E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Ministër, faljani FSHF-së stadiumin kombëtar Qemal Stafa!

Letër e hapur

I nderuar, zoti Ministër! Ndjek me interesim jo vetëm jetën politike dhe gjithçka që ka lidhje me Shqipërinë, por, veçanërisht, gjithë dinamikën sportive së cilës i kam qëndruar afër për rreth 5 dekada. Mendoj se ju dhe qeveria juaj duhet të bëni një hap të rëndësishëm historik dhe bujar në ndihmë të futbollit kombëtar. Si njeri i sportit, me kënaqësi të madhe vërej se janë bërë përmirësime jashtëzakonisht të mëdha në marrëdhëniet shtet-FSHF. Mënyra se si u zhvillua fushata për zgjedhjen e presidentit të FSHF, qe një dëshmi e qartë për këtë. Futbolli ka bërë përmirësime të ndjeshme. Z. Duka, krejt ndryshe nga e kaluara, jo vetëm ia ka rritur autoritetin këtij institucioni në arenën ndërkombëtare, por ka arritur të sigurojë ndaj vendit tonë përkrahjen dhe mbështetjen e drejtuesve më të mëdhenj të futbollit europian dhe atij botëror. Por rezultatet e deritanishme, sidomos në kampionatin kombëtar, janë të pamjaftueshme FSHF-ja, e vetme, pa ndihmën e fuqishme të shtetit, nuk mund të bëjë dot kthesën e duhur. Zoti Ministër! Së shpejti, fillojnë takimet eliminatore Euro 2010. Gjendja e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" është jashtëzakonisht e keqe. Unë jam i vetëdijshëm se, në situatën ekonomike në të cilën ndodhte shteti dhe vetë FSHF-ja, është e pamundur që të vijë brenda standardeve. Njëkohësisht, nuk është dinjitoze për vendin tonë që të dëgjojmë në vazhdimësi veç pakënaqësi nga të huajt që vijën e luajnë apo vëzhgojnë ndeshjet ndërkombëtare. Duke qenë se FSHF-ja është një organizatë jofitimprurëse dhe të ardhurat, që krijon nga burime të ndryshme i riinveston 100% për zhvillimin e futbollit kombëtar, kuptohet që ulet edhe sasia e investimeve, që çdo vit shteti detyrohet të bëjë në këtë drejtim, lutem (ky është dhe qëllimi i kësaj letre të hapur!) që të gjeni një zgjidhje profesionale dhe stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", faljani shoqatës së madhe të futbollit kombëtar. Kjo falje do jetë një dhuratë e madhe dhe shumë e bukur nga qeveria demokratike. Njëkohësisht, kam bindjen dhe ju duhet të jini i bindur, se vetë shoqata do t'i gjejë burimet financiare nëpërmjet donacioneve të jashtme a të brendshme për ta sjellë atë stadium brenda standardeve të kohës. Unë shpreh bindjen e plotë se JU do të gjeni dhe përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të Kryeministrit sportdashës, Z. Berisha, i cili, dhe herë të tjera, ka manifestuar bujari në mbështetje të zhvillimit të sportit dhe kulturës kombëtare.

Me respekt
Ish-arbitër i FIFA-s
Arsen Hoxha

Florida

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›