Tregolësh i Fabio Hoxhës, Interi U-17 fiton 8-0 me Olbian
Fabio Hoxha, sulmuesi i talentuar shqiptar, vazhdon të shkëlqejë në Akademinë e Interit. Lojtari i përfaqësueses Under-17 të Shqipërisë ka shënuar tre gola në ndeshjen që skuadra Allievi Nazionali (para të rinjtë) e drejtuar nga Xhorxho Gati fituan 8-0 kundër bashkëmoshatarëve të Olbias. Në takimin e vlefshëm për javën e tetë të fazës së dytë, ai hapi serinë e golave në të 14-n, me një veprim të bukur akrobatik. Hoxha shfrytëzoi harkimin e ëmbël të Said Ahmed, i cili depërtoi nga e majta, duke dribluar disa kundërshtarë. Goli i dytë i 16-vjeçarit kuqezi u realizua kur kronometri tregonte 74 minuta lojë. Pasi depërtoi në zonën kundërshtare, Hoxha ka lëshuar një diagonale të saktë rrafsh me tokën dhe ngriti shifrat në 6-0. Njëmbëdhjetë minuta përpara fundit të ndeshjes, sulmuesi ka shënuar edhe golin e tretë personal, duke vulosur rezultatin 8-0 për para të rinjtë e Interit.
Me tregolëshin e tij, talenti shqiptar ishte padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa rrjetat e tjera u realizuan nga Said (2), Pekorini, Romano dhe Kandido. Zikaltërit e vegjël kryesojnë kampionatin me 61 pikë të grumbulluara pas 21 javëve, ndërsa ecuria e skuadrës ka qenë e jashtëzakonshme me 20 fitore dhe vetëm një humbje. Ndërkohë, Hoxha së bashku me shokun e tij tek Interi, Ganezin Said, kryesojnë klasifikimin për golashënues me nga 14 rrjeta: të dy së bashku ata kanë realizuar 28 nga 76 golat që ka realizuar U-17 e Interit.
#