.

Dhe pika e tretë kyçe është energjitika, në funksion të problemeve që ka jo vetëm rajoni, por edhe Evropa. Dhe pikërisht, duke u nisur nga kjo unë mora përsipër iniciativën për organizimin e Samitit të Energjitikës, në të cilin unë kam ftuar kryetarët e shteteve të gjithë rajonit tonë, gjithashtu të zonës së Detit të Zi, të Kaukazit, të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. Politika evropiane përsa i përket energjitikës akoma është një politikë për të nesërmen, ndërkohë që jemi dëshmitarë të asaj se sa shumë kanë filluar të ndryshojnë raportet midis palëve që kanë burime energjitike dhe palëve që janë konsumatore të energjisë. Një temë tjetër që do të prekja këtu është dialogu shumë i mirë politik dhe marrëdhëniet jo dhe aq të kënaqshme ekonomike. Në këtë aspekt unë mendoj se do të ishte mirë të krijoheshin së pari shoqëri të përbashkëta, gjithashtu mund të ketë investime bullgare në fushën e industrisë ushqimore dhe në fushën e turizmit dhe të energjitikës, sidomos në energjitikën me burime hidroenergjitike.

Përsa i përket Kosovës, Bullgaria e realizoi aktin e njohjes së saj. Gjithashtu, lidhur me këtë çështje, unë kam theksuar se pala bullgare, Bullgaria, pret dëshmi të reja të vazhdimit të politikës së lidershipit të Kosovës, përsa i përket pakthyeshmërisë së karakterit multietnik të Kosovës. Mendoj se dhe në të ardhmen NATO-ja dhe BE-ja duhet të jenë garante për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës në këtë aspekt dhe për një Kosovë, që do të bëhet pjesë e kësaj bashkësie. Dhe presim nga ana e Beogradit dhe nga ana e Prishtinës më shumë konstruktivitet në rritjen e vendosjes së EULEX-it në territorin e Kosovës. Nuk do të lija pa përmendur dhe kënaqësinë time për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ngritjes së Qendrave Kulturore Informative, që do të jetë një stimul tjetër në zhvillimin e marrëdhënieve. Edhe një herë duhet të theksoj që ne po presim nga të gjitha palët më shumë konstruktivitet lidhur me vendosjen e Misionit të EULEX-it në Kosovë.

Televizioni Publik Shqiptar: Një pyetje të përbashkët për Presidentët. Të dy Presidentët u shprehën për nevojën e çuarjes përpara të projektit të “Korridorit 8”. Çfarë presin të dy vendet si efekte financiare në rastin e realizimit të këtij Korridori dhe çfarë do të kërkohet konkretisht nga Bashkimi Evropian?

Presidenti i Republikës, Bamir Topi:

Natyrisht që të ndërtosh projektin për këtë Korridor kaq të rëndësishëm do të thotë të kesh të gjitha pasojat pozitive, në të gjitha këndvështrimet e mundshme, lëvizje njerëzish, lëvizje e mallrave dhe kjo shoqërohet patjetër me të gjithë infrastrukturën e përcjelljes së gazit dhe të naftës dhe me një afrim infrastrukturor të vendeve të rajonit. Ajo që është më e rëndësishme, çfarë kërkojmë ne nga Bashkimi Evropian dhe më afër BE-së është sot Bullgaria që është sot pjesë e Bashkimit Evropian. E thashë përpara jush që e diskutova me Presidentin Parvanov se edhe Bullgaria edhe Italia, që janë pjesë e këtij Korridori mund të bëjnë lobingun e nevojshëm, që të ketë më lehtësi për marrjen e vendimeve në Bruksel për projektin dhe financimin, për burimet financiare. Ka një shpjegim shumë të qartë dhe të natyrshëm. Në rajonin ballkanik ka vende, që janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër janë pjesë e aspiratës europiane, që dëshirojnë dhe janë në rrugën e anëtarësimit. Besoj që është edhe në politikën e Bashkimit Evropian, që me pjesëmarrjen e dy vendeve që janë anëtare të BE-së të ketë një mbështetje për projekte të tilla dhe në rajonin ballkanik. Është një projekt shumë i rëndësishëm që ne po e bëjmë me mundësitë tona që është degëzim i këtij Korridori, patjetër rruga Durrës-Prishtinë, e cila është pjesë e një Korridori, që do të vazhdojë dhe në Evropën Qendrore. Pra, të gjitha korridoret janë shumë të rëndësishme. Vendet ballkanike nuk mund të jenë më vende të izoluara nga njëra-tjetra. Pra, në kuptimin simbolik dhe figurativ të fjalës, është më mirë të bësh një metër rrugë, sesa të flasësh dhjetë herë për rrugën. Kemi vite që dëgjojmë për projektin e “Korridorit 8”. Por, kur të gjithë janë dakord që ky Korridor duhet të ndërtohet, sepse të gjitha riperkursionet janë shumë pozitive, atëherë pse të mos ndërtohet, pse të mos fillojë? “Korridori 8” duhet të jetë në standardet evropiane.

Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov:

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Parametrat konkretë sigurisht që do t’i diskutojnë ekspertët dhe unë pikërisht edhe për këtë e kam në përbërje të delegacionit edhe Ministrin tonë të Transportit, i cili gjithashtu është bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Transportin dhe përgjigjet konkretisht edhe për këtë. Gjithashtu, lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që është me shumë rëndësi që çdo vend të ketë të qartë dhe të ketë radhitur qartazi angazhimet e veta kombëtare, sepse çdo vend ka specifikat e veta në këtë aspekt dhe në këtë bazë pastaj të mund t’i drejtohemi dhe të presim mbështetjen edhe nga ana e Bashkimit Evropian. Presidentët demonstrojnë vullnetin politik, ndërkaq janë ministrat që do t’i japin karakterin tjetër praktik kësaj.

Televizioni Publik Bullgar: Zoti Parvanov, unë e kam pyetjen drejtuar juve. Megjithatë, thotë gazetari bullgar Filipov, dua të them që ju keni folur me goxha shqetësime për ecurinë e projektit e “Korridorit 8”. Po të më lejohej mua, unë do të isha më i ashpër, megjithatë rezervohem të shprehem i tillë. Dua të pyes Presidentin Parvanov lidhur me këtë se para disa kohësh në takimin e Ohrit është ngritur edhe iniciativa për zhvillimin e Samitit në Sofie për energjitikën. Pyetja ime është, si përfshihet politika rajonale e energjitikës në politikën evropiane energjitike?

Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov:

I nderuar zoti Filipov,

Nuk duhet të keni frikë të jeni i ashpër! Që nga dita ime e parë si President kam filluar të flas për “Korridorin 8” dhe tani ka kaluar kaq shumë kohë sa do të thoja që jam plakur me këtë temë në sensin e shakasë, megjithatë do të doja të isha gjallë kur projekti të realizohet. Bullgaria do të vazhdojë të luajë rol edhe në politikën evropiane, sigurisht lidhur edhe me këtë çështje edhe pse ajo ka finalizuar nënshkrimin e tre marrëveshjeve të rëndësishme në këtë fushë që janë marrëveshje për korridorin e jugut energjitik, gjithashtu për Burgas – Aleksandropolis dhe gjithashtu marrëveshjen për centralin atomik. Ne jemi dëshmitarë të asaj, që disa vende evropiane po i ndjekin këto probleme në këtë fushë në mënyrë separative, pastaj shfaqin xhelozi për nismat që ndërmerr një vend i vogël anëtar siç është Bullgaria. Prandaj edhe ne kemi ftuar në këtë forum që u përmend këtu së pari vende të cilat kanë burimet e gazit, gjithashtu vendet përmes të cilave kalojnë korridoret dhe në vend të tretë, vendet të cilët janë konsumatorët realë të kësaj energjie.

Top Channel:Kam një pyetje për Sh.T.Z. Bamir Topi. Zoti President, ju keni kthyer sot Kodin Zgjedhor me një argument teknik. A mendoni megjithatë se ka vend për ndërhyrje në Kod?

Presidenti i Republikës, Bamir Topi:

Unë kam kthyer për rishqyrtim Kodin Zgjedhor në Kuvendin e Shqipërisë dhe sikurse e kërkon rregulli, kthimi bëhet me një motivacion që i bashkëngjitet vendimit të Presidentit. Në kuadrin e transparencës me median dhe publikun, unë kam bërë të qartë pozicionin në një relacion, për të cilin është vënë në dijeni Parlamenti, por edhe publiku. Në pozicionin e Presidentit të Republikës kam qenë vazhdimisht i preokupuar për përfundimin sa më të shpejtë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i cili është parakusht shumë i rëndësishëm ligjor për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. Ka pasur një moment që unë me pak fjalë po e them dhe ka të bëjë me një mospërputhje të një momenti kushtetues që ka të bëjë me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve. Ju e mbani mend shumë mirë që në gushtin e vitit 2006, unë kam qenë pjesë e grupit negociator për ndryshimet kushtetuese në funksion të Kodit Zgjedhor. Kjo do të thotë dhe që është e natyrshme që unë jam shumë mirë i informuar për atë pjesë. Sipas ndryshimit kushtetues të vitit 2006, kemi këtë pozicion: zgjedhjet e përgjithshme politike realizohen nga 18 marsi deri në fund të qershorit. Zgjedhjet administrative, pra, zgjedhjet për pushtetin vendor zhvillohen në vjeshtë. Në Kodin Zgjedhor të miratuar nga Parlamenti ka një klauzolë, e cila shpreh detyrimin e Presidentit në funksion të kohës për të dekretuar datën e zgjedhjeve. Sipas Kodit, tekstualisht shprehet që Presidenti është i detyruar që jo më shumë, ose jo më afër se nëntë muaj, pra, minimalisht nëntë muaj përpara, të dekretojë datën e zgjedhjeve. Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntë muajshi. Pra, zgjedhjet, që sipas Kushtetutës, zgjedhjet politike do të bëhen në pranverë, kalojnë të bëhen në vjeshtë, pra, ka një mospërputhje kushtetuese. Dhe në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës, që të rikthej në Parlament që të bëhet ky korrigjim, në mënyrë që të jemi konform detyrimit kushtetues, që zgjedhjet politike të përgjithshme në Shqipëri të realizohen brenda afatit kushtetues dhe t’i jepet mundësia Presidentit që, sipas ligjit të Kodit Eelektoral të ketë një periudhë të nevojshme, të pranueshme, që të korrespondojë me atë që thotë Kushtetuta. Nxorra këtë vlerësim shumë analitik, sepse është shumë e rëndësishme për ndjeshmërinë që kanë partitë politike, kanë njerëzit përsa i përket realizimit të zgjedhjeve pa asnjë lloj problemi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›